Pier Paolo Pasolini: Takimi me Hipitë

Për herë të parë hipìtë i ndesha në Pragë.

Pier Paolo Pasolini 1

Picture 1 of 2

Në hollin e hotelit ku bujtja, hynë dy rioshë të huaj, me flokët e gjatë gjer mbi shpatulla. Kaluan përmes hollit, gjetën një cep paksa të veçuar dhe zunë një tryezë. Për ndonjë gjysmë ore qëndruan ulur ashtu, të vëzhguar nga të tjerët, mes të cilëve edhe unë; më pas ikën.

Edhe kur çanë përmes turmës së njerëzve në holl, edhe të ulur, ashtu, në qoshkun e tyre të mënjanuar, ata nuk u ndjenë (ndoshta – edhe pse nuk e kujtoj – pëshpëritën mes tyre diçka: por, ma do mendja, diçka shumë të koduar).

Ç’është e vërteta në atë gjendje të çuditshme që u ndodhën – gjendje kjo që ishte tërësisht publike, apo sociale, madje do ta quaja edhe zyrtare – ata nuk kishin pikën e ngasjes për të folur. Heshtja e tyre ishte përpikmërisht funksionale. Meqë fjala nuk kishte vlerë, ajo e tillë ishte normalisht. Në fakt, për të komunikuar me të pranishmit, me kureshtarët – me sivëllezërit e atyçastit – ata përdornin një gjuhë tjetër, ndryshe nga ajo që gjallon prej fjalëve.

Gjuhën që zëvendësonte të folurën tradicionale, duke e bërë atë të panevojshme – dhe duke gjetur, veç kësaj, rendin e vetëvetishëm në fushën e gjerë të “shenjave”, në lëmin e semiologjisë – ishte gjuha e flokëve. Bëhej fjalë për një shenjë unike – pikërisht gjatësia e flokëve që u derdhej supeve – ku ishin të përqendruara gjithë shenjat e mundshme të një gjuhe të folur.

Cili qe kumti i mesazhit të tyre të pazëshëm dhe a ishte ai detyrimisht fizik? “Ne jemi dy hipì. I përkasim një kategorie të re njerëzore, asaj që i po shfaqet botës këtyre kohërave, që e ka qendrën në Amerikë, por jemi të shpërfillur në provincë (siç për shembull e për më tepër – këtu në Pragë). Pikërisht për këtë gjë ne jemi thjesht një Dukje për ju. Ushtrojmë predikimin tonë, përplot me një dituri që na rrëmbush dhe na shterron njëhësisht. Nuk kemi ç’t’i shtojmë më me fjalë dhe me arsyetime asaj që fizikisht dhe ontologjikisht shprehin flokët tanë.

Dituria që na përplot, dhe predikmi ynë, do ju përkasë edhe juve një ditë. Tash për tash s’është veçse një Risi, një Risi e madhe, që përmes skandalit, krijon në botë një pritje: nga ato që nuk do të tradhtohen. Borgjezët bëjnë mirë të na shohin me urrejtje dhe frikë, sepse ajo që flokët tanë profetizojnë u kundërvihet plotësisht atyre. Veç të mos na pandehin si njerëz paedukatë dhe egërsira: jemi plotësisht të vetëdijshëm mbi përgjegjësitë tona. Nuk ju shohim, qëndrojmë në tonën. Bëni edhe ju si ne, dhe prisni Ngjarjet”.

Unë isha ndërmjetësi i këtij komunikimi, dhe isha në gjendje ta deshifroja atë sakaq: ajo gjuhë pa leksik, pa gramatikë dhe pa sintaksë, mund të përvetësohej menjëherë, edhepse, për t’u shprehur semiologjikisht, nuk ishte tjetër, veçse një formë e asaj “gjuhe të pranisë fizike”, që njerëzit janë në gjendje ta përdorin gjithmonë. Kuptova dhe ndjeva një antipati të menjëhershme për ata të dy. Më pas, m’u desh ta gëlltisja antipatinë e t’i mbroja hipìtë nga sulmet e policisë si dhe prej fashistëve: kam qenë natyrisht, në parim, nga ana e Living Theatre të Beats etj.: parimi që më bënte t’u mbaja anën ishte një parim rreptësisht demokratik.

Hipitë flokëgjatë u shtuan shumë – si të krishterët e parë: por, në mënyrë të pashpjegueshme, ata vazhduan të mbeten të heshtur; flokët e gjatë mbetën gjuha e tyre e vetme dhe e vërtetë, dhe nuk u tunduan për hiç t’i shtonin asaj tjetër gjë. E folura pasqyronte qenien e tyre. E pagoja, ishte ars retorica e protestës së tyre. Çfarë shprehnin me gjuhën e paartikuluar, që përkon me shenjën monolitike të flokëve, “the flower’s children” e viteve ‘66-‘67? “Thoshin këtë: qytetërimi i konsumizmit na ngall neveri. Protestojmë rrënjësisht. Përmes refuzimit, krijojmë imunitet ndaj këtij qytetërimi. Gjithçka dukej se u shkonte fjollë, ë? Brezi ynë duhej të ishte një brez të integruarish? Po ja që dhe punëve u doli boja! Ne kundërshtojmë marrëzinë ndaj fatit të ekzekutuesit.

Krijojmë vlera të reja fetare në entropinë borgjeze, pikërisht në çastin kur ajo po shndërrohej thuajse e tëra në laike dhe hedonistike. Dhe e bëjmë këtë zhurmshëm, dhe me dhunë revolucionare (dhunë e jo të dhunshmëve!) sepse kritika jonë ndaj shoqërisë sonë është gjithëpërfshirëse dhe e paepur. ” S’ma do mendja që të pyetur sipas sistemit tradicional të gjuhës së folur, do të ishin në gjendje ta shprehnin në mënyrë kaq të qartë tezën e flokëve: por është fakt se në thelb, ata e shprehnin këtë.

Për mua, edhe pse dyshoja që atëherë se “sistemi i tyre i shenjave” qe produkt i një proteste nënkulturore, kundërvënje ndaj kulturës së pushtetit, se revolucioni i tyre jo marksist ishte i dyshimtë, vazhdova për një farë kohe t’u mbaja anën, duke iu bashkëngjitur së paku elementin anarkist të ideologjisë sime.

Gjuha e flokëve, edhe pse jo fort e qartë, shprehte “elemente” të së Majtës. Mbase të së Majtës së Re, lindur brenda universit borgjez (në një dialektikë të krijuar ndoshta artificialisht nga Mendja që rregullon, përtej ndërgjegjes së Pushteteve të veçanta dhe historike, fatin e Borgjezisë). Mbërriti 1968-a. Flokëgjatët u përthithën nga Lëvizja Studentore; valvitnin flamuj të kuq mbi barrikada.

Gjuha e tyre shprehte gjithmonë e më shumë “gjëra” të së Majtës. (Che Guevara ishte flokëgjatë !!!) Në 1969-tën – në masakrën e Milanos, Mafia, emisarët e kolonelëve grekë, bashkëfajësia e Ministrave, komploti i zi, provokatorët – hipìtë, ishin përhapur së tepërmi: edhe pse nuk ishin ende shumicë numerike, ata ishin të tillë për nga rëndësia ideologjike që kishin fituar. Në këtë pikë, flokëgjatët nuk ishin më heshturakë: nuk ia delegonin sistemit të shenjave të flokëve të tyre aftësinë e plotë komunikuese dhe shprehëse.

Përkundrazi, prania fizike e flokëve kishte degraduar, në një farë mënyre, nga funksioni veçues. Ishte shndërruar në funksionin e përdorimit të zakonshëm të gjuhës së folur. Dhe nuk them rastësisht të folur. Për më tepër, që po e nënvizoj. U fol shumë nga ’68 në ’70, aq shumë sa, për një farë kohe, mund t’ia dalim mbanë edhe pa tëvfolurën: u teprua me fjalën, dhe verbalizmi u bë një ars retorika i ri i revolucionit (gaukizmi, sëmundja verbale dhe marksizmit!). Megjithëse flokët – të përthithur në furinë verbale – nuk u flisnin më në mënyrë të pavarur përfituesve të shastisur, unë gjeta forcën t’i fitoja aftësitë e mia dekodifikuese dhe në rrëmujë, u përpoqa të dëgjoja fjalimin e heshtur, në dukje të pandërprerë, të atyre flokëve gjithnjë e më të gjatë.

