Përrallat e ‘800-ës: Zanat “flasin” gjermanisht

perrallat e elsiesQendra e Studimeve Shqiptare në Londër boton koleksionin e përrallave shqiptare në gjuhën gjermane, të zbuluar e përgatitur nga albanologu Robert Elsie. Këto janë koleksionet e rralla të albanologut Georg von Hahn, por përfshihen edhe dijetarë që i janë përkushtuar folklorit shqiptar, si: Gustav Meyer, studiuesi Holger Pedersen, filologu dhe albanologu austriak Maksimilian Lamberc…

Katër përralla të vjetra shqiptare nga ishulli Poros (Greqi), të shënuara rreth vitit 1860, një koleksion i rrallë zbuluar nga albanologu Robert Elsie: “Marigo of the Forty Dragons”; “The Silver Tooth”; “For the Love of e Dove” dhe “The Snake Child”, të përkthyera herët e shpjeguar nga Johann Georg von Hahn, në Lajpcig në vitin 1864 – të vlerësuara si një pasuri e rrallë e trashëgimisë sonë, janë të përfshira në 100 tregimet shqiptare, botuar në gjuhën gjermane. Ky koleksion i përrallave shqiptare, mbledhur nga Robert Elsie, është botim i Qendrës së Studimeve Shqiptare në Londër.

Çfarë bën diferencën në këtë prurje të panjohur nga një albanolog paraardhës, shkencëtari gjerman Von Hahn, lidhet me një relatë kulturore midis dy kufijve, kur shërbente si konsull në administratën greke. Tregimet e vjetra popullore shqiptare përmbajnë mahnitjen dhe mrekullinë si çlirohen energjitë e së keqes, duke përfshirë të katër përrallat në një kronologji epike.

Por, për nga rëndësia, ky koleksion që ofron Elsie ridimensionon punën hulumtuese që Von Hahn ka bërë në këtë pjesë të rajonit, ku vendoset kontakti me Shqipërinë nga mblodhi të dhënat. Kështu, gjatë viteve të qëndrimit në Janinë, Hahn bëri tri udhëtime në Shqipëri dhe mblodhi të dhëna për historinë, filologjinë dhe folklorin shqiptar. Albanologu Robert Elsie shënon se ky material u botua në veprën e tij themelore në tri vëllime “Albanesische Studien” (Studime shqiptare), 1854, e cila i hodhi themelet e albanologjisë. Por siç bëhet e njohur, shquhet gjithashtu për vëllimin “Griechische und albanesische Märchen” (Përralla greke dhe shqiptare), Lajpcig 1864, dhe për rrëfimet e ekspeditave të tij në Ballkan “Reise von Belgrad nach Salonik” (Udhëtim nga Beogradi në Selanik), Vjenë 1861, dhe “Reise durch die Gebiete des Drin und Vardar” (Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit), Vjenë 1867, 1869.

“Në ekspeditën e fundit nga gushti në nëntor 1863 Hahn dhe bashkudhëtarët e tij udhëtuan nga Durrësi dhe Shkodra nëpër lumin Drin për në Prizren në Kosovë, në Maqedoninë Perëndimore. Pastaj duke kaluar luginën e Vardarit erdhën në Selanik në detin Egje. Interesat e Hahnit në Shqipëri dhe në Ballkanin Jugperëndimor ishin të shumëllojshme dhe, gjatë këtij udhëtimi, përveç albanologjisë, i hodhi, mbase paditur, edhe themelet e historisë së fotografisë në Ballkanin Jugperëndimor. Ekspedita e vitit 1863 rezultoi në një koleksion prej pesëdhjetë fotografish – nga më të hershmet në rajon”, – bën të ditur Elsie.

Hahn kishte filluar ta përgatiste ekspeditën në lumin e Drinit në fillim të viteve 1860, kur tha: “…është më pak i njohur se të gjithë lumenjtë e Evropës, megjithëse derdhet në Adriatik jo më shumë se dhjetë milje nga kufiri jugor i territorit perandorak (të Austro-Hungarisë). Askush para meje nuk ka kryer udhëtimin njëzetditësh midis bregdetit dhe pikës ku bashkohet degat e lumit”. Kryeduka Maksimilian (1832-1867), i cili më vonë do të bëhej Perandori i Meksikës (mbretëroi 1864-1867), u entuziazmua me projektin dhe premtoi t’i siguronte mjete të thjeshta të lundrimit për atë. Elsie shënon se më 23 qershor 1863, Hahn i dërgoi një letër Akademisë së Shkencave në Vjenë, duke kërkuar një fotograf kompetent, i cili do ta shoqëronte dhe do të bënte fotografi të qyteteve dhe të terrenit malor. Akademia propozoi njëzetepesëvjeçarin Jozef Sekeli (Josef Székely) dhe dha në dispozicion fondet e duhura për ekspeditën.

Këto konsiderohen përkthime më të hershme të përrallave shqiptare në gjuhë të huaj, por Elsie ka përfshirë në këtë botim mjaft dijetarë të tjerë që i  janë përkushtuar folklorit shqiptar, ndër ta njihet edhe kontributi i gjuhëtarit Gustav Meyer (1850-1900); filologu çek dhe gjuhëtari Jan Jarnik Urban (1848-1923); studiuesi i njohur i keltishtes, Holger Pedersen (1867-1953); në bashkëpunim të ngushtë me Baron Nopçën, sekretar i tij, Bajazid Doda shkruajti një libër që u botua në gjuhën gjermane; filologu dhe albanologu austriak Maksimilian Lamberc (1882-1963).

