Përplasje islamikësh në Shqipëri: as Guleni, as Erdogani

Nga Blendi Lami 

Nuk është hera e parë që turqit kërkojë të importojnë krizën e tyre në Shqipëri, apo më saktë në hapësirën shqiptare. Shkak është bërë prania e gulenistëve, dhe përplasja e këtyre me erdoganistët. Këto dy grupime tentojnë që të fitojnë influencë në territorin shqiptar. Aktualisht gulenistët janë në mbrojtje, erdoganistët në sulm.

Që në vitin 2010, Erdogani e ka akuzuar lëvizjen “Gulen” për krijimin e një shteti paralel që synon rrëzimin e qeverisë, dhe kapacitetet e “shtetit paralel” janë ushtruar dhe vazhdojnë të ushtrohen edhe jashtë Turqisë. Dihet tashmë se hapësira shqiptare është terren investimesh guleniste dhe erdoganiste. Mes kësaj gurguleje, e pavendosur dhe e paqartë, gjendet qeveria shqiptare.

Guleni prodhoi Erdoganin

Gjatë viteve të para të Erdoganit në pushtet, reduktimi i rolit të ushtrisë në politikën turke – si garantuese e laicitetit dhe stabilitetit – ishte një ndër arritjet kryesore të Turqisë në rrugën drejt demokracisë. Tanimë, rolin e ushtrisë në garantimin e stabilitetit të brendshëm e kryen institucioni i gjithëpushtetshëm i presidentit, pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2017.

Duke shkelur një nga parimet kryesore të politikës së jashtme turke, së gatuar nga Davutoglu, “balanca e brendshme mes sigurisë dhe lirisë”, Erdogani ka prishur ekuilibrin në favor të sigurisë, duke krijuar një shtet autoritar që përbën kërcënim për demokracinë dhe laicitetin.

Rritja e pushtetit personal të Erdoganit solli gjithashtu edhe goditjen e disa grupimeve që i janë kundërvënë, ndër të cilët ai që në Turqi njihet si Gülen cemaati – komuniteti gulenist. Ndër masat apo ndëshkimet që janë marrë si hakmarrje pas tentativës për grusht shteti, janë: 10,000 ushtarakë dhe 1400 gjykatës të burgosur; 15 universitete, mbi 1000 shkolla private, mbi 1200 fondacione, 16 televizione, 23 radiostacione, 45 gazeta, 15 revista dhe 29 shtëpi botuese janë mbyllur. Vlen për t’u përmendur dënimi me burgim të përjetshëm – vetëm pak ditë më parë – i tre gazetarëve të shquar, ndërkohë që 70 syresh mbeten pas hekurave.

Ushtria, si “gardiane” e laicitetit, i është kundërvënë kësaj lëvizjeje që në vitet ‘80, pasi Fetullah Guleni u akuzua për krijimin e një shteti islamik dhe u fesh për gjashtë vjet. Në vitet ‘90, pas Luftës së Ftohtë, SHBA i la dorë të lirë Turqisë për ushtrimin e një diplomacie të butë në rajonet në afërsi të saj si Ballkan e Kaukaz. Ky lloj pan-turkizmi (i cilësuar edhe neo-otomanizëm), duke shfrytëzuar trashëgiminë historike dhe pozicionin strategjik, u instalua edhe në Shqipëri, nëpërmjet lëvizjes “Gulen”. Përveç investimeve në ekonomike, ndihmave në ushtri, bursave për studentët shqiptarë, heqjes së vizave për të lehtësuar tregtinë etj., Turqia po përdorte një mjet më shumë për ndikimin e saj në Shqipëri – penetrimin në arsim përmes Gulenit.

Qëllimi kryesor i kësaj lëvizjeve ishte ringjallja e Islamit që ishte dobësuar nën regjimin komunist. Megjithatë, duke marrë në konsideratë laicitetin e shoqërisë shqiptare dhe vendeve të tjera ish-komuniste në fillim të viteve ‘90, metodat për këtë “ringjallje” u modifikuan.

