Petrit Ymeri: Të promovojmë letërsinë cilësore, autorët dhe përkthyesit

Nga 16-18 mars, në Muzeun Historik Kombëtar, Festivali për fëmijë e të rinj: Lexuesit e së ardhmes; Drejtori i Shtëpisë botuese “Dituria”, Petrit Ymeri, flet për organizimin dhe risitë e këtij viti, çfarë do të gjejnë të rinjtë në këtë edicion, a mund të flitet për një bibliotekë për të rinjtë, si është raporti mes autorëve shqiptarë e prurjeve nga letërsia e huaj që shkruajnë për këtë grupmoshë; a zgjidhet problemi i sektorit të librit në Shqipëri duke iu referuar programeve si Evropa Krijuese financuar nga BE…

-Shtëpia botuese DITURIA organizon festivalin multikulturor për fëmijë e të rinj të titulluar “Lexuesit e së ardhmes. Të gjithë librat janë të rëndësishëm”. A mund të rifreskojmë, pse kjo nismë, nën këtë vëmendje?

Projekti ynë “Lexuesit e së ardhmes”, pjesë e të cilit është Festivali për fëmijë dhe të rinj, ka si target lexuesin e vogël për arsyen e thjeshtë dhe thelbësore që pikërisht në këtë moshë edukohet lexuesi. Flitet shpesh për brezin tjetër, që duhet të jetë një rini e ditur dhe e lexuar! Por nëse nuk punohet në këtë fazë, nuk do të kemi lexues të ardhshëm të fortë dhe as të kulturuar. Prandaj lipsen rritur vëmendja dhe burimet që duhet t’i kushtohen promovimit të leximit. Ky është edhe motivi dhe qëllimi i botuesit profesionist dhe i institucioneve: të ndihmohet leximi, të ndihmohet në konsolidimin e lexuesve të së nesërmes. Festivali zhvillohet nga 16-18 mars 2018, është pjesë e Programit Europa Krijuese të Bashkimit Europian, ku lider është DITURIA me dy partnerë nga Italia dhe Maqedonia që ka në qendër të aktiviteteve rritjen e dëshirës për lexim nga fëmijët e të rinjtë. Projekti ynë “Lexuesit e së ardhmes” ka filluar në tetor 2016 dhe përfundon në qershor 2018. Pra jemi në fazat përmbyllëse dhe më dinamiket. Kemi zhvilluar deri tani në të tre vendet dhjetëra veprimtari (konkurse, anketime, promovime, biseda me nxënës e mësues, prindër, specialistë,  autorë, përkthyes, etj.), që kanë pasur objekt dhe subjekt fëmijët e të rinjtë. Pas këtij Festivali do të kemi tre ekspozita shëtitëse vizatimi dhe pikture në  të tre shtetet dhe më pas konferencën përmbyllëse analizuese.

– Çfarë do të gjejnë të rinjtë në këtë festival? Është normë që mediat të presin ngjarjen, por për të rinjtë ç’risi do të sjellë?

Do të kemi rreth 50 veprimtari mbi librin dhe leximin. Qëllimi ynë është të përfshijmë sa më shumë fëmijë e të rinj në aktivitete krijuese, në takime dhe diskutime me autorë, në prezantimin e librave të rinj (përmend ardhjen e autorit të romanit “Babel” Jan De Leeuë dhe përkthyeses Mimoza Dino), në kënde apo laboratorë praktikë leximi, vizatimi, inskenime teatrale nga letërsia për fëmijë, lexime vargjesh të zgjedhura apo fragmentesh nga libra për fëmijë, në shoqërinë e disa mjeshtrave të muzikës instrumentale, numra baleti etj. Gjithashtu  janë angazhuar autorë e përkthyes të kësaj letërsie, profesionistët më të mirë të librit për fëmijë, në seminare e workshope për probleme të librit e të përkthimit të letërsisë për fëmijë, të ilustrimit, të dizajnit të librit, apo përkthimit nga gjuhë pak të përhapura etj. Do të ketë edhe një ekspozitë libri me rreth 20 botues. Në këto aktivitete do të marrin pjesë profesionistë nga të tre vendet partnere të Projektit. Kënaqësia më e madhe e këtij Festivali do të jenë sigurisht pjesëmarrësit e vegjël, nxënësit, nga Tirana dhe disa qytetet të tjerë (Vlora, Fieri, Lezha), por edhe shumë mësues, pedagogë, kolegë botues e piktorë, specialistë të librit etj.

– A mund të na thoni si shkojnë librat nëpër shkolla, si arrihet lidhja me to? A keni një raport se çfarë lexojnë fëmijët, të rinjtë?

