Përse Basha është në konflikt me partitë e vogla?

Nga Ervis Iljazaj

Duket se kritikat për Bashën kanë filluar të vijnë dhe nga disa aleatë të tij. Dje, në një intervistë të dhënë për gazetën MAPO, Fatmir Mediu u shpreh me tone kritike ndaj politikës së ndjekur nga Lulzim Basha, kryesisht për sa i përket marrëveshjes me Ramën, e cila kishte si fokus kryesor garantimin e zgjedhjeve të lira. Të gjitha këto kritika duket sikur po krijojnë një konflikt midis partive të vogla dhe Lulzim Bashës, nxitur dhe nga rezultati zhgënjyes i zgjedhjeve të 25 qershorit.

Përtej gabimeve strategjike apo të menaxhimit të fushatës elektorale nga ana e Partisë Demokratike, fakti është se partitë e vogla nuk i dhanë asnjë gjë shtesë në kuptimin e mbështetjes popullore opozitës. Në këtë kuptim, Basha ka të gjithë të drejtën për të rimenduar të gjithë politikën dhe strategjinë e tij në raport me to. Të vetmin detyrim moral që kishte për mbështetjen që ato i dhanë gjatë kohës së protestës, Basha e kreu duke i futur shumë nga kryetarët e tyre në vende të sigurta në listat e deputetëve. Kështu që logjika politike, e cila nuk ka shumë lidhje me mirënjohjen, kërkon që Partia Demokratike për të maksimizuar kredot e saj, duhet të futet në një tjetër dimension. Një dimension i cili ta përgatisë si një alternativë e vetme qeverisëse me gjithë instrumetet që ajo kërkon, qoftë edhe me ndryshimin e sistemit zgjedhor që mund ta favorizonte atë në këtë drejtim.

Aq më tepër që zgjedhjet e 25 Qershorit treguan një dështim të plotë për të gjitha partitë e vogla. Një nga efektet që patën këto zgjedhje, ishte padyshim nxjerrja jashtë “loje” për formimin e mazhorancave të tyre. Një rol që e kanë luajtur deri para 25 Qershorit. Në këtë mënyrë sistemi politik shqiptar ka hyrë në një logjikë totalisht të ndryshme.

Edhe pse nuk mund t’i fusim të gjitha në një kategori, për shkak të natyrës apo tematikave që përfaqësojnë, një gjë është e sigurt, që populli shqiptar, nuhatja politike e të cilit nuk është për t’u nënvlerësuar, nuk i besoi.

Ndoshta, lënia jashtë koalicioneve i cili me sistemin zgjedhor që kemi aktualisht i favorizonte, mund të jetë një justifikim që qëndron, por një parti politike nuk e bazon asnjëherë suksesin te koalicionet, por te vlerat, kauzat dhe njerëzit që përfaqëson.

Problemi qëndron se parti të tilla janë parti politike personale, të cilat më shumë se kauzat e tyre të gjitha energjitë dhe sforcot i harxhojnë për të siguruar fatin e kryetarit që i drejton. Në shumicën e rasteve, shumë nga këto parti nëse për një arsye apo tjetër kryetari i saj largohet, ato rrezikojnë shkrirje si lëvizje politike. Sa herë që i është dhënë mundësia për të përfaqësuar një kauzë të caktuar politike, gjatë kohës që kanë qenë në qeverisje, vendin e saj e kanë zënë llogari të mirëfillta pushteti.

Ndërsa për sa u përket partive politike që u krijuan rishtazi, LIBRA apo SFIDA, të cilat tentuan të përfaqësojnë pjesën antisistem të politikës shqiptare, udhëheqësit e tyre vinin po ashtu nga sistemi politik. Në këtë kuptim beteja e tyre ishte pak e besueshme. Gjithashtu, në politikë nuk mjafton vetëm një projekt moral, por është e rëndësishme dhe një projekt konkret ekonomik dhe shoqëror. Projekt i cili u mungonte këtyre lëvizjeve politike.

Shqipëria ka komunitete të vogla të cilat kanë nevojë të përfaqësohen, por nëse këto komunitete shihen vetëm si vota dhe jo si një pjesë e shoqërisë e cila ka problematikat e saj specifike, atëherë ato do të drejtohen gjithmonë e më shumë nga forcat e mëdha.

Për të gjitha këto arsye kryetarët e partive politike të vogla, ndihen të rrezikuar për fatin e tyre si asnjëherë më parë. Sezoni i ri politik që pritet të fillojë në shtator, është një sezon i cili do të na paraqesë një sistem politik më të thjeshtëzuar dhe pa ndikimin e partive të vogla.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Asnjë rregullore nuk mund të përjashtojë Kryetarin e Opozitës nga Parlamenti

Nga Ervis Iljazaj Si rrallë ndonjëherë, Kryetari i Opozitës është përjashtuar nga...
Read More