Plani i Qeverisë, 2.2 milionë euro për komunitetin LGBTI



LGBTZbardhet Plani i Veprimit të qeverisë për 2016-2020, për të drejtat dhe liritë e personave LGBTI. Sipas këtij plani, në vendin tonë llogariten rreth 900 persona të këtij komuniteti. Politika favorizuese strehimi dhe punësimi. Njohje e së drejtës për të ndërruar gjini

Pjesë e vendimmarrjes së qeverisë në mbledhjen e fundit të saj, ishte edhe miratimi i Planit Kombëtar të Veprimit (PKV) për personat LGBTI në Shqipëri 2016-2020.

Plani që vjen në kuadër të plotësimit të disa detyrimeve që i lindin vendit tonë në kuadër të plotësimit të prioritetit 5 të procesit të integrimit të BE.

Plani i miratuar jep një panoramë të përgjithshme të gjendjes aktuale të barazisë, mosdiskriminimit dhe të drejtave njerëzore të personave lesbike, gei, biseksualë, transgjinorë dhe ndërseksualë (LGBTI) në Shqipëri dhe propozon masat për të avancuar më tej të drejtat e njeriut të personave LGBTI në Shqipëri.

Në vija të përgjithshme, ky plan parashikon politika dhe hapa konkretë në drejtim të punësimit dhe strehimit të garantuar për këta persona, sigurimin e së drejtës për të ndryshuar gjininë dhe një mbështetje financiare prej 2.2 milionë euro për mbështetjen e këtyre politikave për rreth 900 persona të kësaj kategorie, që sipas këtij dokumenti jetojnë në vendin tonë.

Situata aktuale

Plani Kombëtar i Veprimit për personat LGBTI paraqet fillimisht një pasqyrë të situatës aktuale në të cilën ndodhet dhe jeton ky komunitet, duke evidentuar vështirësitë e shumta me të cilat ata hasen kryesisht për shkak të diskriminimit të shoqërisë shqiptare.

Ashtu si dhe në eksperiencat ndërkombëtare, situata e personave LGBTI në Shqipëri rezulton të jetë më e mirë në qytete të mëdha dhe veçanërisht në kryeqytet.

Ka një tendencë të personave të rinj LGBTI, që të zhvendosen drejt qyteteve të vogla dhe të mëdha me qëllim që të gjejnë mbështetje në persona, grupime apo komunitete në situatë të ngjashme, për më shumë siguri, mundësi punësimi, mjedis fizik dhe kulturor më përfshirës.

Pavarësisht se në Shqipëri ka dispozita ligjore, të cilat mbrojnë personat LGBTI nga diskriminimi dhe ndalon gjuhën e urrejtjes në të gjitha fushat, përfshirë dhe edukimin parauniversitar, përvoja tregon se pabarazia dhe mungesa e të kuptuarit të të drejtave të njeriut të personave LGBTI në shoqëri, mbizotëron.

Ofruesit e shërbimeve që vendosin edhe kontaktet e para me publikun në fushat e shëndetit, arsimit, zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit, jo gjithnjë e kuptojnë apo vlerësojnë bazën legjislative dhe zbatimin e saj në rastin e personave LGBTI.

Referuar studimit “Perceptimet e punonjësve vendorë mbi shërbimet miqësore ndaj personave LGBTI” në 6 qytete të vendit, rezulton se 12.9% e tyre nuk kanë informacion mbi personat LGBT dhe 15.2% kishin marrë informacion prej trajnimeve dhe seminareve, 75.1 % deklarojnë se nuk janë trajnuar asnjëherë mbi ketë temë dhe mbi 60% do të donin të trajnoheshin.

Sipas indeksit Rainbow Europe 2015 të ILGA-Europe, Shqipëria klasifikohet me 42%.

Ky është indeksi i tretë më i lartë në Ballkan, ku Kroacia e ka 71%, Mali i Zi 46% dhe Greqia 39%.

Me këtë klasifikim, duket qartë se ka mundësi të bëhet një përparim akoma më i madh.

Plani

Në bazë të vlerësimit të situatës aktuale të personave LGBTI në Shqipëri, propozohet një model dinamik ndryshimi, i cili përfshin masa për legjislacionin, politikën sociale, administratën publike dhe shërbimet, me qëllim për të krijuar një kulturë përfshirjeje dhe hapjeje ndaj diversitetit dhe për forcimin e komunitetit të LGBTI-ve.

Në Planin Kombëtar të Veprimit, paraqitet një listë e detajuar e aktiviteteve me afate kohore dhe institucionet përgjegjëse të përcaktuara, të cilat janë parashikuar për t’u zbatuar gjatë periudhës 2016-2020.

Për arritjen e qëllimeve dhe objektivave të PKV-së janë parashikuar ndërhyrje në disa nivele duke përfshirë zhvillime legjislative, politika, përafrimin me politika dhe strategji të tjera të përfshirjes, programimin dhe ofrimin e shërbimeve të standardizuara, trajnimin e stafeve profesionale dhe ofruesve të shërbimeve.

