Përse nuk u zbatuan ligjet e Republikës së Shqipërisë në Bularat!?

Nga Ervis Iljazaj

Autoritetet shqiptare në ngjarjen e djeshme të Bularatit nuk duhet të bënin as më shumë e as më pak, se sa të zbatonin ligjet e Republikës së Shqipërisë.

Në nenin 265 të Kodit Penal shkruhet: Nxitja e urrejtjes dhe e grindjeve raciale, nacionale ose fetare, si dhe përgatitja, përhapja ose ruajtja me qëllim përhapjeje e shkrimeve me përmbajtje të tillë, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

Ndërsa në nenin 266: Vënia në rrezik e paqes publike duke bërë thirrje për urrejtje kundër pjesëve të popullsisë, duke i fyer ose shpifur për to, duke kërkuar përdorimin e dhunës ose të veprimeve arbitrare kundër tyre, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.

Duke lexuar këto nene të Kodit Penal, nuk është nevoja të kesh një diplomë juridiku për të kuptuar se, thirrjet e ekstremistëve grekë në kortezhin mortor të Kacifasit në Bularat, ishin totalisht në kundërshtim me ligjet e Republikës së Shqipërisë. Në këtë kuptim, autoritete shqiptare duhet të veprojnë dhe të procedojnë penalisht të gjitha ata, që nxitën dhunë me slogane racore apo thirrje për vrasjen e një popullsie te caktuar, që në këtë rast ishte ajo shqiptare.

Atëherë përse nuk ishim të aftë që të bënim një gjë kaq normale në territorin sovran të Shqipërisë !?

Dikush mund të justifikojë mosveprimin e autoriteteve ligjzbatuese, për arsye të mos përkeqësimit të situatës, duke qenë se ajo ishte mjaft delikate, dhe do të mjaftonte një incident i vogël për të degraduar në mënyrë të rrezikshme. Ose, mund të mendohet që ne jemi një popull tolerant, ne nuk jemi ekstremistë si shovinistët grekë.

Në fakt, nuk është as njëra dhe as tjetra. Për fat të keq, duhet ta pranojmë se, përballë shfaqjeve raciste kundër popullsisë shqiptare, mu në mes të territorit të Shqipërisë, ishim krejtësisht të pafuqishëm për të evituar skena të tilla.

Tolerimi i një shfaqjeje të tillë, nuk ka të bëjë aspak me kujdesin që treguan autoritetet shqiptare për të mos krijuar incidente. Por, dukshëm shteti shqiptar, është në një pozitë kompleksiteti dhe inferioriteti sa herë që bëhet fjalë për marrëdhëniet me Greqinë.

Ndalimi i një kori të tillë racist, aq më tepër duke përdorur një kortezh mortor, do të duhet të ishte një detyrim normal i autoriteteve. Dhe jo vetëm se kishim të bënim me disa ekstremistë grekë, por, këdo që nxit dhunën, është detyrë e autoriteteve ta procedojë penalisht. Kështu thonë ligjet e Republikës së Shqipërisë. Në këtë kuptim, në mënyrë pothuajse të vetëdijshme, organet ligjzbatuese të Shqipërisë nuk zbatuan ligjet shqiptare, dhe, duke vepruar kështu, treguan se ndonjëherë nuk jemi Sovran në territorin tonë.

Sepse, për hir të së vërtetës ajo e djeshmja në Bularat nuk kishte asgjë të përbashkët me një kortezh mortor dhe respektimin e kodit të vdekjes. Por, ishte qartësisht një tubim me thirrje raciste. Një tubim që, aq më tepër nuk kishte as lejet përkatëse.

Shumëkush e kupton që ajo e djeshmja nuk ishte një kortezh mortor, por një shfaqje e turpshme e racistëve dhe ekstremistëve grekë, që në mënyrë të turpshme shfrytëzuan edhe një rast të tillë për të shpalosur shovinizmat e tyre. Mjafton një incident për të kuptuar që marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë janë ende larg të qenit normale.

Ekstremizmi grek, jo vetëm që i mori jetën Kacifasit, por, dje i mori edhe vdekjen.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Schizma religjioze Kostandinopojë-Moskë, pasojë e përplasjes Rusi-NATO

Nga Pirro Prifti Përçartjet nuk kanë të sosur, dhe me sa duket...
Read More