Pierre Hassner dhe revanshi i pasioneve

Shuhet Pierre Hassner, specialisti i famshëm i marrëdhënieve ndërkombëtare i Institutit të Shkencave Politike të Parisit (Sciences Po). Një jetë kushtuar politikës ndërkombëtare dhe luftërave që njohu bota prej luftës së dytë botërore.

Nga Ilda Mara

I konsideruar në Europë, si një nga mendimtarët më të shkëlqyer në studimin e dhunës dhe luftës, Pierre Hassner vdiq në Paris të shtunën 26 maj, në moshën 85 vjeç. Ky specialist i filozofisë politike ka lënë gjurmë refleksioni në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare që nga 1945 deri në ditët e sotme, historia e Qendrës së Studimeve të Kërkimeve Ndërkombëtare (CERI) të Sciences Po ku ai përmbushi karrierën e tij nga viti 1959 deri në fund të jetës së tij. 

Pierre Hassner nga Bukureshti ne Paris, një jetë kundër sistemeve autoritare

I lindur në janar 1933, në Bukuresht, në Rumani, të nesërmen e marrjes së pushtetit të Hitlerit në Gjermani, Pierre Hassner, që rridhte nga një familje borgjeze hebre nga Kishinev (Moldavi) i mbijetoi me familjen e tij regjimit pro-nazist të gjeneralit Antonesku, përgjegjës për persekutimin e hebrenjve rumunë gjatë luftës së dytë botërore. Ai do të studiojë në liceun francez në Bukuresht si të gjitha familjet rumune dhe hebre frankofile.

Në vitin 1948, me fillimin e luftës së ftohtë dhe vendosjen e komunizmit në Rumani, Pierre Hassner emigron në Francë me prindërit e tij dhe vendoset në Paris. Një nxënës brilant, ai merr diplomën e maturës në moshën 16 vjeç në vitin 1950 në liceun e Parisit Janson-de-Sailly, më pas ai ndjek studime filozofie në Sorbonë në vitet 1950-1955 dhe pranohet në Shkollën Normale Superiore (ENS) në vitin 1952. Pas tre vjetësh ai do të ishte i pari student i huaj me gradën në filozofi. Studenti i ri, i traumatizuar nga totalitarizmi në Europë, dhe i pakënaqur nga ajo që dëgjon për marksizmin në Shkollën Normale Superiore ku pjesa më e madhe e pedagogëve ishin me bindje komuniste. Nxënës i Raymond Aron, ai do të lërë gjurmët e tij te filozofi i madh me forcën e tij të argumentit dhe mprehtësinë e mendimit të tij. Ai do të profilizohet si një mendimtar i luftës dhe paqes, i totalitarizmit, një dishepull i Raymond Aron dhe Hannah Arendit.

Fusha e tij e kërkimeve ka qenë gjithnjë ajo e marrëdhënieve ndërkombëtare me të njëjtën konstante duke e krahasuar me botën kontemporane. E gjithë jeta e tij intelektuale ishte një tentativë e madhe për të kuptuar dhe analizuar momentin e tanishëm: lufta e ftohtë, rënia e murit të Berlinit, lufta në ish-Jugosllavi, bota pas 11 shtatorit, evolucioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), i Kinës dhe i Rusisë, ISIS-i.

Bota dhe pasionet e saj

Pierre Hassner, njihet si një nga mbrojtësit e disidentëve në Europën Lindore dhe një kundërshtar i ish-Unionit Sovjetik. I sapombërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës SHBA në vitin 1956, ai dëgjon për protestat në Hungari dhe fillon të formojë tezat e tij në favor të një etike ndërkombëtare të paqes. Dymbëdhjetë vjet më pas, në vitin 1968, ai ndjek në distancë Pranverën e Pragës dhe asiston në lëvizjen e Majit të 68-ës në Paris, ku ai shfaq sensibilitetin e tij ndaj të majtës. Por nëse profesori i tij Raymond Aron, do rrëshqiste djathtas në shkrimet e tij, Hassner afrohet me të majtën antitotalitare të Michel Rokarit. Në vitin 1976, me rastin e 20-vjetorit të krizës së Budapestit, ai merr pjesë në manifestimet mbështetëse për liri në Europën Lindore përkrah sociologut hungarez Pierre Kende, intelektualit franko-polak Krzysztof Pomian dhe historianit François Furet.

