Petrit Ymeri: Si e ngrita politikën e “Diturisë”

Petrit YmeriFlet Petrit Ymeri, në 15 vjetorin e themelimit të shtëpisë botuese; politikat, miqtë dhe përballja me tregun e librit në Shqipëri 

Dituria është ndër të parat shtëpi botuese që i është përgjigjur tregut të librit me një profil etik, që e ruan ende sot. A mund të na thoni si u lidhet me librin, e konkretisht me idenë e themelimit të këtij enti?

Mua më duket që kam qenë tërë i jetën i lidhur me librin, që fëmijë, e mbaj mend që lexoja shumë, pra një raport dashurie me librin që nuk do të më kalojë kurrë. Dikur si lexues, më pas si student e mësues i letërsisë e më tej botues profesionist më shumë se 30 vite. Që në vitet ’80 kam punuar si redaktor dhe më pas përgjegjës redaksie në shtëpinë botuese “8 Nëntori” duke bashkëpunuar për një kohë të gjatë me organet letrare në vendin tonë, në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe për disa vite kam qenë pedagog i letërsisë së huaj në Universitetin e Tiranës. Pra ka qenë një raport i konsoliduar me librin dhe leximin në përgjithësi. Fillimi i viteve ’90 përkon me ndryshimet e mëdha që ndodhën në Shqipëri dhe në këtë atmosferë edhe vendosëm të bëjmë një kapërcim të madh, duke hapur një shtëpi botuese, në të cilën jo vetëm do të realizonim ëndrrat tona për autorë dhe tituj që deri dje nuk i botonim dot, por edhe do të kishim mundësi të çelnim rrugë ndërkombëtare sidomos në prurjen e vlerave nga më të mirat e letërsisë së huaj. Pra ishte pranvera e vitit 1991 atëherë kur siç përmenda për Shqipërinë po fillonte një rrugë e re me sfida të reja ku DITURIA nisi të gjitha hapat e saj të parë e ndjekur që në fillim nga përkrahja e lexuesit. Kujtoj shumë detaje të atyre javëve, muajve, viteve të parë, ndoshta edhe më shumë se ç’kujtoj  gjëra të ndodhura më pas, sepse ishin shumë intensive, dinamike dhe interesante, por edhe mjaft të vështira.

Ka qenë e vështirë mbijetesa në këto vite, jetë botimi, cilat kanë qenë sfidat?

Sigurisht nuk ka qenë e lehtë, së pari sepse situata në vitin 1991 ishte e vështirë, mungonin shumë gjëra. Njerëzit ishin të shqetësuar, shumica kërkonin rrugë të reja mbijetese, për t’iu përshtatur një shoqërie të re që po lindte. Ndërkaq, dalëngadalë shtëpitë botuese shtetërore po atrofizoheshin. Kujtoj që në ‘91-‘92 ishte e vështirë të gjeje letër shtypi, dhe bridhnim nëpër magazina, depo, institucione të ndryshme për ta gjetur, pavarësisht nga cilësia. Libraritë ishin pothuaj bosh, filluan të tjetërsoheshin apo të mbylleshin. Sigurisht na mungonte edhe përvoja e krijimit të një raporti të librit me tregun privat, mungonte legjislacioni, praktikat e duhura në kushtet e reja, merrnim me mend përafërsisht por nuk dinim të bënim asnjë kontratë, na mungonte informacioni dhe dija për të bashkëpunuar me tregun e huaj të librit, informacioni që kishim mbi botimet jashtë vendit ishte shumë i kufizuar (në atë kohë akoma nuk flitej për lidhje përmes internetit) pra duhet të gjenim burime pune, të gjenim mbështetje e forma të reja organizimi të botimeve. E nisëm punën me vepra të autorëve shqiptarë, kujtoj disa libra të Odhise Grillos, romanin e Fatos Kongolit “I humburi”, që u bë shumë i njohur dhe i dashur për lexuesin. Më kujtohet që në fund të vitit 1991 u hap një ekspozitë e librit gjerman në Shqipëri dhe si për fat (do ta quaja) u organizua nga shoqata e botuesve gjermanë, z. Armin Jetter, që na hapi një dritare dhe na foli për gjërat kryesore të veprimtarisë private botuese. Ai organizoi pjesëmarrjen shqiptare në Panairin e Librit të Frankfurtit në tetor 1992. Më pas, radhazi, morëm pjesë në panairet e librit për fëmijë në Bolonjë, në sallonin e Parisit, dhe këto na mësuan shumë se si punohej me kontrata, se si merreshin e kërkoheshin të drejtat e botimit. Pak a shumë në këtë periudhë patëm bashkëpunimet e para me Qendrën Amerikane të Kulturës (që organizoi kualifikime të ndryshme, po ashtu edhe një udhëtim kualifikimi një mujor në SHBA, me një grup njerëzish të letrave, ishte për mua një leksion i vërtetë jo vetëm profesional por edhe për demokracinë dhe fjalën e lirë, më vonë u hap fondacioni “Soros” që kishte një sektor për botimet. Pra, dalëngadalë duke punuar e duke u kualifikuar, duke shtuar numrin e botimeve, të bashkëpunimeve dhe kontakteve me jashtë, punët tona u intensifikuan. Pra filluam ta ndienim veten profesionistë të vërtetë në tregun e librit. Dhe pas kaq vitesh mendoj që një nga themelet e suksesit tonë është pikërisht në ato vite ku u orientuam të punonim duke respektuar rregullat e botimeve, në radhë të parë të drejtën e autorit, respektimi i të cilit të jep respektin për tjetrin dhe për veten.

