Pesë ‘Amazonat’ e UET: Ish-studentet që do të drejtojnë shërbimet ndaj të rinjve

Tashmë kanë kaluar rreth 12 vjet që nga themelimi i Universitetit Europian të Tiranës. Nga një universitet që lindi mes një atmosfere skepticizmi dhe paragjykimi sot UET ka një histori të pasur për të rrëfyer, me mijëra studentë të diplomuar të cilët ecin ballëlartë për atë çka përfaqësojnë. Një histori që ‘bërtet’ se idealet, vizioni dhe puna përkthehen në sukses.

I karakterizuar nga një atmosferë dinamike, me jetë të ‘gjallë’ studentore, me aktivitete të shumta, me prezencën e të ftuarve nga fushave të ndryshme, mundësi punësimi dhe mobiliteti në universitetet më të mira perëndimore, me një staf pedagogjik të përgatitur dhe infrastrukturë që mbulon çdo nevojë, studenti ka të gjitha hapësirat e nevojshme të ndërtojë të ardhmen e tij ashtu siç dëshiron. Një qendër mendimi, debati akademik, politik dhe shoqëror, që ka ‘prodhuar’ jo pak mendimtarë dhe jo pak shembuj suksesi. Të shumtë janë profesionistët që kanë dalë nga dyert e UET. Dihet se një ndër përgjegjësitë kryesore të një universiteti është përgatitja e punonjësve të kualifikuar për tregun e punës, duke ofruar burime njerëzore për institucionet publike dhe sipërmarrjen private. Por njëkohësisht për të, lind detyra e përgatitjes së burimeve të veta njerëzore, pedagogë e staf administrativ. Nëse një universitet ia del me sfidën e përgatitjes së profesionistëve të aftë për veten, ka fituar edhe sfidën me tregun. Në UET rekrutimi i më të mirëve bëhet në bazë të konkurseve dhe përzgjedhjes që kalon në disa faza, por jo pak herë shumë studentë të rinj kanë shansin që të nisin një internship duke fituar edhe një eksperiencë pune.
Në këtë kuadër, një histori frymëzuese është edhe ajo e 5 ish-studenteve të UET të cilat janë sot ndër hallkat më të rëndësishme që përbëjnë stafin e universitetit. Anisa Vasili, Adela Danaj, Besarta Vladi, Elona Shehu dhe Odeta Cacaj. Secila prej tyre këtyre profesionisteve të suksesshme në karrierë, sot drejton një strukturë të caktuar brenda institucionit në të cilin kanë shkelur për herë të parë si studente me ëndrra dhe vullnet për një të ardhme plot dritë dhe dije.
Anisa është Drejtoreshë e Programeve Bachelor, Adela Presidente e UET Alumni, Besarta mban pozicionin e Sekretares së Përgjithshme, ndërkohë që Elona është Shefe Kabineti dhe Odeta Dekane e Studentëve. Disa prej tyre janë pjesë edhe e stafit pedagogjik, jo vetëm atij administrativ. Sot ata të cilët kanë qenë pedagogë për to, janë kolegë. Rrugëtimi drejt suksesit është i ndryshëm për secilën por rastet i bashkon dëshira për dije, vullneti për punë dhe aftësia për të parë mundësitë atje ku të tjerët nuk mundën.
Besarta i përket brezit të parë të të diplomuarve në UET. Ajo sot kujton se si guximi i saj për të besuar në një universitet i cili sapo kish çelur dyert për studentët e tij, ishte vendimtar për të krijuar këtë të tashme që ka. Ndërkohë që një tjetër histori guximi është edhe ajo e Adelës, që vendosi të kthejë tërësisht drejtimin që kish përcaktuar për veten si fillim. Kalimi i saj nga mjekësia në shkenca politike përbën një rast mjaft interesant ku një individ vendos të ndjekë ëndrrat dhe pasionet e tij. Anisa nga ana tjetër e ka nisur rrugëtimin e saj në UET me besim të plotë dhe iniciativa për të punuar që në vitet e para të shkollës sot shpërblehet me një karrierë të qëndrueshme brenda universitetit ku ka studiuar. Historia e Odetës, presidentes së parë femër të Qeverisë Studentore në UET, është po ashtu interesante. Ajo u kthye nga Italia, me bindje të plotë se studimet e larta do t’i ndiqte vetëm në UET. Ndërkohë që Elona tregon se si vendimin e saj ‘instiktiv’ për të zgjedhur UET, sot e vlerëson si vendimin më të mirë që mund të merrte…

Adela Danaj: Studimet në UET, ishin hapi i parë drejt një rruge që nuk ka më kthim pas

“Dëgjoja oshtimën e hapave të mi në korridoret e universitetit dhe kuptova se unë i përkas këtij vendi”, kështu e përshkruan ajo ditën e parë kur erdhi në auditorët e Universitetit Europian të Tiranës në vitin 2011.
Adela Danaj kishte vendosur të niste një rrugëtim të ri, plot me të panjohura për të, e shoqëruar nga pasioni dhe entuziazmi për të mësuar sa më shumë dhe sa më shpejt. Pas përfundimit të studimeve në degën e stomatologjisë dhe pas rreth 3 vitesh punë në këtë profesion, Adela ndërmori hapin e guximshëm për të ndjekur ëndrrat e saj. Zgjodhi të rifillojë nga zero, të studiojë për një degë krejt larg mjekësisë, Shkenca Politike.
“Unë isha një nxënëse ekselence në gjimnaz dhe kur erdhi momenti për të zgjedhur shkollën bëra një zgjidhje pak pragmatiste duke menduar për tregun e punës, ndaj studiova mjekësi. Por më vonë kur punoja si stomatologe kuptova se, më mungonte shumë socializimi me njerëzit, debatet, shkëmbimi i ideve… Pas një reflektimi të gjatë vendosa të bëj një ndryshim rrënjësor të jetës sime nga pikëpamja profesionale dhe njerëzore”.
Shumë shpejt Adela e gjeti veten në një mjedis krejt ndryshe nga ai me të cilin ishte mësuar më parë. Entuziazmi, komunikimi, energjia, pasioni, rezultatet e larta akademike si dhe aktivizimi në jetën studentore të UET, e bënë atë dallohej ndër studentë të tjerë. Në vitin e dytë të shkollës, Adela u përfshi në një projekt internshipi të studentëve brenda universitetit, pranë zyrës së projekteve dhe kërkimit shkencor në UET, ku siç kujton, e nisi duke bërë fotokopjet dhe në fund arriti të dilte me një eksperiencë pune që i dha guxim për të ecur më tej. Pas përfundimit të studimeve në UET, Adela vendosi të sfidojë veten sërish, këtë herë me studime Master në CEU, një universitet prestigjioz në Budapest, Hungari, sidomos në profilin e Shkencave Politike, ku iu akordua dhe një bursë ekselence.
“Studimet në UET, ishin hapi i parë drejt një rruge që nuk ka më kthim pas. Pas përfundimit të ciklit Bachelor, në fushën e shkencave politike, profesorë të mi, të cilëve u jam shumë mirënjohëse më këshilluan të shihja diçka tjetër përtej kufijve. Më prezantuan me programet dhe universitetet lider sot, në fushën e shkencave politike dhe më inkurajuan të aplikoj për të qenë sa më shpejt pjesë e këtyre strukturave të reja, të cilat deri në atë kohë i kisha me të dëgjuar e jo të jetuar”, tregon ajo.
Pas diplomimit u përzgjodh si imazh promovues për CEU. Sot Adela është rikthyer në UET si presidente e UET Alumni, si asistente pedagoge në Fakultetin e Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe si pjesë e Zyrës së Këshillimit dhe Karrierës.

Besarta Vladi: UET më ka përgatitur për çdo terren, sado i vështirë dhe ambicioz të jetë ai

Besarta Vladi është një nga studentët e parë që i besuan Universitetit Europian të Tiranës të ardhmen e tyre. Duke sfiduar dilemat, dyshimet dhe pasiguritë që shpesh karakterizojnë lindjen e diçkaje të re, ajo zgjodhi të investojë në dije pikërisht në një universitetin e sapokrijuar UET, dhe sot mund të shohë fare mirë ‘frytet’ e guximit të saj.
“Më kujtohet dita e parë kur erdha në UET. Është një ditë shumë e rëndësishme për mua sepse është dita që ka bërë kthesën e madhe në jetën time. Ata ditë ecja si në ajër deri te porta e UET. Sapo kisha marrë lajmin se kisha fituar një bursë ekselence në këtë universitet…”, tregon Besarta.
Një nxënëse e shkëlqyer, e cila gjeti të gjithë hapësirën e nevojshme në UET për të treguar talentin dhe potencialin e saj. Aftësitë e saj u shpalosën mjaft mirë jo vetëm në Shqipëri por edhe në një nga universitetet më të mira angleze.
“Në kuadër të një marrëveshjeje të UET me Aston University në Angli, kam patur fatin të jem studentja e parë e UET që kam zhvilluar një semestër të studimeve të Masterit jashtë vendit. Ka qenë një përvojë e shkëlqyer për të njohur dhe testuar veten dhe dijet që kisha akumuluar gjatë viteve të studimit në Shqipëri…Aty kuptova më së miri që UET më kishte përgatitur për çdo terren, sado i vështirë dhe ambicioz të ishte ai…”.
Krahas kësaj eksperience në Aston University, Besarta ka patur mundësinë të ndjekë një Program Ekzekutiv në Universitetin e Harvardit. Ndërkohë ajo sot është pedagoge pranë Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit dhe, gjithashtu, mban pozicionin e Sekretares së  Përgjithshme të UET.
“Jam ‘brumosur’ në një institucion me shumë standarde, rregulla dhe proceduara të mirëpërcaktuara dhe kjo shpesh më bën të jem shumë kritike ndaj institucioneve që shfaqin mangësi në këta komponentë. Kjo mbase është një prej arsyeve kryesore se përse nuk e mendoj largimin afatgjatë apo të përhershëm nga ky institucion. Ndërkohë për sa i përket mësimdhënies, kam një raport shumë të veçantë me studentët e mi. Jam munduar të ruaj dhe të reflektoj në raportin tim me ta, tiparet dhe sjelljet më të mira të pedagogëve të mi, të kohës kur unë vetë isha studente… dhe kjo me ka rezultuar një strategji e mirë të paktën deri tani”, tregon Besarta.

Odeta Cacaj: Të studiosh në UET do të thotë të bëhesh pjesë e një familjeje të madhe

Pas shumë vitesh qëndrimi në Itali, ajo vendosi të rikthehet në Shqipëri dhe zgjodhi të studiojë pikërisht në Universitetin Europian të Tiranës, për degën Psikologji. Kjo është historia e Odeta Cacaj, e cila sot është Dekane e Studentëve dhe njëkohësisht asistent-pedagoge në UET.
Natyra e saj energjike dhe e motivuar, ka bërë që jeta e saj studentore në UET të jetë e karakterizuar nga aktivizimi në aktivitete të ndryshme si dhe ndërmarrja e iniciativave të shumta. Odeta ka qenë Presidentja e parë e Qeverisë studentore në UET ndërkohë që është shpallur dy herë studentja më e mirë e Fakultetit të dikurshëm të Shkencave Sociale dhe Edukimit, në ciklin Bachelor dhe atë Master.
“Unë kisha jetuar prej shumë vitesh në Itali dhe kur vendosa të rikthehem në Shqipëri isha e vendosur t’i ndiqja studimet e larta për Psikologji në Universitetin Europian të Tiranës pasi kisha dëgjuar vlerësime shumë pozitive për të. Vitet e studimit në UET kanë qenë një eksperiencë shumë e bukur. Të studiosh në UET do të thotë të bëhesh pjesë e një familjeje të madhe. Jeta ime studentore ka qenë e larmishme dhe e pasur nga ana akademike, marrëdhënieve sociale dhe shpirtërore. Tashmë unë jam pjesë dhe produkt i UET, i cili më ka shoqëruar, mbështetur dhe udhëhequr në arritjet e mia akademike”.
Dikur studente, tanimë suporti kryesor për studentët… Vitet kanë kaluar dhe Odeta është tashmë një profesioniste. Ajo thotë se aktivizimi i saj i hershëm në jetën studentore të UET, shfrytëzimi i mundësive të shumta brenda institucionit por edhe jashtë tij, kanë ndikuar shumë në formimin e karrierës së saj, ndaj u sugjeron të gjithë studentëve të jenë të vëmendshëm ndaj mundësive të shumta që universiteti ofron.
“Rezultatet e larta janë një faktor shumë i rëndësishëm që përcakton të ardhmen e një studenti por një aspekt që nuk duhet anashkaluar është pikërisht jeta studentore. UET ofron mundësi të shumta për aktivizim me anë të klubeve studentore, me anë të internshipeve apo programeve të shkëmbimit studentor, me anë të organizimeve ku sjell të ftuar figura të rëndësishme të fushave të ndryshme etj. Të gjitha këto janë mundësi që i ofrohen studentit në mënyrë që ai jo vetëm të përmirësojë aftësitë e tij ndërpersonale apo të përfitojë më tepër njohuri mbi profesionin, por edhe të tregojë se çfarë është i aftë të bëjë”, thotë Dekania e Studentëve.

