“Piktogramet ‘e shkruara’ në prehistorinë tonë po zhduken”

shpend benguMisteri ishte tema e janarit për 160 qytete të botës, që organizojnë CreativeMornings. E zgjedhur nga CM Houston, në këtë edicion në Tiranë ka folur lektori dhe artisti i njohur Shpend Bengu duke u fokusuar në misterin e Guvës së Lepenicës, një kryevepër e “shkruar” në piktograme paraqitur në Laboratorin e Grafikës Artistike dhe Multimedias të Universitetit Europian të Tiranës

Kozmosi është brenda nesh, ne jemi të përbërë nga materiali i yjeve, ne jemi një nga mënyrat që universi të njohë veten, me këtë thënie të Carl Sagan, artisti Shpend Bengu nis “udhëtimin” astral drejt piktogrameve “ të shkruara”, si gjuhë komunikimi në prehistori, që njeh intepretime dhe dyshime, ndonëse i përkasin një “gjuhe” të njëjtë, asaj universale të komunikimit pamor (vizual).

Konsideruar si një prej mistereve që ende nuk ka marrë formë të prerë interpretimi, duke shënuar një lëmi antropologësh që i afrohen me përfundime por me plot dyshime, Bengu e ka rimarrë si fokus në temën e misterit të ofruar nga ky edicion i CreativeMornings.

Kjo ka qenë tema e janarit për 160 qytete të botës, e zgjedhur nga CM Houston ku, në Tiranë për këtë, dje, ka folur Bengu, në Laboratorin e Grafikës Artistike dhe Multimedias në Universitetin Europian të Tiranës. Tërhequr në tri vështrime të piktogrameve “të shkruara”, atë global, lokal dhe personal, Bengu ka mundur të ngjallë e të sensibilizojë mbi rëndësinë e njohjes së këtyre piktogrameve që lidh botën e universin në një gjest komunikimi të përbashkët në prehistori.

Por nga ana tjetër, ky prezantim vjen në një këndvështrim të ri, edhe të një lënde të re që do të zhvillohet në UET, Antropologjia konceptuale e themeluar që në 2001 nga prof. Emmanuel Anati, ish- drejtor i COMOS, qendër e studimeve të UNESCO-s.

“Vetë ekzistenca jonë është një mister. Kalimi dhe transformimi ynë nga një substancë në tjetrën, në ekzistencën tonë të përkohshme, në realitete të ndryshme, për t’u kthyer sërish në pluhur kozmik është një mister më vete. I gjithë ky mister nis me një akt ngjizjeje. Gjatë 9 muajve në një univers likuid ne përjetojmë në memorien tonë të gjitha transformimet dhe eksperiencat e species sonë gjatë miliona viteve. Pas kalimit të përgjakshëm nga realiteti likuid në atë tokësor, ekzistenca dhe memoria jonë në këtë realitet është shumë e shkurtër në krahasim me kohën që na është dashur për të ardhur deri këtu…” Në këtë sinops të aspektit global, Bengu shpjegon më tej se gjatë ekzistencës në realitetin tokësor, kemi kërkuar gjithnjë që të lëmë një shenjë në memorien tonë, si mesazh të kësaj ekzistence për pasardhësit tanë. Të tilla janë dhe mesazhet e piktogrameve dhe petroglifeve të paraardhesve tanë prehistorikë në Shqipëri, të cilat ashtu si dhe në shumë vende të tjera të botës mbeten ende një mister.