Më konkretisht, plani parashikon disa objektiva: krijimin e Grupit Kombëtar të Zbatimit dhe Koordinimit (GKZK) për të monitoruar zbatimin e ecurisë së PKV 2016-2020; identifikohen boshllëqet në legjislacion për të garantuar mosdiskriminimin dhe të drejtat e personave LGBTI; të rritet ndërgjegjësimi i punonjësve civilë mbi të drejtat e komunitetit LGBTI dhe mbrojtjen e tyre ligjore, si dhe të fuqizohet shoqëria civile në mbrojtje të të drejtave të këtij komuniteti.

Plani parashikon politika të diferencuara punësimi të garantuar për personat LGBTI, nëpërmjet informimit dhe ndërgjegjësimit të punëdhënësve dhe ofrimit të programeve lehtësuese për punësim.

Gjithashtu, plani parashikon detyrimin për strehim të garantuar të personave LGBTI nëpërmjet krijimit të programeve lehtësuese të strehimit dhe shërbimeve të standardizuara të strehimit të sigurt.

Sa i përket kuadrit ligjor, Plani parashikon ndryshime në ligje dhe në kode, duke garantuar të drejtën e azilit dhe atë të regjistrimit të ndryshimit të gjinisë.

Mbështetja financiare

Për të mbështetur zbatimin e tij, qeveria ka parashikuar buxhetin për secilin aktivitet, objektiv specifik dhe qëllim strategjik.

Buxheti i përgjithshëm për realizimin e këtij është rreth 306.2 milion lekë të rinj ose afërsisht 2.2 milionë euro.

Buxheti është hartuar mbështetur në koston e secilit aktivitet të pasqyruar në planin e veprimit dhe kohështrirjen e tij.

Metodologjia e zbatuar për llogaritjen e kostove paraqet një kombinim të metodave që mund të përdoren në rastet e strategjive ndërsektoriale.

Buxhetin më të madh e kërkon objektivi që ka të bëjë me fuqizimin e shoqërisë civile në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTI me 26.5%.

Rezultatet e pritshme:

-Krijimi i GKZK i përbërë nga përfaqësues të MMSR dhe ministrive të linjës, si dhe përfaqësues të organizatave LGBTI, i cili do të koordinojë dhe monitorojë zbatimin hap pas hapi të PKV-së.

-Një analizë komplekse vlerësuese mbi legjislacionin ekzistues dhe një paketë rekomandimesh lidhur me boshllëqet e kuadrit ligjor në fushën e mbrojtjes së të drejtave dhe mosdiskriminimit.

-Ndryshime në kode dhe ligje specifike për të garantuar më shumë të drejta për personat LGBTI.

-Ofrimi i një shërbimi më të përshtatshëm dhe efektiv në ZP për personat LGBTI.

-Krijimi i sipërmarrjeve dhe bizneseve sociale për fuqizimin ekonomik të personave LGBTI.

-Rishikimi dhe përshtatja e kurrikulave dhe teksteve shkollore në të gjitha nivelet e arsimit për reduktimin e diskriminimit të personave LGBTI.

-Ndërgjegjësimi dhe rritja e kapaciteteve të punonjësve arsimorë mbi çështjet LGBTI.

-Garantimi i mbrojtjes së të drejtave në institucionet arsimore në nivel kombëtar.

-Zhvillimi i protokolleve administrative për të siguruar shmangien e diskriminimit dhe përfshirjen e personave LGBTI në programet e strehimit social.

-Rritja e ndërgjegjësimit të ofruesve të programeve sociale të strehimit në nivel qendror, rajonal dhe vendor.

-Ofrimi i shërbimeve të standardizuara të strehimit të sigurt për personat e pastrehë për arsye të OSIGJ.

-Njohja e të drejtës për azil për shkak të OSIGJ.

-Krijimi i politikave përfshirëse për azil për personat LGBTI.

KE: Shqipëria, të bëjë të mundur ndryshimin e emrit dhe gjinisë në dokumente

Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI), i themeluar nga Këshilli i Evropës, si një organ i pavarur monitorimi për të drejtat e njeriut dhe i specializuar në çështjet e lidhura me racizmin dhe intolerancën në raportin për Shqipërinë për vitin 2015, rekomandon që autoritetet shqiptare të marrin masat e nevojshme për të garantuar njohjen e plotë ligjore të ndryshimit të gjinisë së personit, në veçanti duke bërë të mundur ndryshimin e emrit dhe gjinisë në dokumentet zyrtare në mënyrë të shpejtë, transparente dhe të aksesueshme.

Në këtë raport, ECRI i kërkon Shqipërisë që autoritetet të kryejnë kërkime sistematike dhe mbledhje të dhënash lidhur me intolerancën dhe diskriminimin për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, përfshirë një sondazh për qëndrimin e përgjithshëm me pyetje të lidhura me LGBT-të.

Gjithashtu, një tjetër rekomandim i ECRI-së është krijimi pa vonesë i një grupi pune ndërministerial për çështjet LGBT, për të siguruar koordinimin ndërmjet organeve përgjegjëse, kontakte të rregullta me OJQ-të e LGBT-ve dhe zbatim të shpejtë të të gjitha projekteve të Planit të Veprimit për mosdiskriminimin për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor 2012-2014, i cili duhet të financohet siç duhet.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Ilir Meta, presion apo skenar për rrëzimin e Ramës

Nga Armand Shkullaku Lëvizja Socialiste për Integrim, për herë të parë që...
Read More