Përplasjet në Himarë, miratohet plani rregullues nën mbrojtjen e FNSH


Në mbledhjen e këshillit bashkiak të mbajtur në Kuç, këshilltarët e PS, PD e LSI, miratuan planin e përgjithshëm vendor të Himarës. Këshilltarët e PBDNJ u larguan në shenjë proteste.

Para se të niste mbledhja e Këshillit Bashkiak të Himarës, e caktuar për t’u mbajtur në Kuç, mjediset ku ajo do të mbahej u morën në ruajtje nga Policia e Shtetit. Sigurisht ashtu si pak ditë më parë në Himarë, edhe në Kuç nuk munguan përplasjet, ku banorët protestues edhe një herë kanë tentuar të hynin në sallën e improvizuar për mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Por tentativat për të prishur mbledhjen nuk zgjatën shumë, pasi anëtarët e PBDNJ-së u larguan nga mbledhja, e bashkë me ta dhe protestuesit e mbërritur nga Himara.

Mbledhja vijoi normalisht, ku të pranishëm ishin këshilltarët e PS, PD e LSI, të cilët diskutuan dhe miratuan me konsensus mbi planin e përgjithshëm vendor të Himarës, që pritet ta transformojë rrënjësisht këtë zonë.

Mbledhja

Mbledhja është zhvilluar me 18 anëtarë të Këshillit Bashkiak të Himarës, nga 21 që ky këshill ka në total. Nga tre anëtarë që PBDNJ-ja ka në këshill, 2 prej tyre janë larguar në shenjë proteste nga mbledhja, ndërsa këshilltari i tretë ka munguar për arsye shëndetësore. Të pranishëm në mbledhje kanë qenë të gjithë këshilltarët e Partisë Demokratike, Partisë Socialiste dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Pas miratimit ka folur edhe ish-kryebashkiaku Bollano. “Do ta konsultojmë në aspektin ligjor se si mund të reagojmë, janë bërë disa ankesa ligjore për mungesën e transparencës. Sigurisht ky zhvillim ka dy nivele, ka nivelin ligjor legjislativ, i cili nuk zbatohet në tërësinë e tij, por ka edhe aspektin politik, shoqëror dhe ekonomik për zhvillimin e zonës, i cili në dukje duket sikur e cenon negativisht zhvillimin e zonës”,- tha Bollano.

Kryebashkiaku Goro

“Shpresojmë që qytetarët tanë të kthehen dhe të investojnë duke pasur një plan konkret për zhvillimin e tyre. Ajo që është e rëndësishme dhe që unë dua të theksoj është se plani i zhvillimit me të kaluar në KKT dhe zbardhjen e tij, bëhet menjëherë efektiv”, është shprehur Jorgo Goro, kreu i Bashkisë së Himarës. Kreu i Bashkisë së Himarës për sa i përket protestuesve është shprehur se një pjesë e tyre është e keqinformuar dhe se një pjesë e tyre janë të prekur nga ndërtimi i shëtitores.

“Protestuesit e para e punës nuk dinin se çfarë kërkonin, pasi nuk kishte lidhje ajo që bënim ne sot këtu me atë që ata pretendonin. Një pjesë e tyre janë të keqinformuar dhe një pjesë e tyre preken nga investimi i cili bëhet në shëtitoren e Himarës.

Një investim i cili ka shpronësuar një pjesë të madhe të tyre, por edhe një investim i cili do t’u sjelli atyre një përfitim të madh, sepse pronat e tyre janë aty, shtëpitë e tyre janë aty, do të bëhem më të bukura e të aksesueshme. Do të kenë mundësi t’i shfrytëzojnë edhe për gjëra të tjera, jo vetëm për shpi por edhe për lokale, hoteleri dhe pse jo edhe për çdo veprimtari tjetër”, -tha Goro.

Përplasjet

Në Këshillin Bashkiak të Himarës, më 25 gusht, kundërshtarët e projekteve që do të miratonte këshilli, reaguan dhunshëm. Në krye të protestuesve ishin Fredi Beleri, kryetari i Omonias Himarë dhe biznesmeni Nikollaq Neranxi.

Por, në kushtet kur mbledhja rrezikohej sërish të prishej, Këshilli Bashkiak dhe kryetari i Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, vendosën që mbledhjen e radhës ta mbanin në fshatin Kuç, i cili me ndarjen e re territoriale është pjesë e kësaj bashkie.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Qepeni gojën, llapaqenë…

Ese nga libri i Umberto Ecos “Pape Satan Aleppe”, kronika të një...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.