Përshkallëzohet përplasja PS-LSI, Shalsi kritikon Metën



Eduard ShalsiDuket se nuk ndalet përplasja mes PS dhe LSI.

Pas ish-deputetit Koço Kokëdhima, që deklaroi se Balilët janë njerëz të LSI, ja ku vjen edhe një tjetër kritikë.

Mënyra se si drejtohet senca pelnare, moszbatimi i rregullores së Parlamentit, diskutimet jashtë rendit të ditës dhe gjuha e papërshtatshme që përdoret kanë detyruar deputetin socialist Eduard Shalsi që t’i drejtohet me një letër të hapur kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe gjithë krerëve të grupeve parlamentare.

Në letrën e tij, Shalsi shkruan se ndjen përbuzje me abuzimin dhe të folurit vend e pa vend të individëve të veçantë në foltoren e Parlamentit, por pa i specifikuar ata.

“Duke vërejtur me shumë keqardhje që po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë fakti që ndërsa në rendin e ditës kemi projektligje të caktuara, në seanca parlamentare flitet për gjithçka tjetër përveçse projektligjeve në fjalë”, shkruan deputetit socialist.

Në fund të letrës, ai nuk e fsheh sensin kritik ndaj Metës, kur i kujton atij dhe gjithë krerëve të grupeve parlamentare se rregullorja e Kuvendit e ka të përcaktuar kohën për diskutime të lira, e cila është 60 minuta.

Madje, Shalsi shkon dhe më tej kur propozon që ky minutazh të rritet nëse është e nevojshme, në mënyrë që mos të shkelet rregullorja e procedures parlamentare.

Mund të duket shqetësim i një deputeti, por në ditët kur shkëndijat mes dy partive të koalicionit kanë qenë të forta, reagimi i Shalsit është më shumë një kritikë direkte ndaj kryetarit të Kuvendit, në mungesë këto ditë për shkak të vizitës në Amerikë.

Rikthehet kriza PS-LSI: ‘Xhelili’, ‘aksidenti i 2 fëmijëve’ dhe ‘Balili’

Në një kohë kur kryetari i LSI, Ilir Meta ndodhet në Uashington dhe në Tiranë kanë nisur spekulimet se cili do jetë pozicioni i forcës së tij politikë në zgjedhjet që pritet të zhvillohen pas thuajse një vit, duket se kriza mes PS dhe LSI është rikthyer.

Një deputet i LSI i kërkoi kryeministrit Edi Rama të kërkojë falje për kandidaturën e Shukri Xhelilit si kryebashkiak i Dibrës.

Një tjetër fushë beteje duket se është ajo se pranë cilës forcë politike është më shumë Klement Balili, i etiketuar si Eskobari i Ballkanit.

Ndërsa një pikë tjetër përplasje mes aleatëve ka lidhje me aksidentin e para disa ditëve në Kavajë.

Mediat kanë raportuar se pika e karburantit, e cila u bë shkak që barrierat e rrugës të ishin të hapura, duke sjellë aksidentin, ishte në pronësi të Pilo Kërit, babai i Krislen Kërit, shefit aktual të kabinetit të Ministrit të Transporteve, Edmond Haxhinasto.

Kurse Top Channel raporton se kompania që kishte në pronësi karburantin, kishte marrë me tender edhe mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor.

Si për të shtuar akoma benzinë në zjarr, ditën kur ka nisur mbyllja e kësaj hapësire, deputeti socialist, Erion Vraçe shkruan se “po mbyllet hapësira e krimit, e lënë e tillë nga një interes privat mbështetur në rrugë korruptive!”.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Histori shqiptare përgjimi, dikush u fundos, të tjerë u ngjitën

Si nisi historia e përgjimeve audio dhe video në vendin tonë. Synimi...
Read More