Përse mungojnë korporatat e mëdha ndërkombëtare në tregun shqiptar?

Nga Ervis Iljazaj

Sipas një raporti të publikuar dje nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës të SHBA (CIA) për Shqipërinë, investimet e huaja kanë pësuar një frenim edhe pse ka patur një rritje ekonomike. Shkaqet sipas këtij raporti janë të njohura për realitetin shqiptar dhe, ky raport vetëm sa i thekson ato. Ato janë sistemi kompleks i taksimit, sistemi gjyqësor, korrupsioni dhe infrastruktura, të cilat bëjnë që të huajt mos ta shohin Shqipërinë si një vend tërheqës për kapitalin e tyre.

Mirëpo, problemi më i madh për sa u përket investimeve të huaja në Shqipëri ka qenë mungesa e përhershme e korporatave ndërkombëtare dhe multinacionaleve në tregun shqiptar. Përgjatë gjithë tranzicionit askush nuk mban mend, me përjashtim të ndonjë rasti të vogël, një logo apo një emër të madh të korporatave të rëndësishme botërore. Të gjitha investimet e huaja, vijnë si pasojë e bizneseve jo të rëndësishme të cilat përfitojnë shpeshherë nga kontesti politik dhe nga paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe pa patur një ndikim ekonomik afatgjatë.

Pothuajse asnjë nga multinacionalet e rëndësishme nuk ka shkelur asnjëherë tokën shqiptare si Nestle, Ikea, McDonalds apo ndonjë tjetër. Meqë jemi dhe në periudhën e turizmit bregdetar, është e udhës të përmendin faktin se asnjë nga operatorët e rëndësishëm turistikë nuk ndodhet në Shqipëri, me gjithë potencialin e saj.

Atëherë si shpjegohet ky fakt?

Sipas të gjitha teorive të ekonomisë ndërkombëtare dy janë faktorët që ndikojnë në investimet e huaja.

I pari është faktori i tregut: dimensioni i tij, kostot, subvencionet, sistemi fiskal dhe një krah pune që më shumë se i lirë kërkohet të jetë i specializuar.

Për të gjithë nga këta faktorë gjithsecili mund të japë mendimin e tij se në çfarë niveli Shqipëria i ofron ato. Ky është një diskutim që kërkon më shumë se sa një editorial gazete.

Ndërsa, për sa i përket faktorit të dytë që ndikon ne tërheqjen e investimeve ndërkombëtare ka të bëjë me kontekstin. Në këtë drejtim janë të rëndësishme cilësia e institucioneve, një administratë publike efikase, sistemi i drejtësisë si dhe korrupsioni.

Andaj, nëse duam që të jemi tërheqës për korporatat ndërkombëtare, të cilat me të vërtet kanë impakt në zhvillimin ekonomik afatgjatë, të gjithë këta indikatorë duhet t’i kemi në nivelet më të larta se çdo vend tjetër fqinj. Në të kundërt, diskutimet mbi investimet e huaja në Shqipëri do të vazhdojnë të jenë pjesë e konsumit politik të përditshëm dhe jo si një strategji makro për t’i tërhequr ato.

Shumë nga këta indikatorë dukshëm Shqipëria i ka në nivele shqetësuese. Mjafton këtu të përmendim sistemin e drejtësisë, efikasitetin e administratës publike apo krahun e punës, të cilin e kemi vetëm të lirë dhe shpeshherë të pakualifikuar për të kuptuar se përse mungojnë investimet e mëdha ndërkombëtare.

Megjithatë ka dhe një faktor tjetër të rëndësishëm i cili pengon korporatat e mëdha ndërkombëtare në tregun shqiptar. Është pengesa që i ka bërë klasa politike e jona sa herë që është afruar një e tillë. Sepse të kesh në tregun ekonomik korporata të rëndësishme ndërkombëtare, për një politikë miope si kjo shqiptare do të thotë të kesh më pak ndikim. Korporatat e mëdha vështirë se mund t’i fusësh nën ndikim e politikës, ashtu sikurse në mënyrë konstante kërkon të bëjë politika etatiste shqiptare.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kontradiksioni i raportit të ministrave teknikë

Nga Ervis Iljazaj Ministrat teknikë dhanë më në fund dorëheqjen duke justifikuar...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *