Philip Hammond vs Arben Ahmetaj

Nga Klodian Tomorri

Në Britani, Zyra për Thjeshtimin e Taksave (OTS), propozoi 5 muaj më parë uljen e pragut të TVSH. Britania ka një nga pragjet më të larta në botë për TVSH, pasi përjashton nga kjo taksë çdo biznes me xhiro deri në 85 mijë paund në vit.

OTS është një trup i pavarur nga qeveria. Kur ajo bëri propozimin që pragu të ulej, qeverisë i pëlqeu. Por sapo Philip Hammond dha sinjale se do ta merrte në konsideratë, Federata e Biznesit të Vogël e kundërshtoi. Qeveria u tërhoq. Pragu jo vetëm që nuk u ul, por u ngrit në 85 mijë pound deri në prill të 2020-ës.

Kur anglezët nisën të konsideronin uljen e pragut për të futur biznesin e vogël në TVSH, qeveria jonë e kishte miratuar vendimin ndërkohë. Ministria e Financave mendon se shtrirja e TVSH-së te biznesi i vogël do të ndihmojë administratën tatimore për të kontrolluar më mirë faturat e biznesit të madh. Teorikisht kjo është e vërtetë. Por.. Por ka gjithmonë një por.

Ka dy arsye se pse ekziston pragu përjashtues i TVSH-së. E para është sociale. Shoqëria përjashton bizneset e vogla nga pagesa e TVSH-së sepse ato krijojnë punësim dhe zbusin varfërinë.

Ky është një kompromis. Një pjesë e madhe e bizneseve të vogla mbijetojnë pikërisht sepse nuk paguajnë TVSH-në. Edhe atëherë kur e kanë mbledhur atë nga qytetaret. Por shoqëria heq dorë nga të ardhurat dhe toleron evazionin e vogël, sepse në këmbim fiton vende pune.

Arsyeja e dytë është tërësisht ekonomike. Përfshirja e bizneseve të vogla në skemën e TVSH-së e shndërron atë në një takse regresive për shkak të kostove administrative. Bizneseve me xhiro nga 0-25 mijë dollarë në vit, kostoja administrative e pagesës së TVSH u merr 10-18 për qind të xhiros vjetore. Për bizneset me xhiro mbi 100 mijë dollarë në vit compliance costs zënë vetëm 1 për qind të xhiros.

Qeveria thotë se ka zgjedhur një variant të thjeshtuar deklarimi. Ne nuk e dimë tani se sa do të jetë kostoja për biznesin e vogël, por do e mësojmë.

Natyra regresive e kostos së vetëpërmbushjes nënkupton se pragu më i mirë i TVSH-së nuk është zero. Por ku duhet vënë ky prag? Sa duhet të jetë kufiri i xhiros, nën të cilin bizneset duhen përjashtuar nga skema e TVSH-së?

Nuk ka një kufi të përcaktuar one size fits all sepse kjo varet nga tre faktorë. Niveli profesional i administratës, kostoja e përmbushjes dhe përfitimi social neto nga të ardhurat që mblidhen nga taksa. (Burimi FMN, The modern VAT, Ebrill and others 2001).

Këto janë kostot nga krahu i biznesit. Por përfshirja e mikrobizneseve në TVSH ka kosto edhe për administratën.

Statistikisht, 70 për qind e të ardhurave tatimore që mbledh një shtet në buxhetin e tij, vijnë nga vetëm 1 për qind e bizneseve.

Këto janë korporatat e mëdha. Bizneset e vogla, ndonëse zënë 80-90 për qind të numrit total të bizneseve, japin vetëm 10 për qind të të ardhurave tatimore. (Burimi Micheal Keen, FMN fiscal department). Pra administratës do i duhet të kontrollojë 90 për qind të bizneseve për të mbledhur 10 për qind të të ardhurave.

A do t’i justifikojnë të ardhurat shtesë që qeveria do të mbledhë nga ulja e pragut të TVSH-së, kostot sociale nga mbyllja e mundshme e bizneseve dhe ato administrative. Philip Hammondi mendoi se jo. Arben Ahmetaj mendon që po.

Bast ministrash finance.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Amerika si dora e shpëtimtarit të largët, të kthyer në simbol përjetësisht i afërt

Marrë nga libri Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane Nga Ndriçim Kulla Presidenti  amerikan  Wilson  shkoi...
Read More