Anisa Vasili: Mundësitë në UET për studentët janë të shumta

Anisa Vasili erdhi për herë të parë në UET në vitin 2009. Si shumë maturantë ishte në dilemë se çfarë universiteti të zgjidhte. Pasi u këshillua dhe konsultua me shumë universitete zgjodhi të ndjekë studimet e larta në UET për degën Financë-Bankë.
“Isha në dilemë se çfarë universiteti të zgjidhja. Pasi u informova mirë rreth mundësive që më ofroheshin vendosa të studioja në UET dhe i besova ëndrrës që doja të ndiqja, duke u regjistruar në degën Financë-Bankë”, tregon Anisa.
Ajo tregon se gjatë studimeve të saj, në vit të tretë fitoi mundësinë për të ndjekur një internship pranë Departamentit të Financës.
“Në vitin e tretë të studimeve, fitova mundësinë për t’u bërë pjesë e një internshipi pranë Departamentit të Financës, në pozicionin e asistent-koordinatores, për një periudhë kohore 6 muaj. Më pas vendosa të ndjek studimet Master, sërish në degën Financë-Bankë, profili Ekonomi. Gjatë kohës së studimeve u punësova te Zyra e Kontratave fillimisht si asistente e më pas si specialiste senior”, shprehet Anisa, e cila më pas mori pozicionin e Përgjegjëses së Zyrës.
Ajo që filloi si një praktikë pune u kthye shpejt në një mundësi të artë për Anisën, e cila diti ta shfrytëzojë më së miri. Sot, është Drejtoreshë e Programeve Bachelor në UET.
“Të gjithë studentët të cilët kanë dëshirë të mësojnë dhe të punojnë në UET i kanë dyert e hapura. Mundësitë janë të shumta, duhet vetëm dëshirë për të përfituar sa më shumë prej tyre dhe vullnet për të dhënë më të mirën prej vetes”, thotë ajo.

Elona Shehu: UET është një laborator idesh ku secili gjen hapësirën e tij për t’u zhvilluar profesionalisht

Elona Shehu është Shefe e Kabinetit në UET. Ajo ka ardhur si studente pranë këtij universiteti në vitin 2007 dhe ka studiuar 5 vite, për degën Financë-Bankë. Elona më pas ka vijuar studimet e saj në Vrije Universiteit Amsterdam, i cili është listuar si një nga 100 universitetet më të mira në botë në fushën e ekonomisë dhe biznesit. Ajo tregon se vendimin për t’u bërë pjesë e UET e ka marrë krejt nga instinkti.
“Kur njeriu është 18 vjeç, ka pak gjasa që të bëjë zgjedhje racionale… Unë zgjodha UET në mënyrë krejt jo-racionale. Momentin e parë që kam shkelur në këtë universitet, u afeksionova me auditorët, lektorët e çdo gjë tjetër. Vetëm 5 vite më vonë kuptova që kisha bërë zgjedhjen e duhur, që kisha zgjedhur të mbaja ‘markën akademike’ të UET në CV time. Ndoshta fati më çoi në vendin e duhur, në kohën e duhur!”.
Kështu e nisi rrugëtimin e saj, për të kaluar nga stadi i studentit, në stadin e një profesionisti të mirëformuar.
“Periudha që kam kaluar si studente në UET ka qenë një nga periudhat më të bukura të jetës sime. E kujtoj çdo moment aty, me buzëqeshje: orët e gjata e të pafundme të studimit në bibliotekën e vjetër që atëherë ishte në katin e dytë, tensionin e provimeve, presionin pozitiv dhe frymëzues të pedagogëve që duhet të ishim më të mirët, zënkat dhe festat me miqtë.. Unë jam rritur në këta auditorë, jam bërë më e fortë, më profesioniste…jam bërë kjo që jam sot! Kur u ktheva nga studimet në Amsterdam, m’u ofruan disa mundësi shumë të mira punësimi, por në mendjen time objektivi ishte shumë i qartë, UET; por kësaj radhe në krahun tjetër të auditorit. Fillova si asistent-lektore në UET, dhe u doktorova 4 vite më pas. Kohë kjo gjatë së cilës u angazhova si Drejtore Kabineti. Gjatë këtij rrugëtimi kam dëshmuar krah për krah me stafin e UET momentet më të rëndësishme historike të universitetit, akreditimin britanik, inaugurimin e dekadës së parë e deri tek UET Polivalent me zgjerimin e institucionit në 75 programe studimi”, rrëfen Elona.
Ajo thotë se në universitetin ku dikur ka studiuar dhe tani punon mundësitë janë pafund: “Metaforat dhe narracionet hiperbolizuese nuk janë pjesë e fortë e imja, por një gjë di ta them me siguri, UET është një laborator idesh ku secili gjen hapësirën e tij për t’u zhvilluar profesionalisht. Nëse jeni të zotët dhe keni vullnet kjo hapësirë nesër do jetë karriera juaj e sigurt!”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Hipertensioni: Meshkujt më të rrezikuar, shenjat që zbulojnë sëmundjen

Një shqiptar ka gati dyfish shanse të vdesë prej sëmundjeve kardiovaskulare se...
Read More