Përveçse studimit të një fenomeni global, Bengu përqendrohet më shumë në imazhe piktografike të mbushura me analogji të tilla. Ai thotë se mjaft studiues të njohur në Evropë, kanë tentuar që këtë lloj trashëgimie ta quajnë si një gjuhë piktografike duke e analizuar me rregullat e gramatikës së sotme të gjuhës. Por, këtu është hezitimi i studiuesit tonë, duke thënë se një analizë e tillë, sipas tij, është e pamundur të bëhet nëpërmjet këtij interpretimi.  Duke marrë vetëm një pjesë të piktogrameve, paraqitur në formën e një tabele të realizuar nga astrofizikanti amerikan Anthony Peratt, ku në krye vë piktogramin e njohur nga prehistoria shqiptare, Bengu citon se vetëm përmes tyre mund të kuptojmë se 15 deri 20  mijë vjet përpara me to kuptoheshin të gjithë popujt indoevropianë (cit. prof. Emmanuel Anati). Por, në këtë aspekt Bengu thotë se mbi mjaft ide të përhapura ka rezerva, duke mbështetur teorinë e difuzionit se si shpërndahet ky lloj piktogrami në Trashëgiminë Jomateriale të një populli, si e vetmja trashëgimi e cila zhvillohet shumë ngadalë nëse nuk e prekin kulturat materiale të tjera të mëdha.

Në këtë histori, përmendet Edith Durham si një nga studiueset, antropologet që u mor me piktogramet e gjetura në Shqipëri e sidomos me tatuazhet duke na i lënë të publikuara këto dëshmi. Ndërsa tatuazhet në Ballkan, saktëson Bengu  ishin të njohura tashmë në kulturat neolitike dhe vazhdojnë ende sot në këto zona. Përsa i përket kulturës ilire të tatuazhit, shpjegohet se ajo ka mbijetuar vetëm në dy vende të njohura. Bosnjë dhe Shqipërinë e Veriut. Tradita e tatuazhit sipas historianit grek Strabonit, ishte shumë e përhapur tek Ilirët.

Referuar Durhamit, Bengu vazhdon më tej se duke parë me vëmendje shënimet, vizatimet dhe fotot e saj, ajo është shumë e interesuar në lidhje me disa simbole si përshembull: dielli, hëna, gjarpëri e mbi të gjitha “kryqi i çuditshëm” të cilin ajo nuk mundi ta shohë përtej pragut të simbologjisë kristiane.

Artisti në këtë shpjegim i referohet guvës së Lepenicës, “e shkruar” me piktograme, që përbën një prej kryeveprave jo vetëm të historisë dhe të artit shqiptar, por edhe atij botëror. Këto piktograme misterioze, sipas Bengut edhe pse të ndërthurura në Trashëgiminë Jomateriale shqiptare, mbeten ende të panjohura në historinë dhe artin e popullit shqiptar.

Bengu paraqet një tabele me piktogramet “e shkruara”, në krye një prej tyre ajo më simbolikja nga prehistoria shqiptare. Në këtë kontekst lokal, artisti duke iu referuar Guvës së Lepenicës, ku ndodhen piktogramet  “e shkruara” tregon për vizitën e parë në 2005, kur ka parë pikturat në shkëmb. Me këto piktograme, mendon Bengu duhet të nisë historia jonë e Shqipërisë, janë piktura në shkëmb, që mendohet se i takojnë mijëvjeçarit të tretë para Krishtit, në analogji me vendet e tjera.

“Atëhere kam shkuar deri në Guvën e Lepenicës duke bërë dokumentimin e parë të këtij objekti”, thotë Bengu, një objekt tashmë i shkatërruar, i zhgarravitur me thikë, zigzage. Tregon se ka vënë në alarm mediat, ka hedhur nga paratë e tij për ta mbrojtur por nuk ka hasur asnjë ndjeshmëri shtetërore për të lëvizur e mbrojtur. Vizita tjetër ka qenë ajo e studentëve të tij në vitin 2008, të cilët e gjetën pothuajse të shkatërruar përfundimisht, pa asnjë tabelë të shkruar: “Monument Kulture”, në këtë simbol të kulturës prehistorike, shqiptare.

“Prej shumë vitesh kam punuar për marrjen në konsideratë të rëndësisë së tyre si dhe në promovimin e kësaj trashëgimie misterioze, e cila na lidh me popujt e tjerë të botës. Një nga piktogramet e kësaj guve e kam përdorur si logo përfaqësuese të punës sime.”