Dituria ka një imazh të njohur, apo ekskluzivitet të përkthimit, duke garantuar librin. A keni qenë i detyruar në këtë zgjedhje, apo është çështje profesionale, pozicionimi në treg?

Sigurisht që Dituria është përpjekur të krijojë një imazh profesional dhe të besueshëm për librat që boton, për autorët, duke i zgjedhur ato me kritere profesionale, nga cilësia e kritere të tjera gjë që kanë konsoliduar nga viti në vit besimin tek lexuesi. Pra kjo është edhe çështje parapëlqimi, siç mund të jetë për të tjerët një opsion tjetër, ne jemi kujdesur në radhë të parë të sjellim letërsi të mirë dhe gjithmonë kemi qenë të bindur që jetëgjatësia edhe në profesionin tonë do mbështetej në cilësinë e punës dhe të veprave që do i jepnim lexuesit dhe për këtë nuk kemi bërë kurrë lëshime. Po ashtu respekti ndaj rregullave dhe ligjeve të domosdoshme edhe në këtë fushë, që ne zgjodhëm me dëshirën tonë. Pastaj raportet me lexuesin, me tregun kanë qenë gjithmonë raporte mirëbesimi, profesionalizmi, por duke u përpjekur gjithmonë t’i japim lexuesit më të mirën që nga librat, përkthyesit, autorët, cilësia e shtypit. Këto e kanë bërë emrin tonë tonë të besueshëm e të sigurt për lexuesit, por edhe për profesionistët e sektorit me të cilët punojmë nëpër botë.

Si ka ardhur lidhja, kontratat me autorët e huaj, thjesht çështje biznesi ka qenë?

Fola pak më lart për këtë pyetje. Ka qenë një prej hapave tonë kryesorë që gjithmonë të punojmë me kontrata të rregullta me autorët vendas apo të huaj. Kontratat sigurisht janë shenjë e biznesit, por ato konfirmojnë dhe respektojnë pronën intelektuale, rregullat, ligjet. Pra kemi punuar gjithmonë me kontrata edhe me shtëpi botuese apo agjencitë letrare dhe natyrisht duke punuar kështu i kemi pasur rrugët e hapura.

Si ka funksionuar redaksia e botimit?

Unë e kam filluar punën me Shtëpinë Botuese DITURIA pas një përvoje relativisht të gjatë në një shtëpi botuese shtetërore. E dija mekanizmin, hallkat e punës botuese. Leximi i librit, vlerësimi, recensa, redaktimi, korrektura, paraqitja grafike, kopertina, pra ishin elemente të punës botuese që unë i dija shumë mirë qoftë si redaktor apo përgjegjës redaksie. Pra kjo ka qenë një nga pikat e forta të suksesit të punës sonë. Ishte një fat që edhe ime shoqe, Mariana, punonte në një institucion akademik ku merrej edhe me botimin e një reviste gjuhësore. Dy përvoja në një!

