Përplaset Lanksch dhe Virion Graçi për çmimin “Kadare”

Kanë kaluar dy ditë nga shpallja e çmimit Kadare 2017, që shkoi për shkrimtarin nga Kosova, Musa Ramadani, për romanin në dorëshkrim “Profeti nga Praga” dhe jehona ka qenë e jashtëzakonshme. Jo vetëm për polemikat që ka ndezur, por duke kthyer vëmendjen në një situatë letrare që ziente prej vitesh në marrëdhëniet e njohjes në të dyja vendet, ku flitet e shkruhet shqip. Përkthyesi i letrave shqipe në gjuhën gjermane dhe njohësi i letërsisë e kulturës shqiptare, Hans-Joachim Lanksch ka reaguar mbi polemikat për fituesin e sivjetmë të çmimit “Kadare”.

Kanë kaluar dy ditë nga shpallja e çmimit Kadare 2017, që shkoi për shkrimtarin nga Kosova, Musa Ramadani, me romanin në dorëshkrim “Profeti nga Praga” dhe jehona ka qenë e jashtëzakonshme. Jo vetëm për polemikat që ka ndezur, por debati për fituesin ka kthyer vëmendjen në një situatë letrare që ziente prej vitesh në marrëdhëniet e njohjes në të dyja vendet, ku flitet e shkruhet shqip. Përkthyesi i letrave shqipe në gjuhën gjermane dhe njohësi i letërsisë e kulturës shqiptare, Hans-Joachim Lanksch ka reaguar mbi polemikat për fituesin e sivjetmë të çmimit “Kadare” duke dhënë edhe një përgjigje për shkrimtarin Virion Graçi në reagimin e tij të djeshëm duke i konsideruar autorët fitues të dështuar në treg. Në Shqipëri Musa Ramadani njihet shumë pak, ndaj ka ndërhyrë Lanksch në këtë debat duke vënë në dukje se çfarë po ndodh në dy anët ku flitet shqip: Shqipëri e Kosovë, sa njohim letërsinë e njëri-tjetrit dhe pse është ngjallur kjo zemëratë për fituesin “e ri” në letrat shqipe. Në rrjetin e tij social, Hans-Joachim Lanksch shkruan: “Pas shpalljes së fituesit të Çmimit “Kadare” në Fb shpërtheu një heshtje domethënëse. Siç duket, pothuaj nuk ka kush e njeh autorin të cilit i shkon Çmimi i sivjetshëm “Kadare” e lëre veprën e tij.

Shumëkush mbase mendon si shkrimtari finalist, Virion Graçi, i cili e lëshon jehonën e vetme duke e sulmuar çmimin “Kadare” duke e përdorur kriterin qesharak se librat e deritanishëm fitues “dështuan në treg të librit” dhe duke shtuar një fjali malicioze: “Të shohim e dëgjojmë çfarë ka gatuar i treti, mjeshtri i këtij viti për mjeshtrat e tij sponsorizues”. A duhet vërtet të thuhet edhe një herë se çmimet letrare nuk jepen për bestsellerë por për letërsi? Kriteri grotesk i “suksesit” të librit na i përkujton kohëra të errëta. Vjet me radhë jemi mërzitur dhe zemëruar për ndarjen klanore të çmimeve letrare akëcilit shkrimtar të karuselit të përjetshëm emrash gjithmonë të njëjtë shkrimtarësh “të njohur” a “të mirënjohur”. Është në të vërtetë koha të ndryshohet kjo rutinë dhe të shpërblehen shkrimtarë pa marrë para sysh se a janë të njohur apo jo apo a u “ka ardhur radha”! Kriteri nuk mund të jetë tregu i librit por cilësia estetiko-letrare”.