Çfarë thoshin ata tani? Thoshin: “Po, është e vërtetë, themi gjëra të së Majtës; kuptimi ynë – edhe se vërtetësisht mbështetës i kuptimit të mesazheve verbale – është një kuptim i së Majtës… Por… Por…” Arsyetimi i flokëgjatëve mbeti në vend: më duhej ta vijoja unë. Me atë “por” ata deshën të theksonin dy gjëra: 1) “Pashprehshmëria jonë nxjerr gjithmonë e më shumë në dukje natyrën racionale dhe pragmatike: epërsia që ne ia njohim heshturazi aksionit, ka tipar nënkulturor dhe kësisoj thelbësisht i djathtë.”

2) “Ne na u përshtatën edhe provokuesit fashistë, që iu përzien revolucionarëve verbalë (madje verbalizmi që mund të sjellë edhe aksion, mbi të gjitha mitizohet): dhe sajojmë kështu një maskë të përkryer, jo vetëm për nga këndvështrimi fizik – rrjedhja dhe tallazitja jonë e çrregullt mëton t’i pranojë të gjitha pamjet – por edhe nga këndvështrimi kulturor: në të vërtetë një nënkulturë e Djathtë mund të ngartërrohet mjaft mirë me një nënkulturë të Majtë.” Së fundmi, kuptova se gjuha e flokëgjatëve nuk e shprehte më «gjëra» të së Majtës, por shprehte diçka të dyshimtë, Djathta-Majtas, gjë që krijoi kushte për shfaqjen e provokatorëve.

Nja dhjetë vjet më parë mendoja se mes nesh, brezit paraardhës, provokatori ishte thuajse i papërfytyrueshëm (përveçse në rastin kur ai qe një aktor gjenial): në të vërtetë, nënkultura e tij do të ishte e dallueshme, edhe fizikisht, nga kultura jonë. Do e kishim njohur nga sytë, hunda, nga flokët! Do ta kishim demaskuar menjëherë, dhe do ia kishim dhënë mësimin e merituar sy për sy. Tanimë kjo nuk është e mundur. Kurrkush mbi faqe të dheut nuk do të mund ta dallojë nga pamja e jashtme një revolucionar nga një provokator. E Djathta dhe e Majta fizikisht janë bërë një.

Mbërritëm në vitin 1972. Këtë shtator, isha në qytezën Isfahan, në zemër të Persisë. Vend i prapambetur, siç thuhet në mënyrë të pamëshirshme, dhe sa i pamëshirshëm po aq dhe në zhvillim e sipër qe. Në Isfahanin e dhjetë viteve më parë – një ndër qytetet më të bukur të botës, ndoshta më i bukuri – lindi një Isfahan i ri, modern, dhe…tepër i shëmtuar. Por nëpër rrugët e tij, dalë për punë ose për në shëtitje, ndanë mbrëmjes ia byrr rinia, të cilën nja dhjetë vjet më parë e shihnim të shfaqej në Itali: bij krenarë dhe të thjeshtë, me zverkët e tyre të hijshëm, me fytyra qashtërsisht të bukura, nën cullufet rebele dhe të dlira.

