Përplasja ligjore: Votim i hapur apo i fshehtë për Tahirin?


Të mërkurën Kuvendi i Shqipërisë do të marrë në shqyrtim kërkesën e Këshillit të Mandateve për deputetin Saimir Tahiri.

Përpara deputetëve do jenë dy raporte, një i përgatitur nga anëtarët e mazhorancës, që nuk kërkon arrestimin e Tahirit, një tjetër i përgatitur nga minoranca, që kërkon arrestimin e tij.

Megjithatë një pikëpyetje ngrihet mbi mënyrën se si do votohet për këtë raport.

Kushtetuta parashikon votim të hapur, ndërsa në Rregulloren e Kuvendit parashikohet votim i fshehtë.

Në të shkuarën është bërë votim i fshehtë për rastet e ligjvënësve Tom Doshi apo Mark Frroku.

Ndërkohë ekspertët thonë se në këtë rast, kur ka përplasje, përparësi ka akti më i lartë, në këtë rast Kushtetuta.

Fillimisht hidhet në votim raporti i përgatitur nga mazhoranca, më pas ai i përgatitur nga opozita.

Në fund miratohet ai që merr shumicën e thjeshtë të votave të deputetëve të pranishëm. 

KUSHTETUTA

Neni 73

  1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.
  2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit.
  3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Prokurori i Përgjithshëm ose Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.
  4. Për çështjet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi mund të diskutojë në seancë me dyer të mbyllura, për arsye të mbrojtjes së të dhënave. Vendimi merret me votim të hapur.

RREGULLORJA E KUVENDIT

Neni 118

-Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Ambasadori Graf: Ndryshimet e shpeshta fiskale i largojnë investitorët zviceranë

Intervistë e Ambasadorit të Zvicrës në Shqipëri, Christoph Graf: Do të doja...
Read More