‘Piramida e shpirtrave’ e Virgjil Muçit fiton Çmimin Kadare

Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës promovuan sot në ambientet e UET romanin e shkrimtarit Virgjil Muçi “Piramida e Shpirtrave”, i cili është dhe fituesi i edicionit të katërt të Çmimit Kadare. Gjatë këtij promovimi, shkrimtarit Virgjil Muçi do i jepet dhe trofeu i Çmimit Kadare 2018.

Muçi u vlerësua nga juria me veprën në dorëshkrim “Piramida e shpirtrave” me motivacionin “Për mënyrën se si ndërton përmes gjuhës rrugëtimin jetësor. Një grotesk ndaj banalitetit, i cili kërkon të zbehë njerëzoren, të shenjtën, duke e zëvendësuar me përshtatjen e pafundme”.

Romani “Piramida e shpirtrave” është një satirë e asaj që në mënyrë eufemistike si nga politika vendase ashtu edhe të huajt (këtu nuk mbeten pas as mediat) quhet periudhë tranzicioni në Shqipëri. Autori është përpjekur për të dhënë një tablo realiste të së përditshmes shqiptare, edhe pse është i vetëdijshëm se në këtë garë të pabarabartë shpesh realiteti ia kalon fantazisë më pjellore, duke e bërë shkrimtarin të ndihet i pafuqishëm

Virgjil Muçi u lind në Tiranë më 18 gusht 1956. Veprimtaria e tij letrare e artistike është tejet e gjerë dhe e larmishme. Autor i më se 10 librave që rrokin një krijimtari që zë fill me prozën e shkurtër e të gjatë, për të vijuar më pas me poezinë, kinematografinë dhe së fundi, edhe në lëmin e kritikës letrare.

Ky është i vetmi çmim privat që ndahet në Shqipëri e në rajon me shpërblimin financiar 10 mijë euro, ku romani i shkrimtarit Virgjil Muçi fitoi pas një përzgjedhjeje në fazën finale, nga konkurrimi i sivjetmë i 32 veprave në dorëshkrim. Prurjet për çmimin Kadare kanë qenë të konsiderueshme, dhe në këto katër edicione kanë hyrë në garë më shumë se 105 autorë.

Virgjil Muçi u shpall fitues i Çmimit Kadare për vitin 2018 në “Ditët Letrare të Razmës”, një aktivitet i përvitshëm tashmë i kthyer në traditë për të katërtin vit radhazi, i cili u organizua nga Departamenti i Marrëdhënieve Publike dhe Komunikimit të Universitetit Europian të Tiranës.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Kroacia nuk e ekstradon Ismail Morinën në Serbi

  Ministria kroate e drejtësisë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë...
Read More