Përse janë enigmë emrat e ministrave të qeverisë Rama dy?

Nga Ervis Iljazaj

Të Dielën pritet të mblidhet Asambleja e Partisë Socialiste, ku pritet të prezantohet më së paku struktura e qeverisë së re Rama dy. Shumë kanë qenë aludimet mbi emrat e ministrave të rinj që janë lakuar gjatë kësaj kohë që, më shumë se sa lajme verore kanë përbërë kuriozitete. Kredot e emrave të caktuar ulen dhe ngrihen çdo ditë, duke shtuar edhe më shumë spekulimet.

Por, e vërteta është se askush nuk e di se cilët do të jenë bashkëpunëtorët e Ramës në qeverisjen e Shqipërisë dhe kjo ka një arsye përtej vendimit personal të tij. Arsyeja është se në këtë moment Ramës i mungon profili i ministrit politik drejt të cilit duhet të bazohet formimi i një qeverie të re.

Në këtë kuptim, vendimmarrja e orëve të fundit tregon një paqartësi për sa iu përket emrave të ministrave, e cila duhet të ishte gati shumë kohë më parë nëse vërtet brenda ekipit të tij të ngushtë do të kishim profile të kësaj tipologjie.

Deri më tani Rama ka bashkëpunuar me stafin e tij, që vjen që nga koha që ishte Kryetari i Bashkisë të Tiranës ose me njerëz që i ka marrë në bazë të një besimi të pakuptueshëm dhe spontan. Gjithashtu, në stafin e tij të ngushtë dhe të besuar që kanë mbajtur dhe poste ministrore nuk ka ndonjë emër që profesionalisht është ekspert me rëndësi në fushën e tij.

Të gjitha këto arsye bëjnë të vështirë për të dhe emërimin e ministrave të rinj. Sepse sipas logjikës politike, në ato poste duhet të jenë persona që kanë një profil politik të rëndësishëm, gjë të cilën shumë prej emrave të ish-ministrave nuk e kanë dhe, ky është një handikap i madh edhe për vetë Ramën.

Duhet t’iu japim fund ministrave që, në shumicën e tyre në mandatin e kaluar ishin anonimë për sa i përket eksperiencës politike, por, dhe aftësive profesionale në fushën përkatëse. Posti i ministrit kërkon ndërthurjen e këtyre dy elementeve për të përballuar të gjitha sfidat politike dhe ekonomike në të cilat gjendet Shqipëria. Në katër vitet e kaluara është vështirë të pikasësh ndonjë politikë e cila mban emrin e ndonjë ministri të caktuar, me përjashtim të disa rasteve.

Duke qenë se qeverisja e ardhshme është e një ngjyre të vetme politike, emërimi i ministrave pa asnjë rëndësi politike bën që i gjithë Këshilli i Ministrave të jetë një formalitet për sa u përket vendimmarrjeve. Kjo nuk do të thotë ministra rebelë që të jenë kundër politikës së përgjithshme, por ministra të cilët kanë autoritetin e duhur për të vendosur dhe mbajtur qëndrime në të mirë të vendit dhe, jo vetëm si pasojë e orientimeve politike dhe partiake.

Për të gjitha këto arsye emrat e ministrave do të vazhdojnë të jenë enigmë deri në momentin e fundit si pasojë e emërimeve që vijnë si vendimmarrje pa një logjikë politike të strukturuar, por si besueshmëri politike që krijohet në varësi të bindjeve personale.

Megjithatë lajmi i mirë është se Qeveria e re pritet të ketë një strukturë të vogël me një numër të reduktuar në raport me qeverinë e kaluar. Nuk ka aspak kuptim, që Shqipëria, një vend i vogël të ketë një qeveri të madhe, që ndër të tjera shërben vetëm për të krijuar pushtete politike, të cilat rrisin varësinë nga punonjësit publikë dhe, në këtë mënyrë, tendencën për korrupsion.

Shkruar Nga
More from Redaksia

“Oh sa mirë me qenë rom!”

  Nga Blerina Gjoka “Oh sa mirë me qenë shqiptar!”: slogani patriotik...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.