Përse prorusët në Shqipëri nuk dalin hapur?

Nga Ervis Iljazaj

Dje aktori kosovar Enver Petrovci, ka shkaktuar debate në opinionin publik me një intervistë të dhënë për gazetën serbe Kurir, ku është shprehur se: “Dikur në Beograd jetohej bukur, ndërsa sot Kosova është një diktaturë”. Në këtë mënyrë na kujtoi se ende ekziston nostalgjia e asaj periudhe, dhe nostalgjia është një aspekt i rëndësishëm në jetën e njeriut. Megjithatë, këto qëndrime janë më shumë se sa thjesht një nostalgji.

Po ashtu, në televizionin Ora News, emisioni i gazetarit Kastriot Myftari “Radio Moska”, na risjell edhe njëherë në vëmendje, që për 50 vite me radhë, zëri i Rusisë në Shqipëri, ka qenë një zë i rëndësishëm, edhe pse emri i emisionit është në kuptimin figurativ të tij dhe s’ka të bëjë me atë periudhë.

Të dyja këto elemente më dhanë spunton për të menduar faktin se mendimi prorus, apo ai prosllav në përgjithësi, me siguri duhet të jetë ende prezent në shoqërinë shqiptare. Sepse një shoqëri, e cila ka kaluar rreth 50 vite e ndikuar në çdo qelizë të saj nga doktrina komuniste e përfaqësuar në nivel ndërkombëtar nga Rusia, nuk mund të jetë kthyer brenda një periudhe kohore të shkurtër, e gjitha në proamerikane.

A mos do ishte më e dobishme që të gjitha këto qëndrime, sado pakicë të jenë, të dalin në sipërfaqe për të nxitur debatin publik në interes të Shqipërisë?

Aq më tepër në një moment ku gjeopolitika vazhdon ende të luhet nga dy aktorët kryesorë, Rusia dhe SHBA. Rajonin i Ballkanit, ku bën pjesë vendi ynë, më shumë se çdo rajon tjetër është kthyer në një betejë të ftohtë midis dy superfuqive. Ngjarjet e fundit në disa prej shteteve të këtij rajoni e tregojnë më së miri këtë.

Debati midis prorusëve dhe proamerikanëve nuk është më tabu apo i fshehtë në shumë prej vendeve europiane, duke filluar që nga Greqia, Franca, Italia etj. Të paktën në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare ka një diskutim të hapur dhe debate pafund të strategjive politike që këto vende duhet të ndjekin.

Kam përshtypjen se një diskutim i tillë, do të ishte në dobi edhe të Shqipërisë.

Në radhë të parë, sepse si proamerikan i bindur, mendoj që mendimi prorus, që me shumë mundësi ekziston në Shqipëri, nëse vazhdon të jetë i fshehur, është i rrezikshëm për rrjedhjen e politikës ndërkombëtare të saj. Të gjitha alternativat, politike, doktrinare apo kulturore duhet të përballen në mënyrë të hapur, pa asnjë ngurrim.

Në radhë të dytë, ky debat publik, do të ndihmonte përqendrimin e vendimmarrjes në favor të drejtimit që duhet të marrë Shqipëria, që më siguri do të jenë në drejtim të atij amerikan. Rruga e Shqipërisë drejt institucioneve euroatlantike tanimë është e pakthyeshme. Mirëpo, nëse vazhdohet në këtë mënyrë, rrezikon të devijojë.

Në radhë të tretë, do të shikonim realitetin e vërtetë të shoqërisë shqiptare. Një realitet që nuk është aspak plotësisht properëndimor. Në këtë mënyrë do të mësonim se si të përballeshim me të dhe ta evitonim përhapjen më shumë të tij.

Për të gjitha këto arsye, shoqëria shqiptare duhet t’i japë fund hipokrizisë së saj proamerikane të pakushtëzuar. Ekzistojnë një pjesë e saj që e sheh zgjidhjen nga ana tjetër. Nëse ky debat zhvillohet në vende të rëndësishme europiane, dhe bëhet hapur, atëherë përse mos të ndodhë edhe në Shqipëri?

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Sekretet e largimit të shefit të shërbimit sekret

Pas pesë vitesh në drejtimin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika...
Read More