Reagon Virion Graçi

Ka reaguar sërish shkrimtari finalist për çmimin “Kadare”, Virion Graçi në rrjetin e tij social, duke vlerësuar dy nga anëtarët e jurisë që edhe i dhanë votën në këtë garë. Me titullin “Për letërsinë dhe demonë të tjerë”, Graçi shkruan: “Diçka e thjeshtë dhe e zakonshme të bëhet lajm i pranuar nga redaksia e portalet duhet patjetër të fillojë me shprehjet : “shpërthen Filani”, “çmendet Filania”, “sulmon Ai e godet Ky”. U bëra dhe unë lajm i kronikës së zezë si sulmues, goditës. Në fakt kam bërë një shënim informal për miqtë e mi në FB duke përmbledhur në tre rreshta çfarë ka ndodhur në dy vitet e para të çmimit letrar “Kadare” pa u ngatërruar me të tretin në të cilin isha vetë finalist. Mbaj mend se u kam shkruar ideuesve të çmimit se, një grup aq i vogël njerëzish si ju, të lidhur në interesa pagash mujore e honoraresh javore me institucionin që e jep atë çmim dhe e propagandon si vlerë e madhe mbarë shqiptare, doni të impononi publikut reliefin e ardhshëm të vlerave duke e populluar para dhënie me emra të rëndësishëm për ju. Mu përgjigjën me korrektesë e natyrshmëri, shkëmbyem mendime përmirësimi dhe e kaluam si një çështje që mund të përpunohej nga të interesuarit në rrugë e sipër. Në dy vitet e para, për arsyet e përmendura nuk u bëra pjesë e asaj gare dorëshkrimesh. Sivjet, emrat e Bashkim Shehut dhe Ylljet Aliçkës në juri, të respektuar të dy si intelektualë e krijues me vlera të rangut të parë, më lanë të besoj se diçka do të ishte më mirë. Dhe ashtu shkoi, pati mjaft prurje, dolën disa finalistë e prej tyre, një kryefinalist, një fitues, pra. Personalisht e urova autorin e promovuar duke uruar njëherësh që vepra e tij e ardhshme, teksti fitues të vlejë, ta përligjë vëmendjen e shoqërisë dhe investimin e institucionit që e mbështeti, e zbuloi, ia ofron lexuesit si vlerë e rëndësisë së parë.

Disa që duan të bëhen lajm, pas leximit të shënimit tim informal çmenden prej vërteti, shpërthejnë prej vërteti, sulmojnë mua lidhur me faktin se, meqë nuk isha fituesi nuk më takon të diskutoj. Çdo pjesëmarrës vendos në atë garë çfarë ka të shenjtë e të dashur, krijimtarinë e tij. Dhe secili do të dijë, të verifikojë a ka vërtetë seriozitet, ndershmëri apo janë gara fasadë, duke thirrur çdo shqiptar pa dallim feje, krahine, gjinie e ideje për t’i dhënë rëndësi, shkëlqim provizor një fituesi të paramenduar, të paracaktuar?!

Fiton apo jo asnjë germë nuk ndryshon në cilësinë e veprës tënde të radhës, çmimet e pamerituara të bëjnë të dyshimtë, qesharak, madje, të skualifikojnë në sytë e lexuesve të kulturuar. Unë nuk kam çuar libra në konkurse dhe jam lexuar, vlerësuar, pranuar nga lexuesit që në fillimet e mia. Kur konkurset u bënë pa vullnetin e autorit duke marrë direkt hyrjet vjetore në Bibliotekën Kombëtare, nuk mund të vetëpërjashtohesha me deklarata të një modestie bërtitëse, dhe, dy vjet më parë kam marrë tre çmime për një libër i cili kishte disa muaj në duart e lexuesve.

Në kohën kur nuk kishte kaq kureshtje televizive, radiofonike, elektronike për letërsinë në qindra orë biseda “specialistësh”, intervista somelierësh letrarë, kur nuk kishte përnatë udhërrëfyes letrarë për popullin e “paditur”, kuvendime e tryeza pa qoshe për problemet e ashtuquajtura të letërsisë sonë shqipe, njerëzit lexonin më shumë, krijuesit punonin më qetë, ishin më indiferentë ndaj përmasave artificiale, mediatike të vetjeve të tyre. E unë, i kësaj mendësia jam, nuk mund të bëhet shkrimtari njeri shfaqesh televizive. Por, nga ana tjetër, kur kaq shumë ciceronë librash e “kulturologë”, sistemues vlerash e gjykatës publikë të hierarkive e fakteve historike – letrare, në mënyrë tendencioze, të përsëritur, të stërpërsëritur, përpiqen të keqpërdorin, të denigrojnë dhe si prani fizike në kohë e hapësirë punët e mia, atëherë, pa dashur të bëhem lajm portalesh, rjetesh, ju premtoj se do ta mbroj veten time prej tyre, pasi nuk më kushton aspak mund, aspak dhimbje, asnjë vështirësi në gjetjen e epiteteve e stigmave përkatëse”.

Shkruar Nga
More from revista mapo

“Rebelimi i femrës shqiptare fillon me kthimin te vetja”

Me një krijimtari intensive në fillim të viteve ’90, duke u renditur...
Read More