Po digjen urat me Europën

erdogan

Turqia po i afrohet pikës pa kthim në marrëdhëniet e saj me Europën Perëndimore, shkruante De Telegraaf (Holandë) në një editorial. Gjatë javës që kaloi, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan e ka quajtur qeverinë tonë “mbetje të nazistëve” – duke i bërë jehonë një fyerjeje që ai hodhi ndaj udhëheqjes gjermane pak ditë më herët – dhe fajësoi Holandën për masakrën më të rëndë që ka ndodhur në Europë, qysh prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.

“Ne e dimë sa i prishur është karakteri i tyre, nga masakra e 800 boshnjakëve”, tha Erdogani, duke iu referuar paqeruajtëse holandezë që ndejtën pa bërë asgjë, teksa ushtarakë serbë të Bosnjës mblodhën myslimanë të Bosnjës në qytetin e Srebrenicës, në vitin 1995. Çfarë i shkaktoi këto fyerje? Erdogani është i “tërbuar”, sepse Holanda nuk do të lejojë ministra turq që të zhvillojnë takime elektorale me emigrantë turq në tokë holandeze. Turqia do të zhvillojë një referendum në muajin prill, për amendimin e kushtetutës, që do i japë Erdoganit kompetenca pothuaj diktatoriale, dhe Erdogani dëshirojë të fitojë edhe votat e abstenuesve turq që jetojnë në Europë, një elektorat relativisht i pasur prej 5 milionë personash. Qëndrimi i holandezëve ishte absolutisht i justifikuar. “Turqia të kërkojë falje për fyerjet skandaloze”.

Holandezët e konsiderojnë pozicionin e tyre të arsyeshëm, por optika ishte e shëmtuar, shkruante Cemal Yazsil tek “New Statesman” (Mbretëri e Bashkuar). Grindja aspak diplomatike nisi kur autoritetet holandeze anuluan një miting pro Erdoganit në Roterdam javën që kaloi, dhe ndaluan folësin kryesor, Ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, që të futej në vend. Kryeministri holandez, Mark Rutte tha se aktiviteti ishte anuluar për shkaqe sigurie, por është e qartë se qeveria e tij është kundër një fushate pro Erdoganit “i cili ka kërcënuar, burgosur, dhe trembur votuesit kundër në Turqi”.

Kur turqit në Holandë demonstruan në Roterdam, policia i shpërndau me forcë, duke u dhënë mbështetësve të Erdoganit në Turqi pamje televizive të mbështetësve të kryeministrit që “goditeshin me shkopinj gome dhe kafshoheshin nga qentë e policisë”.

Europa po konsumohet nga “fashizmi” shkruante Daily Sabah (Turqi). Autoritetet holandeze, jo vetëm anuluan fluturimin e ministrit tonë të jashtëm, por edhe bllokuan ministren tonë për Familjen, Fatma Betul Sayan Kaya që të hynte në konsullatën turke në Roterdam, dhe më pas e dëbuan. Zvicra dhe Austria gjithashtu e kanë bërë të qartë se ata që bëjnë fushatë pro Erdoganit nuk janë të mirëpritur, dhe Gjermania ka bllokuar disa mitingje. “Duket si një ringjallje e plotë e nazizmit në të gjithë kontinentin”.

Gjithë ky shpërthim zemërimi shkon në favor të Erdoganit në fushatën e tij – dhe ky ishte qëllimi, shkruan Herb Keinon në Jerusalem Post (Izrael). Në çdo fushatë zgjedhore, Erdogani kërkon një armik të jashtëm. Zakonisht është Izraeli, por për shkak se Erdogani beson që rruga drejt administratës Trump kalon nga Jeruzalemi, ai tani ka nevojë për ne, më shumë se sa për holandezët e gjermanët. Pasi ka burgosur me mijëra gjykatës, policë dhe burokratë turq që nga grushti i shtetit i dështuar i verës që kaloi, Erdogani gjithashtu e di se ideja që “Turqia do të bëhet pjesë e Bashkimit Europian ka vdekur”. Autokrati “nuk ka asgjë për të humbur nëse sulmon europianët”.

Shkruar Nga
More from Revista User

A është njësoj sikur të tradhtojë femra, sikur të tradhtojë mashkulli? Ekspertët thonë se jo

Çdo njeri ka arsye të ndryshme se përse tradhton – disa janë...
Read More