Pesë çështje që duhet të zgjidhë Partia Demokratike përtej Statutit

Nga Ervis Iljazaj

Kuvendi i Partisë Demokratike shkaktoi debate të mëdha në opinionin publik shqiptar. Jo vetëm për faktin e hartimit të një Statuti të ri, por për efektin politik që ai pati, ose më saktë për efektet që priteshin, si brenda saj dhe jashtë saj. U diskutua shumë për Statutin, i cili, për hir të së vërtetës, nuk është aspak problemi i Partisë Demokratike. Kuvendi duhet të shfrytëzohej për të krijuar një moment të ri politik, një shtysë plus në funksion të qëllimit të ardhjes në pushtet, gjë e cila nuk ndodhi. Në këtë kuptim, Kuvendi ishte një lloj autizmi politik. Në të vërtetë nga opozita pritet që të flasë elektorati i gjerë shqiptar dhe jo vetëm anëtarësia e saj, ashtu sikurse ndodhi.

Prandaj, problemet e Partisë Demokratike dhe çështjet që ajo duhet të zgjidhë për t’iu propozuar shqiptarëve si forcë qeverisëse janë çështje përtej Statutit.

Së pari, duhet t’i rikthehet edhe njëherë, ashtu sikurse bëri që në fillim të legjislaturës, reformës zgjedhore. Në këtë mënyrë, do të ketë më të qartë se në çfarë terreni do të zhvillohet gara elektorale dhe nëpërmjet çfarë instrumenti. Në këtë mënyrë strategjia politike e saj do të jetë e qartë që tani, dhe çdo veprim do të kthehet në funksion të kësaj strategjie.

Së dyti, Lulzim Basha, duhet të bëjë të qartë ekipin dhe bashkëpunëtorët e tij. Gjendja aktuale e Partisë Demokratike është në një moment kur, trashëgimia e Sali Berishës dhe lidershipi i ri, kanë krijuar brenda saj një paqartësi për sa iu përket figurave kryesore të partisë, figura të cilat potencialisht do të na qeverisin nesër. Kështu do të forcohej lidershipi i Bashës, dhe do të krijohej fryma e alternativës. Sepse që opozita të vijë në pushtet ka nevojë të padiskutueshme për qartësinë e lidershipit dhe ekipit të tij.

Së treti, Partia Demokratike duhet të qartësojë aleancat e saj. Në radhë të parë raportin me LSI, raport i cili ka shkaktuar debate edhe në radhët e militantëve të saj. Basha duhet t’iu bëjë të qartë shqiptarëve nëse kjo aleancë do të jetë bashkë në zgjedhjet e ardhshme apo jo. Është një mënyrë kjo, për të krijuar alternativën qeverisëse, gjë e cila mungon deri më tani.

Së katërti, Partia Demokratike duhet të ketë më të qartë diskursin e saj publik. Në këto momente duket një diskurs kaotik, me premtime të cilat janë kontradiktore me njëra-tjetrën. Në këtë mënyrë profili i saj ideologjik nuk është aspak i besueshëm. PD, duhet të kthehet në mënyrë të menjëhershme te vlerat e një partie të djathtë europiane, të cilat bazohen te liria, individi, konkurrencat dhe ekonomia e tregut. Shpeshherë diskursi i saj ngatërrohet me majtizma dhe premtime sociale që do i kishte zili dhe çdo parti socialiste në Europë.

Së pesti, opozita ka nevojë urgjente të rigjejë komunikimin me ndërkombëtarët, sepse në momentin që po flasim komunikimi me ta është në nivele më të këqija se kurrë. Çdo ditë ka një kauzë nga opozita kundrejt përfaqësive të SHBA-ve dhe BE-së. Misionet amerikane dhe europiane kanë një rol thelbësor në opinionin publik. Ndër të tjera, gëzojnë një besueshmëri te shqiptarët. Pa rigjetur marrëdhëniet me ta, opozita krijon në këtë mënyrë dy palë politike, mazhorancën dhe ndërkombëtarët, gjë e cila vështirëson ngjitjen e saj në qeverisje.

Nëse opozita, nuk krijon një alternativë të qartë me të gjithë këta hapa të domosdoshëm, do ta ketë shumë vështirë të fitojë zgjedhjet e ardhshme, edhe në një moment kur qeverisja aktuale nuk është në ditët e saj më të mira. Në të kundërt, do të ngelet një forcë politike denoncuese e skandaleve të radhës dhe nuk do të ngrihet asnjëherë në nivelin e një forcë që është gati për të qeverisur vendin.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ikja e të korruptuarve – kushti për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Nga Spartak Ngjela Të korruptuarit duhet të ikin - kjo është kërkesa...
Read More