Pikëpyetjet e Autoritetit që do hapë dosjet e ish-Sigurimit



dosjetTentativa e tretë për të hapur dosjet e ish-sigurimit të shtetit ka krijuar reaksion të kundërt me atë që pritej, duke e vënë në dyshim besueshmërinë e procesit dhe rezultateve të tij. Pse nuk u votua kandidati i PD dhe çfarë pritet të ndodhë me dosjet? Tomor Alizoti i PD gjykon se hapja e dosjeve nuk mund të bëhet nga ish-PPSH-ja, ndërsa Mesila Doda mendon se të paktën tre anëtarë të Autoritetit nuk janë partiakë. Daut Gumeni dhe Simon Miraka: Ngritja e Autoritetit duhet konsideruar hap pozitiv

Nga Fejzi Braushi

I miratuar me zhurmë nga të majtët për të sjellë “unitetin dhe paqtimin kombëtar”, ligji për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit ka dështuar që në nisje në përmbushjen e qëllimit, duke rrezikuar të ketë fatin e dy nismave të ngjashme të ndërmarra më parë në 25 vitet e fundit.

Kuvendi të enjten e shkuar ngriti në mënyrë të njëanshme dhe pa votën e opozitës Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, pavarësisht se një pjesë e anëtarëve të tij vijnë nga ish –të përndjekurit dhe janë simbol i kësaj shtresë, viktima të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit.

Mazhoranca e majtë refuzoi të votojë kandidaturën e Selami Zallit, e ardhur si propozim i Partisë Demokratike, ndërsa e plotësoi “Autoritetin” me emra të propozuar një nga qeveria, një nga PS, një nga LSI dhe dy nga shoqatat e të përndjekurve.

Ky veprim për demokratët, përveç ligjit gjithashtu i miratuar në mënyrë të njëanshme, e bënë edhe procesin e hapjes së dosjeve jo të besueshëm dhe për rrjedhojë të papranueshëm për ta, aq më shumë që tashmë dokumentacioni që do të disponojë ky Autoritet do t’i shërbejë edhe procesit të Vettingut.

“Procesi i hapjes së dosjeve, në mënyrë të njëanshme, me një ligj shumë të dobët dhe të keq nga një komision i drejtuar nga njerëz të emëruar nga Partia Socialiste duke përjashtuar PD-në është i pamundur, i pabesueshëm dhe në shërbim të interesave të ditës së kryeministrit Rama” -thotë për MAPO, kreu i Departamentit të ish- të Përndjekurve në PD, Tomor Alizoti.

Ai gjykon se PD është një forcë që lindi nga dëshira për liri dhe që rrëzoi komunizmin dhe ajo nuk mund të përjashtohet nga një proces kaq i rëndësishëm që e nisi vetë që në 1991.

“Procesi i hapjes së dosjeve nuk mund të bëhet nga ish-PPSH-ja, e cila më 1991 u quajt PS dhe duke mos u ndarë nga tradita e vjetër nuk u përul, nuk kërkoi falje publike ndaj vuajtjeve dhe krimeve të komunizmit, përkundrazi paralelisht me spektaklin e gjoja hapjes së dosjeve valëvit simbolet e komunizmit, duke lënduar viktimat e tij” -thotë Alizoti.

Por për kryeministrin Edi Rama fakti që PD është përfaqësuese e kauzës së të përndjekurve politikë nuk i jep asaj të drejtë që të jetë pjesë e këtij Autoriteti dhe kjo sipas tij sepse ajo ka bërë vetëm demagogji me të përndjekurit politikë.

“Ne refuzojmë të konsiderojmë një kandidaturë tuajën, cilado qoftë ajo, për këtë Autoritet. Refuzojmë, sepse jeni hipokritë dhe nuk keni asnjë lidhje me atë shtresë. Përkundrazi, ju jeni peng i asaj historie”, -u shpreh Rama në vigjilje të miratimit të kandidaturave në Kuvend, duke u përpjekur të marrë përsipër rolin e njeriut që kërkon të bëjë drejtësi edhe për ish- të përndjekurit pavarësisht se ata nuk kanë qenë për asnjë moment pikë referuese në programin e tyre politik.

Ndërkohë që për të mos patur kundër ish-të përndjekurit politikë duket se mazhoranca është kujdesur që të përfshijë në këtë Autoritet njerëz që janë simbole të shtresës së të përndjekurve politikë.

Duke shfrytëzuar mundësitë ligjore mazhoranca e majtë përfshiu në këtë koalicion dy nga figurat e njohura, Simon Mirakën dhe Daut Gumenin, i pari i ardhur si propozim i organizatave që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe i dyti i ardhur nga një prej organizatave të ish- të përndjekurve politikë në vend.

Simon Miraka pavarësisht se është anëtar i Autoritetit të Dosjeve, mungesën e prezencës së opozitës në procesin e votimit dhe rrëzimin e kandidaturës së paraqitur prej saj për në këtë Autoritet e sheh si mangësi për vijueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e zbatimit të ligjit.

“Sigurisht që është për të ardhur keq që nuk u mor në konsideratë propozimi i opozitës, sepse për ligje kaq të rëndësishme që të ketë jetëgjatësi mendoj se duhet të kishte konsensusin e të dyja palëve”, –shpreh Miraka për MAPO.

