Përse dështuan partitë e vogla?

Nga Ervis Iljazaj

Një nga tiparet e zgjedhjeve të 25 Qershorit është fakti se pati një dështim të plotë elektoral të partive të vogla që historikisht kanë luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e mazhorancave parlamentare. Duke filluar që nga LIBRA e deri te PDIU, e cila në fakt arriti të fitonte tri mandate, por që ato ishin më shumë vota personale të kandidatëve se sa të partisë politike që i përkisnin, patën një rezultat që konfirmoi edhe njëherë që këto lëvizje politike kanë mbijetuar më parë në saje të skemave dhe kontekstit politik se sa përfaqësimit e ideve politike apo vlerave të caktuara të shoqërisë. Në këtë pikëpamje mund të thuhet që këto parti politikë janë amorfe, për shkak se nuk arritën të frymëzonin qytetarë të cilët mund t’i besonin votën.

Ndërsa në krahun tjetër politik, partitë e vogla shpëtuan “nderin” e më së paku kryetarëve të tyre vetëm për arsyen se shumë prej tyre u vendosën nga Lulzim Basha, në shenjë luajaliteti për mbështetjen e protestës, në vende të sigurta në listat për deputet.

Edhe pse nuk mund t’i fusim të gjitha në një kategori, për shkak të natyrës apo tematikave që përfaqësojnë, një gjë është e sigurt, që populli shqiptar, nuhatja politike e të cilit nuk është për t’u nënvlerësuar nuk i besoi.

Në ditët e fundit ka një kontestim të përgjithshëm për shitblerjen e votave nga ana e tyre. Qarkullojnë video apo foto ku denoncohen raste të tilla në dëm të këtyre partive. Megjithatë, kjo nuk është arsyeja e dështimit që patën në këto zgjedhje. Raste të tilla, padyshim që ka patur, por që nuk kanë ndikuar aspak në rezultatin zhgënjyes të tyre.

Ndoshta, lënia jashtë koalicioneve i cili me sistemin zgjedhor që kemi aktualisht i favorizonte, mund të jetë një justifikim që qëndron, por një parti politik nuk e bazon asnjëherë suksesin te koalicione, port e vlerat, kauzat dhe njerëzit që përfaqëson.

Problemi qëndron se parti të tilla janë parti politike personale, të cilat më shumë se kauzat e tyre të gjitha energjitë dhe sforcot i harxhojnë për të siguruar fatin e kryetarit që i drejton. Në shumicën e rasteve, shumë nga këto parti nëse për një arsye apo tjetër kryetari i saj largohet, ato rrezikojnë shkrirje si lëvizje politike. Në këtë kuptim ato organizohen dhe funksionojnë si biznese me aksione private, ku nëse dështon pronari, dështon gjithë biznesi.

Aq më tepër kur, sa herë që i është dhënë mundësia për të përfaqësuar një kauzë të caktuar politike ,gjatë kohës që kanë qenë në qeverisje, vendin e saj e kanë zënë llogari të mirëfillta pushteti.

Për sa i përket partive politike që u formua rishtazi, LIBRA apo SFIDA, të cilat tentuan të përfaqësojnë pjesën antisistem të politikës shqiptare ka një arsye edhe më të thjeshtë të dështimit të tyre.

Si ka mundësi që parti të tilla nuk arritën dot të bindin shoqërinë shqiptare në momentin kur klasa politike shqiptare është kaq e anatemuar dhe e përfolur duke qenë se ato e kishin betejën e tyre kryesore moralin e pastër të politikës?

Fakti është se, edhe këto parti që pretendonin që ishin parti antisistem, udhëheqësit e tyre vinin po ashtu nga sistemi politik. Në këtë kuptim beteja e tyre ishte pak e besueshme. Gjithashtu, në politikë nuk mjafton vetëm një projekt moral, por është e rëndësishme dhe një projekt konkret ekonomik dhe shoqëror. Projekt i cili u mungonte këtyre lëvizjeve politike.

Shqipëria ka komunitete të vogla të cilat kanë nevojë të përfaqësohen, por nëse këto komunitetet shihen vetëm si vota dhe jo si një pjesë e shoqërisë e cila ka problematikat e saj specifike, atëherë ato do të drejtohen gjithmonë e më shumë nga forcat e mëdha.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Uji e koncesionet: Veliaj bën bashkë PS-LSI, konfirmohet bashkëpunimi në pushtetin lokal

Debatet për rritjen e çmimit të ujit dhe loja që u bë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *