Përse kërkojmë më shumë shtet, kur e dimë që është i korruptuar?!

Nga Ervis Iljazaj

Debatet e ditëve të fundit që kanë plasur në opinionin publik, duke filluar që nga i aktorëve dhe deri tek i pedagogëve, kanë nxjerrë edhe njëherë në pah nevojën e dëshpëruar që ka ende shoqëria shqiptare për shtetin, edhe pse nuk rreshtin asnjëherë duke e akuzuar si të korruptuar dhe abuzues me paratë e taksapaguesve.

Ende vazhdojmë të shpresojmë te mrekullitë që mund të vijnë nga shteti apo nga një politikan profet, i cili do të zgjidhë problemet e shoqërisë dhe e ngarkojmë atë për çdo dështim që mund të ketë në çfarëdo fushe të saj.

Duket si një paradoks i shoqërisë shqiptare, që kur pyetet për politikën apo shtetin shqiptar, nuk lë rast pa përmendur që janë të korruptuar, por sa herë që ekonomia, arti, arsimi gjendet në vështirësi vazhdon dhe kërkon zgjidhje prej tij.

Dhe kjo histori do të vazhdojë edhe për shumë kohë, jo për faktin se këta që na qeverisin sot janë të papërgjegjshëm, por sepse me përkufizim dhe natyrshëm, sa më shumë pushtet t’i japim atij në jetën shoqërore dhe ekonomike, aq më shumë tendenca korruptive dhe abuzimi me të rriten.

Pikërisht ky është problemi i mendësisë së pjesës më të madhe të shoqërisë shqiptare, e cila e trashëguar nga koha e komunizmit kërkon rolin dhe dorën e shtetit kudo, në arsim, në art, në ekonomi dhe kudo tjetër. Në këtë mënyrë, nuk bëjnë gjë tjetër përveçse i japim politikës më shumë kompetenca mbi jetët tona dhe pushteti i tyre sa vjen e rritet duke kontrolluar çdo gjë dhe si pasojë e kësaj, gjasat e abuzimit me të janë të mëdha.

Problemi më i madh që ekziston sot në këtë drejtim, është fakti se, ne kërkojmë një sistem ekonomik, shoqëror dhe kulturor, ku shteti të ketë rolin kryesor. Ky problem nuk zgjidhet duke akuzuar një palë politike si të paaftë apo të korruptuar dhe duke shpresuar që një ditë do të kemi të bëjmë me një qeveri të ndershme që do mendojë për problemet e shoqërisë. Asnjëherë zgjidhja nuk do të jetë kjo, sepse pushteti me përkufizim rrëshqet drejt abuzimit, dhe nëse ndërtojmë një sistem ku shteti është aktori kryesor atëherë dështimi është i sigurt.

Nëse nuk arrijmë të rikonceptojmë nga e para rolin e shtetit në ekonomi, shoqëri, art apo në çdo sektor tjetër, atëherë do të vazhdojmë në mënyrë të dëshpëruar të presim gjatë për zgjidhje nga ana e tij.

Duhet në mënyrë urgjentë të ndryshojmë idenë që kemi për shtetin, në të kundërt do të vazhdojmë të shtojmë pushtetin e politikës, dhe si pasojë, abuzimin me jetët tona.

Duhet që shtetin mos ta shohim më si aktor, por si rregullator, në gjendje të rregullojë dhe të vendosë rregulla në sektorë të ndryshëm, dhe jo t’i ofrojë ato si shërbime, kaq është roli i shteteve moderne sot.

Për shembull, çfarë pune ka shteti me sportin, me artin apo me ndonjë sektor tjetër që sot, kudo në Botë janë futur në logjikën e tregut sipas parimit kosto-përfitim? Ndërsa shoqëria shqiptare vazhdon ende të kërkojë në mënyrë të dëshpëruar shërbime nga shteti si askund tjetër. Dhe, më e keqja është se, vazhdojmë t’i kërkojmë prej tij duke qenë të bindur se pjesë të tëra të tij janë të korruptuar dhe abuzojnë me paratë e taksapaguesve. Zgjidhja është në të kundërt, sa më pak shteti të jetë pjesë dhe të ketë rol në sektor të ndryshëm, aq më efikase bëhen ato. Sa më pak shtet aq më shumë liri për të gjithë ne.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“3 vende skeptike, hapja e negociatave me kusht”

Bullgaria që ka presidencën e BE deri në fund të qershorit foli...
Read More