Ndërsa anëtari i tjetër, Daut Gumeni, i ardhur si propozim i të përndjekurve thekson se çështja nuk duhet trajtuar politikisht dhe se duhet të ruhet pavarësia e këtij Autoriteti.

“Unë besoj se s’duhet të bëhet politikë dhe unë nuk mund të flas për politikë. Unë kam pranuar të marr pjesë në një institucion që nuk është politikë por mbikëqyrës i zbatimit të ligjit”, -u shpreh Gumeni për MAPO.

Gjithsesi, ai thekson në rast se politika ka zgjidhjet e veta dhe mund të bëjë si të dojë, “është e pakënaqur tani me këta le t’i ndërrojë nesër”.

Por për deputeten ish-demokrate, tashmë nënkryetare e PDIU-së, Mesila Doda, pavarësisht mënyrës se si u zgjodh ky Autoritet, ajo shpreh besimin se me përbërjen që ofron garanci për të qenë në lartësinë e duhur në realizimin e detyrës për të hapur dosjet.

Ajo veçon nga anëtarët e këtij Autoriteti, tre prej tyre, të cilët sipas saj nuk mund të konsiderohen kurrsesi partiak.

“Për sa kohë do varet nga partitë asgjë e mirë nuk do prodhohet nga autoriteti, prandaj më mirë t’i lëmë të bëjnë punën e tyre, pasi unë nuk e di të jetë asnjëri nga ata partiak, të paktën Genta Sula, Daut Gumeni dhe Simon Miraka nuk janë njerëz partiakë”, -u shpreh Doda, megjithëse ka rezerva të mëdha sa i përket përmbajtjes së ligjit, i cili sipas saj dosjet e ish-Sigurimit do i trajtojë vetëm për qëllime studimore dhe historike dhe nuk do bëj lustracion.

Përtej debatit për kredibilitetin e Autoritetit dhe të vet procesit të hapjeve të dosjeve të ish-Sigurimit, nisja e zbatimit të ligjit është parë si diçka pozitive.

Të paktën për vetë anëtarët e tij, të cilët gjithsesi nuk pranojnë të vënë “bast” për suksesin e tij.

“Është hera e parë që unë të paktën di që ky autorit të paraqitet para Komisionit të Ligjeve në parlament dhe të marrë miratimin e tij. Hapi i parë duket serioz”, -u shpreh Miraka.

Ndërsa Gumeni kërkon të jetë optimist se diçka pozitive mund të bëhet nëse politika do ta lërë Autoritetin të punojë.

“Unë shpresoj që të jetë e treta e vërteta siç thotë populli, pastaj se sa do jemi në gjendje që të bëjmë një gjë për të qenë kjo s’i dihet, mbetet për t’u parë”, -shtoi ai.

Nga ana tjetër deputetja Mesila Doda gjykon se me “ngritjen e këtij Autoriteti është bërë një gjysmë hapi i mirë përpara, por nuk është i gjithë ai që duhet”.

Votimi në Kuvend për Autoritetin që do hapë dosjet

Gentiana Sula e propozuar nga Këshilli i Ministrave – 77 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim

Altin Hoxha i propozuar nga LSI – 76 vota pro, 1 kundër dhe 3 abstenim

Mariglen Kasmi i propozuar nga PS – 77 vota pro dhe 3 kundër

Daut Gumeni i propozuar nga shoqata e ish-të përndjekurve politikë – 76 vota pro

Simon Miraka i propozuar nga shoqata e të Drejtave të Njeriut – 75 vota

Selami Zalli i propozuar nga PD – 67 vota kundër, 9 pro dhe 4 abstenim.

Neni 10 i Ligjit

Përgjegjësitë e Autoritetit

  1. Autoriteti ka këto përgjegjësi:
  2. a) grumbullimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit për qëllimet dhe sipas procedurave të parashikuara nga ky ligj;
  3. b) vlerësimin, renditjen, evidentimin, ruajtjen dhe administrimin e dokumenteve, sipas rregullave dhe parimeve të legjislacionit në fuqi për arkivat;
  4. c) bashkëpunimin dhe bashkërendimin e punës me autoritetet publike dhe arkivat për qëllime të zbatimit të këtij ligji;

ç) dhënien e informacioneve e të njoftimeve mbi dokumentet, si dhe garantimin e shqyrtimit dhe dorëzimin e tyre për kërkuesit;

  1. d) mbështetjen e kërkimit shkencor gjatë rishqyrtimit historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet garantimit të mundësisë për shqyrtimin e dokumenteve dhe dorëzimin e dublikatave të dokumenteve;
  2. dh) informimin e individëve, institucioneve kushtetuese, autoriteteve publike dhe subjekteve të tjera të interesuara, sipas këtij ligji.
  3. Autoriteti raporton për veprimtarinë e tij përpara Kuvendit, një herë në vit, si dhe sa herë i kërkohet nga Kuvendi.
loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Fotot e parkut të fëmijëve: Rama dhe Nishani ndezin luftën

Tashmë kur kanë mbetur pak orë përpara se parku i fëmijëve në...
Read More