Përveç Kryeprokurorit, opozita ka të drejtë të protestojë për gjithçka


Nga Ervis Iljazaj – 
Opozita shqiptare, që në momentin që u zgjodh Kryeprokurori i përkohshëm, ka paralajmëruar mbajtjen e protestave popullore, duke e kthyer këtë zgjedhje si kauzën kryesore të tyre. Për këtë arsye Lulzim Basha është duke zhvilluar takime me militantët për t’i bindur ata, se tashmë organi i akuzës është në duart e mazhorancës me synim mbylljen e dosjeve të nxehta që shqetësojnë këtë të fundit.

Por, i gjithë organizimi i protestave duket një sforcim i madh për t’i bindur njerëzit që të besojnë tek arsyet e saj. Në të kundërt, nuk shpjegohet fakti i vështirësisë së organizimit të një proteste, që është paralajmëruar këtu e një muaj më parë, dhe ende nuk është e sigurt data që do të mbahet.

Nëse një parti politike thërret në protestë popullin e saj, nuk është nevoja e një organizimi kaq të gjatë për t’i bindur ata ta ndjekin në kauzat e saj. Mjafton që arsyet të jenë të vërteta, të ndjera dhe të prekshme, dhe njerëzit vërshojnë në mënyrë spontane drejt shesheve.

Vështirësia që po has opozita për të zhvilluar një protestë masive, vjen për faktin se, ajo po proteston për të vetmen arsye që nuk duhet ta bënte, dhe po lë jashtë saj arsyet e vërteta për të cilën duhet ta thërriste këtë protestë.

Në radhë të parë, pak besojnë se me Reformën në Drejtësi, kjo e fundit është kapur nga mazhoranca. Duhet ta themi njëherë e mirë, se nga të gjitha gjasat, tashmë organet e drejtësisë dhe sidomos ato të akuzës, janë jashtë ndikimit të politikës. Nuk është më e fshehtë se këto organe janë me ndikim të fortë ndërkombëtar, pas një insistimi pothuajse njëvjeçar të Shteteve të Bashkuara. Në të kundërt nuk shpjegohet vizita e ambasadorit amerikan në zyrën e kryeprokurores së re, e cila është një shenjë e fortë dhe e qartë mbështetjeje për detyrën e saj.

Në radhë të dytë, protestat, zakonisht kanë sukses dhe ndikim vetëm nëse mbahen për hallet e qytetarëve. Zgjedhja e një Kryeprokurori, është një çështje shumë larg tyre, dhe si e tillë, nuk mund të përbëj një arsye për ta, për t’u organizuar dhe protestuar. Nuk është e parë dhe nuk është dëgjuar ndonjëherë, që një protestë të ketë sukses për një detyrë institucionale. Këto çështje, në psikologjinë e masës, janë çështje dhe halle të politikës dhe jo të qytetarëve.

Në këtë kuptim, opozita shqiptare, po thërret një protestë pothuajse amorfe. Ndryshe do të ishte nëse kauza kryesore e protestës do të ishin problemet që shqetësojnë vendin. Dhe, në këtë drejtim, opozita ka të gjitha arsyet për ta bërë një gjë të tillë.

Si ka mundësi që arsyeja kryesore e protestës nuk është gjendja ekonomike në vend?

Si ka mundësi që nuk përbën kauzë kryesore të protestës gjendja e krimit dhe lidhjet e tij me politikën?

Si ka mundësi që opozita shqiptare nuk thërret një protestë për fatin e bujqësisë shqiptare apo problematika të tjera reale që vendi është duke kaluar?

Përse kërkon që suksesin e saj politik ta ndërtojë në një çështje, që është e vetmja që nuk shkakton asnjë frymëzim te qytetarët, dhe mbi të gjitha, është një kauzë e pavërtetë?

Këto janë problematika, që nëse opozita shqiptare i përvetëson dhe krijon alternativë bindëse, është e vetmja mënyrë për të korrur sukses politik.

Për të gjitha këto arsye, jemi në nivelin e një politike, që në rastin më të mirë është amatore, dhe në rastin më të keq manipulatore.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Princesha e Kurorës, Victoria e Suedisë, me veshje sportive për një drekë me djalin, Prince Oscar

Princesha e Kurorës Victoria e Suedisë, Dukeshë e  Västergötland, vajza e madhe...
Read More