Nga studimet që janë bërë ashtu siç quhet “Guva e Shkruar e Lepenicës”, ndodhet në rrjedhën e mesme të Lumit të Vlorës, 800 m mbi nivelin e detit, në faqen lindore të malit të Lepenicës dhe është Grama me mbishkrimet historike, një ndër mrekullitë e fshehura të asaj zone. Edhe pse ky objekt i zbuluar nga prof Myzafer Korkuti, u bë i njohur për studiuesit dhe vizitorët vetëm pas viteve 1970, ai paraqet 19 figura antropomorfe njerëzish të stilizuara, 8 figura gjeometrike të çrregullta, ku në qendër të tij është edhe figura e një njeriu, që tregon një kult, një nderim ndaj njeriut, nga ku mendohet se kjo pikturë i përket fundit të mijëvjeçarit III p.e.s. Vizatimet e realizuar me bojë minerali ngjyrë kafe dhe që datojnë në mijëvjeçarin e tretë para Krishtit, flasin dhe tregojnë gjithashtu edhe për një nivel të lartë të artit neolitik në vendin tonë.

Për të kaluar, nga Bosnja në lokalen tonë, e mandej në aspektin individual në praktikën e piktogrameve transferuar në Trashëgiminë Jomateriale shqiptare, Bengu sjell rastin e studentit të dizajnit pranë UET, Agustin Luli,  I cili jep shembullin në dizajnin e gdhendjes në dru, apo punime veshjeje ku piktogramet tani kanë kontekste trashëgimie. Është një punë gjashtëmujore e diplomës për ta rivitalizuar me motive prehistorike shqiptare.

Në këtë përpjekje Bengu përmend punën e jashtëzakonshme që ka bërë edhe studiuesi Gëzim Uruçi i cili para se të vdiste i tregon se i ka dërguar një dosje që kishte vizituar të gjitha tatuazhet që ai kishte pasur rastin të shikonte në të gjithë zonën e Shqipërisë.

Nuk gjenden foto, por ka ekzistuar një personazh shqiptar, që s’dua t’ia përmend emrin thotë Bengu, i cili thotë se ka pasur fotografi, por aparati i ka rënë në lumin e Thethit ku mendohet të kenë qenë imazhet e fundit të shqiptarëve me tatuazhet e traditës shqiptare. Për të kaluar në trashëgiminë tonë popullore përmendet kostumi popullor i Mirditës, që deri në vitet ‘40-’50, ashtu si dhe të tjera, i ruanin të pastra piktogramet prehistorike që siç pohon dhe akademiku Mark Tirta ka evoluar në kohë dhe hapësirë,  por pas ’90-ës këto pothuaj u zhdukën, duke mos pasur më gjurmë të këtij arketipi ashtu si zhgarravinat me thikë në guvën e Lepenicës.

Në këtë situatë, Bengu thotë se në trashgiminë tonë popullore u janë larguar dhe e kanë humbur tani përgjithmonë kuptimin e piktogrameve, të trashëguara nga trashëgimia prehistorike në Shqipëri. Piktogrami i njeriut kozmik e quaj unë- thotë Bengu.

Ndonëse intepretimi ka qenë i debatueshëm, tani po shkon edhe më keq duke u transferuar jo si kuptim, por si shenja që nuk mbartin as vlerën origjinale. Në dallim me këto kontekste lokale, dhe në atë botërore, Bengu vëren se “piktogramet e realizuara për mundësinë e komunikimit me inteligjenca jashtëtokësore janë vendosur në disa anije kozmike që janë dërguar në hapësirë për eksplorimin e saj. Piktogramet e vendosura në këto pllaka janë bazuar në traditën dhe simbolet e komunikimit pamor të piktogrameve të Artit Prehistorik”.

Megjithatë, Bengu  mendon se zbulimi dhe shkodimi i piktogrameve prehistorike, do të hapte një faqe të re në historinë e memories dhe të ekzistencës së njerëzimt në planetin Tokë.

V.M

Shkruar Nga
More from revista mapo

Ismail Kadare: Jam i prekur nga “shteti” im

Presidenti i Republikës Bujar Nishani, ka dekoruar dje me Flamurin Kombëtar, shkrimtarin...
Read More