Është një përgjigje e vështirë, sepse është një proces jo fort i lehtë. Me këmbëngulje dhe argumente kulturore arrijmë të krijojmë bashkëpunime dhe lidhje me shkollën. Duhet të themi se kjo nuk është gjithmonë e lehtë, por duhet edhe të pranojmë edhe që ka shumë raste manipulimesh e abuzimesh nga autorë apo subjekte botues, dhe Shkolla si institucion, duhet të mbrohet nga këto gjëra, edhe përmes rregullave që mund të mos na pëlqejnë gjithmonë. Mendoj që tashmë është krijuar “tradita” e botuesve seriozë dhe veç kësaj, lehtësisht mund të gjykohet nëse një libër është i përshtatshëm dhe duhet të promovohet në shkollë. Nga përvoja jonë e viteve të fundit, mund t’ju them që ne kemi shkuar (nëpërmjet bashkëpunimit me DAR apo ZA e drejtoritë e shkollave) në shumë shkolla nga Gjirokastra e Saranda (fshat e qytet) e deri në Tiranë, Vlorë, Fier, Shkodër, etj. Por na u desh më shumë se një muaj për të marrë lejen nga DAR-i në X qytet. Por kur shkuam atje në dhjetor, botues, përkthyes e autorë, megjithëse ftohtë dhe nganjëherë në mjedise të papërshtatshme, dhe folëm për librat,  nxënësit e mësuesit ishin kaq të vëmendshëm, pyetën dhe diskutuan me kureshtje për letërsinë, sa them se ia vlejti edhe këmbëngulja jonë, pavarësisht vonesës!

Ne kemi bërë anketime serioze mbi leximin, mbi parapëlqimet e lexuesve të moshave të ndryshme, mbi prirjet etj. Këto analiza e përfundime ne i kemi bërë objekt edhe të aktiviteteve të shumta tonat apo të Shoqatës së Botuesve, i paraqitëm edhe në majin e vitit 2017 në një seminar që bëmë në kuadrin e Projektit tonë.

-Duke iu afruar një raporti mes autorëve të huaj dhe shqiptarë, a mund të flitet për një bibliotekë, libra të mirëfilltë për këto grupmosha, sidomos për të rinj?

Sigurisht që kemi tani një bibliotekë mjaft të mirë librash për fëmijë e të rinj, me libra shumë cilësorë, klasikë e bashkëkohorë, por shumica e tyre janë përkthime. Mund të them me kënaqësi që janë mjaft shtëpi botuese në vendin tonë që botojnë autorë të njohur modernë, cilësorë. Pra kjo bibliotekë po pasurohet e po çlirohet. Por nëse pyet për biblioteka shkollore, duhet të them se ato janë ose pa libra, ose me tituj të papërshtatshëm për moshën e fëmijëve, ose jofunksionale, për një sërë arsyesh. Sigurisht, duhet punuar më shumë nga institucionet qendrore dhe lokale për të gjetur fonde për pasurimin e bibliotekave shkollore. Shpresojmë në mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre. Duhet kuptuar që janë një minimum nxënësish që kanë mundësinë të kenë bibliotekat e tyre në shtëpi, prandaj duhen pasuruar ato shkolloret dhe të bashkive.

– Më konkrete, a i përgjigjet tregu shqiptar interesit të lexuesve të rinj për libra të kësaj moshe? Si e shihni interesin e të rinjve për librin, a besoni në atë që “predikoni”: “Lexuesin e së Ardhmes”, si do të arrihet, kur s’ka librari, biblioteka? Jo pak herë është folur për këto probleme…

Tregu i librit krijohet nga botuesit dhe, siç thashë, ata po punojnë mirë fort. Duhen ndihmuar lexuesit, familjet e tyre, mësuesit, që këta libra t’u jepen në dorë fëmijëve e të rinjve, pra “Lexuesve të së Ardhmes” nëpërmjet furnizimeve të bibliotekave publike! Kjo është detyrë e shtetit. Pastaj duhet kuptuar që ky proces ndihmon edhe në fuqizimin e sektorit botues që të ketë mundësinë të investojë më shumë në botimin e librave të rinj gjithnjë e më cilësorë.

Sigurisht që unë besoj në këtë punë që bëj. Me pasion dhe këmbëngulje, nga të gjithë, them që mund të bëjmë çdo ditë e më shumë, çdo ditë e më mirë. Duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, administratorët duhet të dëgjojnë me modesti profesionistët e librit. Duhet të dëgjojnë kërkesat e mësuesve e të prindërve dhe të bëhen më bashkëpunues.

– Ndonjëherë ngjan se nisma të tilla mund të bëhen vetëm me vullnete financiare, flasim pasi ky projekt mbështetet nga programi Europa Krijuese i BE. Ju jeni aktivë në terren, në lidhje me lexuesit, a mendoni se kjo zgjidh një situatë anormale, të një lloj krize të leximit?

Nuk zgjidh tërë problemet që ka sektori ynë libror, por ndihmon shumë. Gjatë 4 viteve të fundit në Shqipëri janë fituar rreth 20 projekte të Bashkimit Europian nga disa botues. Por nuk është vetëm çështja financiare (projektet janë bashkëfinancime: BE jep 50 % dhe botuesi jep 50%), por kryesorja është mënyra e organizimit të këtyre projekteve, që kanë në themel promovimin e letërsisë që botohet, promovimin e librit, të autorit, të përkthyesit, takimet me lexuesit dhe kërkohet detyrimisht botimi i letërsisë cilësore dhe bashkëkohore. Është një përvojë krejt e re. Të gjitha këto e afrojnë librin me lexuesin, rrisin vëmendjen për leximin.

Intervistoi: V.Murati

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Politikat dhe sfidat reale të një “industrie”!

Nga Alfred Peza Hezitova të flisja për shumë arsye, gjatë një tryeze...
Read More