Dhe ja, një mbrëmje, teksa ecja nëpër rrugën kryesore, mes gjithë kësi rioshësh antikë, të pashëm dhe të pasur me dinjitet human nga ai i lashti, dallova dy qenie të përbindëshme: nuk ishin tëpkë si flokëgjatët, na i kishin prerë europiançe leshrat, të gjata nga pas, të shkurtër mbi ballë, rripa-rripa si pras, ngjitur artificialisht përreth fytyrës me dy cullufe të pahijshme mbi veshë. E dini se çfarë thonin këta flokë: “Ne nuk kemi të bëjmë me këta zorrëtharë, këta qyrarë të pazhvilluar, ardhur nga epokat barbare! Ne jemi punonjës banke, studentë, fëmijë prindërish të pasur, që punojnë në shoqëri naftënxjerrëse; e njohim Europën, jemi të lexuar. Jemi borgjezë: ja ku janë edhe flokët tanë të gjatë, të cilët e dëshmojnë modernizmin ndërkombëtar të të privilegjuarve!” Ata flokë të gjatë aludonin për “gjëra” të së Djathtës. Cikli u krye. Nënkultura në pushtet thithi nënkulturën në opozitë, dhe ia doli mbanë: me zotësi djallëzore dhe pa bujë e ktheu në një modë që, nëse nuk mund ta quajmë tamam fashiste, në kuptimin klasik të fjalës, është ama e një të “djathte ekstreme” reale.

Dhe për t’i dhënë një përkufizim të trishtuar, maskat e neveritshme, që përdorin të rinjtë, duke u bërë të shëmtuar si kurvat plaka të një ikonografie të zhdrejtë, objektivisht rikrijojnë mbi fizionominë e tyre atë që ata vetë e dënuan përherë verbalisht. Na u shfaqën njëherazi fytyrat e vjetra prej murgjësh, gjykatësisht, prej zyrëtarësh, prej anarkistësh të rremë, prej nëpunësish qesharakë, prej Azzeccagarbugli*, prej Don Ferrante**, prej mercenarësh, mashtruesish dhe banditësh konformistë. Me një fjalë, dënimi radikal dhe i pakushtëzuar që u shpallën prindërve të tyre – etërve, historia në zhvillim dhe kultura pararendëse – ky sulm dhe pengesat e padepërtueshme që e ndërtuan, nuk prodhuan marrëdhënie dialektike mes tyre dhe baballarëve, por krijoi izolimin e atyre vetë. Sot, vetëm përmes një marrëdhënie të tillë – edhe pse dramatike dhe të tepruar – mund të kishin krijuar realisht vetëdije historike mbi veten dhe të ecnin përpara, duke i lënë etërit pas.

Në të kundërt, veçimi që zgjodhën – si në një univers më vete, në një gheto vetëm për të rinjtë – i bllokoi ata nga realiteti i patjetërsueshem historik: pikërisht kjo solli – në mënyrë fatale – një regres. Krahasuar me etërit, ata, në të vërtetë bënë prapa kthehu, duke ringjallur tmerr dhe konformizëm në shpitin e vet, dhe në paraqitjen e tyre fizike, konvencionalitet dhe mjerim, gjëra këto që dukeshin si të kapërcyera prej kohësh.

Këtë mesazh përçojnë tashmë flokët e gjatë, që me gjuhën e tyre të pafjalë dhe të tërbuar, të shenjave të pazëshme dhe me stilin strukturor huligan, i gjen në “lojrat” e televizionit apo të réclames të produkteve, mes së cilash tanimë është krejtësisht e papërfytyrueshme të mos vëresh një riosh me flokë të gjatë: fakt ky që sot do të quhej skandaloz për pushtetin.

Ndjej keqardhje të madhe dhe të sinqertë teksa më duhet ta them këtë që vijon më pas (është një dëshpërim përnjimend i vërtetë): por, tani qindra e mijëra fytyra të rinjsh italianë, i ngjajnë gjithnjë e më shumë formës së magjistarit Merlin. Liria e tyre për të mbajtur flokët siç i duan, nuk mund të mbrohet më, sepse nuk është më liri. Erdhi dita t’u themi, se bota e tyre e të ujdisjurit te flokëve është e turpshme, sepse është servile dhe vulgare. Erdhi çasti që të jenë ata vetë që vendosin çlirimin nga ndjenja e fajit për moszbatimit e urdhrave poshtërues që u vijnë nga turma.

Shkruar Nga
More from Revista User

Djali i Pablo Eskobar apel të rinjve: Mos e çoni jetën dëm si babai im, ai nuk ishte …

Pasi ka ndërruar identitet, sot jeton në Buenos Aires, ku punon si...
Read More