Ndërhyrje morale në marrëdhëniet ndërkombëtare

Në vitin 1971, falë një takimi me Aleksander Smolarin, një nga ish-studentët e tij në Bolonjë, që do të bëhet një nga miqtë e tij më besnikë, Pierre Hassner do ta bëjë tezën e ndërhyrjes morale në marrëdhëniet ndërkombëtare një prioritet të angazhimit të tij në revistat Commentaire dhe Esprit ku ai ishte në komitetin e redaksisë. Ai do të privilegjojë më shumë vlerat e një të majte liberale se sa një të majte me iluzione ideologjike.

Me rënien e Bashkimit sovjetik në 1991, preokupimi i tij do të zhvendosej në boten e pas luftës së ftohtë dhe një rikthim i nacionalizmit në Ballkan, duke futur tezën e studimit të pasioneve si një fushë e re kërkimi. Ai do të angazhohet kundër politikes etnike të Millosheviçit në ish-Jugosllavi dhe do të mbështesë kauzën e Bosnjës dhe të Kosovës si dy çështje te rëndësishme për paqen në Europë.

President i Komitetit të Kosovës që prej themelimit në vitin 1997, ai ka qenë një nga luftëtarët e parë në Francë dhe Europë për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër Millosheviçit dhe i angazhuar prej vitesh përkrah Jacques Rupnik, Olivier Mongin, Antoine Garapon për pavarësinë e Kosovës.

Një vëzhgues i kujdesshëm i zhvillimeve ndërkombëtare, Pierre Hassner ndoqi ngjitjen këto vitet e fundit të pasioneve identitare në dëm të bashkësive supranacionale.

Ai ishte i shqetësuar për përplasjen e qytetërimeve të Samuel Huntington, ai shprehej me shqetësim përballë frikës së humbjes së identitetit me globalizimin dhe fundin e mënyrës së jetesës tradicionale, zhvillimet e metropoleve, ku të gjithë janë në kërkim të rrënjëve dhe të një identiteti. Libri i tij i fundit, një bestseller për Fayardin në 2015 «Revanshi i pasioneve, metamorfoza e dhunës dhe krizat politike » i kushtohet i tëri kësaj çështjeje therëse.

Një profesor i madh

Pierre Hassner ka lënë mbresa te gjenerata studentësh si në Sciences Po të Parisit ku ai ka dhënë mësim nga viti 1964 deri në 2003, por jehona e tij intelektuale do ta tejkalonte Francën, ai ka dhënë mësim sistematikisht në Universitetin John Hopkins në Bolonjë, në Universitetet e Çikagos e në Harvard, në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare të Gjenevës, në Universitetin e Montreal, në Claremont Mckenna College në Kaliforni etj.

Po e mbyll këtë profil të mikut tim të shtrenjte dhe profesorit tim Pierre Hassner, me një frazë të huazuar nga Koha e rigjetur e Marsel Prustit si homazh për mendjen e tij të ndritur: «Të paturit e një trupi, është kërcënimi më i madh për mendjen! Jeta njerëzore është e rëndë, aq sa trupi e izolon në një kështjellë; por shpejt kështjella bie dhe më në fund mendja çlirohet».

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Lehtësimi sasior: Financimi monetar direkt dhe përshtatja në rastin e Shqipërisë

Nga treguesit statistikorë, që paraqiten sipas harkut të viteve të fundit kuptohet...
Read More