Dhe jemi përpjekur edhe në kushte të reja të kemi një rregullsi të tillë, të respektojmë hallkat e punës botuese për t’ia dhënë librin lexuesit me një cilësi sa më të mirë. Pra kjo është redaksia. Dhe pa dyshim edhe sot e kësaj dite mendoj që organizimi i punës në këtë mënyrë është i domosdoshëm për veprimtarinë botuese.

Cilët janë miqtë e Diturisë?

Miqtë e DITURISË janë të shumtë, janë autorët, përkthyesit, piktorët,  janë të gjithë në kuptimin profesional, janë të gjithë ata njerëz që kanë punuar me ne këtë çerek shekulli, punonjës efektivë të shtëpisë botuese apo bashkëpunëtorë të jashtëm që janë të shumtë dhe kanë punuar pa u lodhur, me vëmendje, me cilësi  për të dhënë më të mirën për Shtëpinë Botuese DITURIA, për të dhënë më të mirën për librin dhe për lexuesin.

Ndër miqtë tanë janë pa dyshim shumë shokë, bashkëpunëtorë me të cilët ne jemi këshilluar për gjëra të ndryshme të vogla të mëdha, për autorë, për hartimin e planit të botimeve e kështu me radhë. Miqtë e DITURISË kanë qenë edhe bashkëpunëtorët e shtypshkronjave me të cilët në ditë të vështira dhe të këqija kemi punuar pa u lodhur për afatet, për cilësinë e detaje nga më të ndryshme që ka puna botuese. Por miku më i rëndësishëm i DITURISË është lexuesi, i cili ka qenë si të thuash figura kryesore në punën tonë dhe ka qenë gjithmonë besnik ndaj botimeve tona.

Si arrin një botues të ndërtojë marrëdhëniet me autorët?

Së pari, këto duhet të jenë marrëdhënie besimi reciprok, të cilën unë e kam gjithmonë të konsoliduar me anë të një kontrate dhe këtë e quaj një nga pikat më të forta të punës sime, me anë të cilës u kam shpëtuar konflikteve të mundshme. Kur flasim për autorin, kemi parasysh autorin vendas dhe atë të huaj, që janë po ashtu shumë të rëndësishëm, qoftë një autor pak i njohur, i panjohur ose jashtëzakonisht i njohur, pra i famshëm. Ne kemi pasur punë me të gjithë këto kategori që përmenda. Me shumë prej tyre kemi pasur mundësi takimi , me shumë të tjerë jo, por kemi komunikuar me fakse vitet e para, tashmë me emaile me telefona, pra në këtë jetë dinamikë i kemi përdorur të gjitha mjetet e komunikimit. Sigurisht të dyja palët kanë qenë të interesuara të kenë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin dhe kjo pa dyshim i ka bërë mirë punës sonë. Kujtoj një ndër autorët shqiptarë shumë të dashur për ne që nga Odise Grillo, Jorgo Bulo, Fatos Kongoli, Nasho Jorgaqi, Ali Xhiku etj. Dhe deri te më të famshmit me përmasa botërore Umberto Eco, Milan Kundera, J. K Roëling, Zafon, Vassilis Vassilikos e dhjetëra e dhjetëra të tjerë, veprat e të cilëve ne ua kemi dhënë lexuesve. Por për ta mbyllur këtë pikë, gjëja më e rëndësishme është besimi reciprok, respekti reciprok ndaj autorit dhe veprës së tij.

Keni një memorie, cilët kanë autorët e parë, si janë pritur nga lexuesit?

Ndër autorët e parë shqiptarë kanë qenë Odhise Grillo e Fatos Kongoli, të cilët janë pritur shumë mirë nga lexuesit dhe ne i kemi botuar në fillim të viteve ‘90 me tirazhe të konsiderueshme nga 10 deri 20-25 mijë kopje.  Pra  janë pritur shumë mirë nga lexuesi.  Pastaj në rrugën tonë të gjatë ne kemi autorë  pafund të cilët kemi botuar nga 5, 6 deri në 10 tituj, ku përmendim Econ, Roëlingun, Zafonin, Camillerin etj.

Ka ndonjër rekord “Dituria”, sa i takon bestsellerit?

