Përse i shqetëson LSI partitë e vogla të opozitës?

Nga Ervis Iljazaj

Para disa ditësh Agron Duka mblodhi një tryezë me partitë e vogla opozitare, me përpjekjen për të krijuar një iniciativë politike apo siç e quajti vetë kreu i PPA, një pol të tretë politik. Një nga kauzat kryesore të kësaj lëvizjeje u deklarua të ishte ndryshimi i sistemit zgjedhor.

Ndryshimi i sistemit zgjedhor, ishte kryefjala e Lulzim Bashës në fillim të kësaj legjislature, ndërsa në këto momente duket si një temë e harruar për shkak të zhvillimeve politike.

Në këtë kuptim, partitë e vogla, duke qenë se sistemi aktual nuk i favorizon, ndihen të shqetësuara për fatin politik.

Megjithatë, shqetësimi më i madh i tyre, nuk është thjesht sistemi zgjedhor, të cilin e kanë shprehur hapur si një lloj pakënaqësie ndaj partisë kryesore të opozitës, duke e kthyer këtë kërkesë edhe në një lëvizje konkrete të polit të tretë, por pozicioni i ri që Lëvizja Socialiste për Integrim është duke marrë në radhët e opozitës.

Dukshëm, LSI ka një protagonizëm të theksuar në aksionin opozitar, që me sa duket shqetëson partitë e vogla për rëndësinë e tyre me aleancën e Partisë Demokratike. Jo më kot, dje Dashamir Shehi, i bëri thirrje opozitës për të treguar kujdes në raportet me LSI.

Sepse në një aleancë të mundshme në zgjedhjet e ardhshme PD-LSI, roli për peshën politike që kanë, pothuajse bëhet i panevojshëm për të arritur mazhorancën politike. Për këtë arsye, po del në pah një konflikt midis partive të vogla opozitare dhe LSI.

Në të vërtetë, që nga zgjedhjet e 25 Qershorit, partitë e vogla nuk kanë më të sigurt rolin e tyre në sistemin politik shqiptar, pasi fitorja e vetme e Partisë Socialiste, uli ndjeshëm rëndësinë e tyre në krijimin e mazhorancave politike. Duke filluar që nga LIBRA e deri te PDIU, e cila në fakt arriti të fitonte tri mandate, por që ato ishin më shumë vota personale të kandidatëve se sa të partisë politike që i përkisnin, patën një rezultat që konfirmoi edhe njëherë që këto lëvizje politike kanë mbijetuar më parë në saje të skemave dhe kontekstit politik se sa përfaqësimit e ideve politike apo vlerave të caktuara të shoqërisë. Në këtë pikëpamje mund të thuhet që këto parti politike janë amorfe, për shkak se nuk arritën të frymëzonin qytetarët, të cilët mund t’i besonin votën.

Në këtë kuptim, momenti politik nuk është aspak i favorshëm për parti të tilla dhe këtë gjë, e kanë kuptuar mirë iniciatorët e polit të tretë, duke u përpjekur të rivitalizojnë rolin e tyre brenda sistemit politik. Një rol i cili, po zihet dukshëm nga protagonizmi opozitar i Lëvizjes Socialiste Për Integrim.

Një nga efektet kryesore politike të zgjedhjeve të 25 Qershorit me fitoren e vetme të Partisë Socialiste ishte pikërisht ulja ndjeshëm e rolit të partive të vogla që tradicionalisht kanë luajtur atë të krijimit të mazhorancave.

 Megjithatë, nëse shohim hapësirat të tregut politik, është e qartë që nuk ka vend për një pol të tretë. Nuk ekziston një frakturë shoqërore, e cila të mbështesë një lëvizje të tillë politike. Në këtë kuptim, roli i partive të vogla mbetet ai që ka qenë historikisht, t’i atashohen njërës nga partive të mëdha politike, në këtë rast Partisë Demokratike, nëse vërtet kërkojnë të vazhdojnë të luajnë një rol në mekanizmat politikë.

Në një shoqëri të çimentuar, si ajo shqiptare, elektorati lëviz me një ngadalësi të vogël si askund tjetër. Këtë fenomen e kanë vërtetuar fare mirë rezultatet zgjedhore ndër vite. Prandaj, politika shqiptare do të vazhdojë të ngelet edhe për shumë vite me dy parti kryesore, dhe një të tretë që është LSI, dhe parti të tjera që do të mbështesin ato.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Shqiptarët lexojnë pak?! Tragjedia është se lexojnë më shumë se dje

Nga Klementin Mile Është krijuar ideja se shumica e shqiptarëve nuk lexojnë...
Read More