Pasi akuzohet në vitin 1999 për infiltrim të “aseteve” të tij në ushtri, polici dhe gjyqësor për të minuar themelet laike të republikës turke, Guleni fshihet përsëri, dhe që atëherë jeton në mërgim. Ishte koha kur Erdoganit – dhe frymës që ai përfaqësonte – i interesonte një “viktimë” – si Guleni – e shtetit ushtarak turk. Edhe vetë Erdogani fitoi popullaritet, duke u shfaqur si i viktimizuar nga laiciteti, pasi ishte dënuar me burg për recitimin e vargjeve: “Xhamitë janë kazermat tona, kupolat helmetat tona, minaret bajonetat tona, dhe besimtarët ushtarët tanë”.

Reagimi shqiptar

Në këtë kontekst, vihet re se të dy rrymat luftojnë për pushtet dhe secila ka agjendën e vet. Por a ka edhe Shqipëria agjendën e vet në lidhje me pozicionimin e saj kundrejt kësaj çështjeje?

Kur Erdogani filloi luftën kundër Gulenit edhe jashtë territorit të Turqisë, në Shqipëri u shfaqën shenjat e para për zëvendësimin e institucioneve guleniste. Erdogani e shpalosi “spastrimin” nga gulenistët në përurimin e “kazermës” së tij në Shqipëri (shih më sipër: xhamisë). Kështu, Erdogani ndërmori fushatë për zëvendësimin e institucioneve guleniste, duke dhënë garanci se Ministria e Arsimit e Turqisë do të ofronte shërbime reciproke.

Me shtimin e trysnisë për largimin e gulenisteve nga njëra anë, dhe shtimin e investimeve të shtetit turk në Shqipëri në disa fusha nga ana tjetër, me sa duket, shtrohet pyetja nëse qeveria shqiptare do t’i dorëzohet Erdoganit apo do të marrë pozicionin që i kërkon Perëndimi. Pavarësisht deklaratave zyrtare për të mos mbyllur institucionet arsimore dhe bamirëse të Gulenit, duket e pamundur që qeveria e Erdoganit të investojë në Shqipëri – për shembull, për aeroportin e Vlorës, linjën ajrore apo veshjet e policëve – pa garancinë e eliminimit të Gulenit dhe pasuesve të tij nga skena shqiptare.

Por, pavarësisht akuzave për mungesë vizioni dhe flirteve të pushtetarëve tanë me Turqinë, qeveria jonë do ta zhgënjejë “vëlla” Erdoganin. Shenjat e para i ka dhënë. Me rreshtimin në vijën e ashpër në frontin perëndimor kundër Rusisë, ku politika jonë e jashtë fitoi konfidencë për herë të parë në historinë postkomuniste, por edhe në shumë çështje të tjera në interes të Perëndimit, Shqipëria nuk mund të jetë më arenë e interesave lindore. Teksa politika jonë e jashtme po merr konturim të qartë perëndimor, Shqipëria do të jetë e detyruar të kushtëzojë Turqinë dhe do të vihet përkrah Perëndimit.

A do ta tolerojë Turqia? Edi Rama po fiton kohë . . . dhe investime. Ndonëse duhet ta kuptojë se investimet përkthehen në influencë për Turqinë. Erdogani nuk ka ç’të humbë, por të presë Ramën. Loja – deri tani – është në favorin tonë. “Arbitri” – SHBA – ia ka treguar Turqisë kufirin. SHBA dhe vendet e BE e kanë bërë të qartë se nuk do të ekstradojnë gulenistët. Kjo bëhet jo vetëm për hir të të Drejtave të njeriut, por edhe si sinjal politik: aleanca me Turqinë – me mënyrën se si sillet kjo e fundit – ka limitet e veta.

Me këtë nuk po theksohet se po mbrohet Guleni në favor të Erdoganit. Me këtë po theksohet se, që ky vend të bëhet – të paktën politikisht – pjesë e Perëndimit, duhet të sqarojë marrëdhëniet si me Gulenin, ashtu edhe me Erdoganin, duke saktësuar se do të kemi marrëdhënie me palët përkatëse aq sa na e lejon interesi ynë kombëtar dhe harmonizimi me Perëndimin.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Morali dhe interesi publik e do që ministrat teknikë të dorëhiqen

Nga Ervis Iljazaj Përtej disa incidenteve episodike, por që nuk cenuan absolutisht...
Read More