Po Ministri i Brendshëm kur do ta shkarkojë Kryeministrin Rama?!

Nga Ervis Iljazaj

Dje ndodhi e pamendueshmja. Kryeministri Edi Rama jo vetëm që nuk e shkarkoi Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, por përkundrazi, doli hapur dhe pa asnjë dyshim në mbrojtje të tij.

Edhe pse ekzistonin të gjitha kushtet për shkarkimin e ministrit, të paktën për arsye parimore dhe konfliktin e interesit në të cilin ndodhet ai, Kryeministri Rama nuk e ndërmori një hap të tillë.

Si është e mundur që një forcë politike dhe një Kryeministër të marrë një kosto politike duke mbajt në kabinetin qeverisës një ministër i cili ka një konflikt interesi të tillë?

Sepse të kuptohemi, për këtë mazhorancë vazhdimi i Xhafajt në krye të Ministrisë është një kosto politike, pasi besueshmëria e punës së saj, tashmë është në nivele të ulëta, për shkak të furtunës mediatike që krijoi kjo çështje.

Është kollaj e imagjinueshme që aksioni opozitar në këtë drejtim do të vazhdojë të mëshojë po te kjo çështje për një kohë të gjatë, dhe ndoshta kësaj here me të drejtë.

Në këtë kuptim, duket absurde që Kryeministri nuk arrin ta kuptojë këtë barrë që mban mbi supe ai vetë dhe qeverisja e tij. Megjithatë, për çdo gjë mund ta akuzosh Edi Ramën, por jo për paaftësi dhe intuitë politike.

Atëherë, e gjithë historia tregon një fakt. Faktin që, Kryeministri Rama me shumë mundësi, duket i pafuqishëm për të ndërmarrë një akt të tillë, atë të shkarkimit të Ministrit të Brendshëm.

Për të gjitha këto arsye, natyrshëm lind pyetja: Nëse Kryeministri Rama nuk arrin dot të shkarkojë ministrin e Brendshëm, atëherë, kur do ta shkarkojë ky i fundit atë?!

Sepse nga çështja Xhafaj, kuptohet që Edi Rama nuk e ka më qeverinë në kontroll të plotë.

Flitet shumë që Fatmir Xhafaj ka mbështetjen e ndërkombëtarëve, sidomos të ambasadorit Amerikan, prandaj një nga arsyet që Rama nuk e ndërmori këtë akt ishte pikërisht kjo mbështetje. Në fakt, Ambasadori Amerikan Donald Lu, si rrallë ndonjëherë në këtë çështje, zgjodhi heshtjen.

Është e vërtetë që Fatmir Xhafaj është një nga njerëzit që ka bashkëpunuar me ndërkombëtarët për Reformën në Drejtësi, dhe, për hir të së vërtetës, e ka kryer misionin e tij më së miri. Mirëpo, Reforma në Drejtësi, tashmë është një proces i pakthyeshëm. Nuk ka rëndësi se cili është personi që vë në lëvizje këtë makineri, e rëndësishme është që ky proces tanimë është i pandalshëm. Në këtë kuptim, është e pajustifikueshme ideja se nuk gjendet dot një person tjetër për të vazhduar këtë proces.

Kështu që, ka një gjë që nuk shkon me veprimet e Kryeministrit në këtë rast. Dhe, i vetmi shpjegim që mund të jepet, është humbja e pushtetit të Kryeministrit ndaj Ministrit të Brendshëm. Kjo është një gjë e paimagjinueshme në një Republikë, ku përgjegjës për pushtetin ekzekutiv është Kryeministri, dhe si i tillë, duhet të jetë i lirë të bëjë zgjedhjet e tij në fakultet të plotë. Kësaj herë ky fakultet nuk u pa të jetë i plotë.

Kohët e fundit, linjat e mëdha politike në Shqipëri, duket qartë që përcaktohen nga ndërkombëtarët. Në këtë kuptim, nuk është ndonjë çudi, që ka dhe një garë politike brenda mazhorancës se cili të atashohet sa më pranë tyre.

Prandaj, çështja e Fatmir Xhafaj dhe ndikimi që do ketë ajo te kjo qeveri, është një çështje që nuk do të kapërdihet lehtë nga opinioni publik, nga opozita, por edhe nga vetë Kryeministri Rama.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Jo partisë së strukturave, po partisë së liderit

Nga Ervis Iljazaj Astrit Patozi në vazhdimin e betejës së tij kundër...
Read More