Po, sigurisht që kemi një rekord. Pa dyshim libri “Tre shokët” i Remarkut duhet të jetë një rekord me shumë shitje e ribotime, nuk besoj të ketë autor tjetër më të shitur sesa Remarku i përkthyer nga Robert Shvarc; po ashtu seria e Harry Potterit, pra ka rekorde pafund, pra i afrohemi rreth 100 000 kopje të shitura. Pa hyrë tek librat për fëmijë” librat me ilustrime të Odhise Grillos shiteshin dikur me nga 10-25 000 kopje. Seritë me përralla të ilustruara gjithashtu.

Ju shpesh jeni përfaqësuar si një botues rebel, që nuk pajtohet me politikën, dhe në këtë rast kujtoj polemikat e shumta për librin, mungesa e politikave librore, mbështetjet për panairet e librit etj?

Problemi mbi marrëdhëniet me politikën ka qenë i zgjidhur herët prej nesh pavarësisht anësive që mund të ketë secili njeri në raportet e tij me politikën, apo me simpatitë e tij. Në punën tonë nuk i kemi përzier mendimet tona me veprimtarinë botuese, i kemi parë gjëra të ndara dhe të pavarura nga pushtetet, nga partitë nga politika dhe njerëzit e lidhur me politikën. Gjithmonë kemi qenë të pavarur dhe e kemi ruajtur me kujdes këtë pavarësi, kjo ka ndodhur që në fillimet e shtëpisë  botuese dhe deri më sot. Nuk kemi pranuar ndërhyrje nga politika, apo në çdo lloj forme. Kjo sigurisht na ka forcuar bindjet tona për pavarësinë e mendimit, për pavarësinë e gjykimit, për pavarësinë e punës me librin. Kemi kërkuar së bashku me kolegë të tjerë hartimin dhe praktika të politikave librore që do ndihmonin kulturën shqiptare, jo vetëm librin veçanërisht. Edhe në panairet e librit nuk kemi dashur kurrë të dimë për presione nga më të ndryshmet, për ndërhyrje nga më të ndryshmet dhe kjo mënyrë dinjitoze pune dhe krenarie shkon krahas bindjeve tona dhe besojmë që e ka ndihmuar punën.

Si i keni raportet me autorët bashkëkohorë shqiptarë?

Për ne  nuk ka raporte të veçanta paragjykuese apo favorizuese për autorin në veçanti qoftë ai shqiptar apo italian, apo francez, apo çfarëdo qoftë. Për ne ka rëndësi vepra, se në fund të fundit ne i drejtohemi lexuesit tonë, në një vepër që ne e konsiderojmë të mirë për t’u lexuar. Kjo është bindja jonë. Mbreti është lexuesi, në qoftë se ne i japim lexuesit një libër të mirë, dhjetë apo njëqind libra të mirë ne e kemi arritur qëllimin. Na duken shumë të vjetra këto diskutimet mbi raportet e botimeve të autorëve shqiptarë apo të huaj, për përqindje apo preferenca. E rëndësishme është që botuesit t’i japin lexuesit libra të mirë të vlefshëm, cilësorë, sepse nga cilado gjuhë vjen libri, ai vjen në gjuhën shqipe duke u bërë menjëherë pronë e kulturës shqiptare kur i propozohet lexuesit. Megjithatë po them që në katalogun tonë janë shumë autorë dhe vepra të letërsisë shqiptare, duke filluar që nga letërsia e traditës në radhë të parë e deri tek autorë të ditëve tona të rinj ose jo, të cilët ne i gjykojmë që janë në një nivel të mirë për t’iu propozuar lexuesit. Ne jemi kundër praktikave për të botuar çdo lloj gjëje nga letërsia shqiptare  pa e lexuar, pa e vlerësuar, pa i bërë të gjitha kujdesjet e duhura. Në praktikën tonë, librat që nuk kanë vlerat e duhura nuk i botojmë, pavarësisht se mund të jenë edhe me përfitim apo të subvencionuara nga institucionet apo nga vetë autorët. Mendojmë se dhe kjo mënyrë pune ka bërë të mundur konsolidimin e emrit të mirë që ka Shtëpia Botuese DITURIA në sytë e lexuesit.

Intervistoi: Violeta Murati

Shkruar Nga
More from revista mapo

Përfundon pa marrëveshje takimi mes Ramës e Bashës

Ka zgjatur më shumë se tre orë takimi mes kryeministrit Edi Rama...
Read More

2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published.