 

Shënimet e Elsie-t për ekspeditën

“Johann von Hahn u nis nga konsullata e tij në ishullin Siros dhe mbërriti në Durrës më 12 gusht 1863. Aty shënoi: “Qyteti s’ka ndryshuar që prej vizitës sime të fundit para trembëdhjetë viteve, as pesëdhjetë banorë më shumë nuk ka”. Ai ngjiti luginën e Erzenit, duke kaluar Ndroqin dhe vazhdoi nëpër fushën bregdetare për në Shkodër. Aty më 31 gusht 1863, e gjeti Sekelin dhe togerin e marinës Herman fon Shpaun (Hermann von Spaun, 1833-1919), të cilët kishin arritur nga Tivari. Gjithashtu, në grup ishin miku i vjetër i Hahnit, doktor Auerbah (Auerbach), i cili prej vitit 1845 kishte qenë mjek familjar i beut të Vlorës, si dhe prifti françeskan, Engjëll Bardhi.

Në Shkodër, Sekeli bëri tetë fotografi të mahnitshme, pa dyshim fotografitë e para të qytetit dhe të kalasë së tij hijerëndë. Pas kësaj, ekspedita u nis në dy anije në lumin Drin, duke kaluar Dejën, Vjerdhën, Shurdhahun, Komanin (dy fotografi) dhe Dukagjinin. Lumi u bë gjithnjë e më i ngushtë dhe pranë Toplanës kalimi u bë i pamundur. Sekeli, i cili kishte sjellë pajisje të rënda fotografike me vete, u detyrua të kthehej në Shkodër me anije, kurse pjesa tjetër e ekspeditës vazhdoi rrugën me këmbë.

Grupi u ribashkua në Prizren, i cili në atë kohë ishte qyteti më i madh i Shqipërisë. Prizreni kishte rreth 46.000 banorë, prej të cilëve 36.000 myslimanë, 8.000 bullgarë dhe vlleh dhe 2.000 katolikë. Kishte jo më pak se njëzetegjashtë xhami, si dhe dy kisha ortodokse dhe një kishë katolike. Në krahasim me të, Shkodra, Durrësi dhe Vlora ishin fshatra. Këtu, në fillim shtatori 1863, Sekeli bëri pesë fotografi. Pas Prizrenit, ekspedita u kthye në Drinin e Zi dhe vazhdoi në drejtim të jugut për në Dibër. Kjo krahinë ishte krejtësisht e panjohur dhe gëzonte një nam të dyshimtë. Hahni shkroi: “Po kaq e panjohur se pjesa e poshtme e lumit Drin ishte edhe lugina e Drinit të Zi midis qytetit të Dibrës dhe pikës ku bashkohen të dy degët e lumit. Thuhet se është një çerdhe hajdutësh dhe prandaj shmanget nga fqinjët”. Megjithatë, Hahni kaloi rajonin pa probleme, veç që nuk mundi të kuptonte shqipen e banorëve aty. Kur erdhën në Dibër më 21 shtator 1863, Sekeli bëri dy fotografi. Fotografimi ishte një punë e lodhshme. Për të përdorur “makinën fotografike” dhe vagonin e pllakave që kishte sjellë me vete, Sekelit i nevojitej dy orë e gjysmë thjesht për një fotografi të një shkëmbi të madh romantik. Gjithë kjo, i tregoi Hahnit se “fotografia s’është gjë që mund të kryhet shpejt e shpejt. Ose mund të udhëtosh, ose mund të fotografosh”. Nga Dibra, ata vazhduan për në Strugë në liqenin e Ohrit.

Hahni ishte i magjepsur nga liqeni dhe shënoi praninë e trembëdhjetë lloje peshqish. Ata vizituan manastirin e Kalishtës, qytetin e Ohrit me shumë kisha të bukura ortodokse, dhe natyrisht manastirin e njohur të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, Shën Naum, në jug të liqenit. Hahni dhe bashkudhëtarët e tij kaluan dhjetë ditë në Ohër, kështu që Sekeli kishte kohë për të fotografuar. Në Ohër dhe rajon u bënë gjithsej njëmbëdhjetë fotografi. Fotografia e Shën Naumit duket se është e vetmja foto e manastirit para se të digjej në masë të madhe në vitin 1875.

Prej Ohrit, grupi udhëtoi për në liqenin e Prespës dhe vazhdoi me shi të dendur për në Manastir. Tashmë ishte tetor. Manastiri ishte qytet i madh dhe selia kryesore e ushtrisë osmane për rajonin. Aty Hahni u mirëprit prej gjeneralit Faik Pasha, i cili kishte studiuar në Vjenë. Sekeli bëri disa fotografi të një formacioni ushtarak para kazermës së madhe, ndërtuar në vitin 1839. Nga Prilepi udhëtuan për në Veles mbi lumin Vardar, ku, pasi gjetën anije të reja, u nisën nëpërmjet ngushticës së Demir Kapit (Porta e Hekurt) për në Selanik, në detin Egje. Aty u bënë pesë fotografi. Prej Selanikut, Hahni dhe Sekeli vazhduan për në Turqi për të parë Trojën”, plotësohet kështu informacioni i albanologut jo vetëm për rrëfenjat e vjetra popullore shqiptare por dhe për atë pjesë të koleksionit aq të çmuar, si fotografitë në një datim të hershëm, të para 200 vjetëve.

Në parathënien që shoqëron botimin e përrallave, Elsie shkruan se tregimet e paraqitura janë lënë në masë të madhe në drejtshkrimin origjinal dhe stilin e tyre, që sipas tij kërkon një lexues modern, për të shoqëruar në udhëtimin e tij në një botë përrallash me zanat e shqiptarëve. Botimi ka si pasfjalë fjalorin sipas karakterit të përrallave, si dhe një bibliografi të shtuar.

Përgatiti: V. Murati

 

Shkruar Nga
More from revista mapo

Moska, Shqipërisë së Enverit: Leckamanë që japin mend

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”,...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.