Pikëpyetjet e vetingut

Vihet në pikëpyetje puna e Kolegjit të Pavarur të Kualifikimit, pasi 25 % e vendimeve ankimohen në KPA. Standardet e dyfishta të vlerësimit thellohen edhe më shumë pas zbardhjes së vendimeve nga KPK për disa gjyqtarë dhe prokurorë.  

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) që po kryen vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, po vihet përballë dyshimeve së paku mbi aftësitë profesionale të tyre. Ka një lloj sëpate të mprehtë që bie mbi disa gjyqtarë dhe prokurorë, që i kanë shkarkuar edhe pse nuk kanë deklaruar metrat katrorë të një garazhi. Megjithatë ky “ritëm” nuk është mbajtur i njëjtë, pasi janë dhënë edhe vlerësime që çedojnë, ku anëtarë të KPK-së rrëzuan raportet e DSIK, apo kanë dhënë vendime për konfirmim në detyrë për gjyqtarë dhe prokurorë që kishin probleme në justifikimin e pasurive të shumta. Nuk është më vetëm një perceptim, por KPK po vihet në vështirësi edhe nga numri i lartë i ankimimeve që kanë ardhur pas konfirmimit në detyrë të disa personazheve të njohur të drejtësisë. ONM (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit) apo edhe Komisioneri Publik, kanë apeluar vendimet e KPK-së për disa gjyqtarë dhe prokurorë. Nga muaji mars dhe deri në fillim të gushtit, KPK mori në shqyrtim 47 gjyqtarë dhe prokurorë, që bënin pjesë në listën proritare, prej tyre 27 u konfirmuan në detyrë, ndërsa 20 të tjerë u shkarkuan. Mjaft interesante janë vendimet e zbardhura të KPK-së, që kanë ngritur hije të forta dyshimi mbi pavarësinë e këtij institucioni të rëndësishëm, apo edhe aftësinë profesionale të një pjesë të anëtarëve të KPK-së. Ndonëse në vlerësimin paraprak, gjatë dëgjesës publike janë vënë në dukje mangësi, apo edhe “akuza” për fshehje pasurie, disa gjyqtarë dhe prokurorë kanë mundur të kalojnë vettingun në vendimin final. Në shumicën e rasteve, një nga anëtarët e treshesh gjyqësore të KPK-së ka dalë kundër kolegëve të tyre. Argumentet që jepen në zbardhjen e plotë të vendimit duket se kanë sjellë një tjetër reagim në këto ditë gushti, kur vetë KPK është me pushime. Komisioneri Publik është duke shqyrtuar disa nga çështjet e zbardhura të konfirmimeve, një pjesë e mirë e të cilave mund të ankimohen në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

ONM e pakënaqur

Gjatë procesit të rivlerësimit, në sallën e KPK-së gjatë dëgjesës publike para se të merret vendimi janë edhe përfaqësues të ONM-së (Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit). Në bazë të ligjit të vettingut përfaqësuesit e huaj kanë të drejtë të bëjnë pyetje subjekteve të rivlerësimit për çdo paqartësi, apo provë të paraqitur si nga subjektet ashtu edhe nga ekspertët e KPK-së. Më pas, nëse vlerësojnë se konfirmimi në detyrë është i dyshimtë dhe nuk janë marrë në konsideratë provat dhe hetimi i thelluar, atëherë ONM ka të drejtë të rekomandojë në institucionin e Komisionerit Publik ankimimin e vendimit. Deri më tani, nga 27 persona të konfirmuar në detyrë, nga ONM është kërkuar apelimi për gjashtë subjekte, përfshi edhe për dy njerëzit më të lartë të sistemit të drejtësisë, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja dhe atë të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori. Ndërsa lista e ONM-së plotësohet me Alma Bratin gjyqtare, Gentjan Medja gjyqtar, Gentian Osmani prokuror dhe Artur Malaj gjyqtar. Rreth 25 për qind e të konfirmuarve në detyrë deri më tani janë ankimuar, por lista mund të zgjerohet edhe më shumë, kur të dalin vendimet e zbardhura të KPK-së për pjesën tjetër.

Verifikim vetëm në një pikë…

Kolegji i Pavarur i Kualifikimit kryen inspektim dhe në fund jep përfundimet në lidhje me pasuritë e subjekteve të rivlerësimit, aftësitë profesionale dhe integritetin e figurës. Presupozohet që për disa muaj me radhë ekspertët e KPK-së të kenë siguruar të dhëna në lidhje me tre shtyllat e kontrollit. Deri më tani është marrë në konsideratë kryesisht çështja e justifikimit të pasurisë. Në këtë pikë, 20 gjyqtarë dhe prokurorë nuk kanë mundur të justifikojnë pasurinë, madje ka pasur nga ata që menduan se mund të kalonin këtë proces edhe duke deklaruar se kanë fituar deri 5 milionë lekë të rinj në lotari sportive. Konstatohet se KPK nuk është futur në verifikimin e thellë të aftësive profesionale apo në integritetin e figurës. Shumë denoncime nga ana e qytetarëve kanë ardhur ndaj disa prej gjyqtarëve dhe prokurorëve tashmë të konfirmuar në detyrë, por që të gjitha janë rrëzuar nga KPK. Në lidhje me aftësitë profesionale, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte mundësitë që të tregonte edhe vetë një performancë më të mirë. Mjafton që të shihen sa dosje kanë kaluar në shqyrtim brenda një viti nga subjektet e rivlerësimit, nëse i kanë zbardhur në kohë dhe sa prej vendimeve janë kthyer në shkallët e tjera të gjyqësorit. KPK duket se me disa vendime rrëzoi edhe vetë punën e saj, pasi ndonëse ka konfirmuar në detyrë një pjesë të gjyqtarëve dhe prokurorëve në vendimin përfundimtar shprehen se: “Kanë aftësi minimale profesionale, por marrin vlerësimin kalueshëm dhe konfirmohen në detyrë”. Në shtator do të nisë sërish procesi i vettingut, ku do të jenë në listën prioritare gjyqtarët e dhe prokurorët e Apelit. Standardi i krijuar deri më tani është “kampion” i mjaftueshëm për të kuptuar ecurinë e mëtejshme të vettingut. KPK ka treguar se në disa raste është akuzuar për standard të dyfishtë në vlerësimet përfundimtare që kanë dhënë. Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë Artan Broci menjëherë pasi mësoi se u shkarkua reagoi duke vënë në diskutim procesin e shumëpritur të vettingut. “KPK si komisarët politikë të kryeministrit, nuk dolën dot nga urdhrat politikë”-deklaroi Broci. Gjithashtu edhe Partia Demokratike disa herë radhazi ka reaguar teksa e quan procesin e vettingut si të kapur nga kryeministri Edi Rama.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi Read More