Po ndodh diçka e rëndësishme në PD



Lulzim BashaNga Fitim Zekthi

Tre vjet pasi ka ardhur në pushtet, koalicioni i Partisë Socialiste dhe i Lëvizjes Socialiste për Integrim është duke u përballur me pamundësinë për ta mbajtur gjallë narrativën që i solli në pushtet. Rilindja është tashmë një term që nuk ka asnjë kuptim, sipas përcaktimit që iu dha atij në datën 1 prill të 2013-s kur u nënshkrua koalicioni me LSI-në. Qeverisja gjendet mes përpjekjeve të pandalshme për të rritur pushtetin dhe për të dominuar gjithë politikën dhe termat e debatit politik në vend, për të mos e bërë aq të dukshme vdekjen e narrativës së rilindjes.

Pas tri vitesh përpjekje të marrë veten, të ruajë kohezionin, të përballë goditjet e përditshme të shumicës dhe diskursin e egër anti-opozitar të saj, Partia Demokratike po shndërrohet në subjektin që po arrin të fitojë vëmendje dhe të sendërtojë një narrativë. Gjatë këtyre tri viteve opozita, e shtyrë në cep për shkak të humbjes, sulmeve të shumicës dhe pafuqisë së saj e fokusoi të gjithë vëmendjen në përkufizimin e kundërshtarit. Ajo ka denoncuar pa ndalur, përditë, në disa raste në çdo orë të ditës trafiqe, abuzime, lidhje me dyshuara me krimin, shpërdorime dhe uzurpime pushteti të shumicës.

Ka disa kohë që opozita ka dalë nga kjo gjendje dhe ka nisur të përkufizojë veten. Një betejë politike nuk mund të fitohet kurrë në qoftë se nuk bëhen dy gjëra: Përkufizimi i vetes dhe përkufizimi i kundërshtarit. Deri më tani, betejën e përkufizimit të vetes ajo duket se e kishte humbur për arsyet që i thamë (propaganda dhe gjuha e egër anti-opozitare kishte pasur ndikim të madhe në përkufizimin e opozitës), ndërsa kishte një lloj suksesi në përkufizimin e kundërshtarit.

Propozimet e Partisë Demokratike për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, për taksën e sheshtë, për përkrahjen e bujqësisë etj., po ndihmojnë në këtë drejtim, pavarësisht se ende fokusi i diskutimeve nuk është përqendruar në këta terma. Veç sulmeve të shumicës për një opozitë ‘qeveri e vjetër’, për një kryetar partie ‘drejtor kopshti’, për opozitë që shkatërroi Shqipërinë me qeverisjen e saj, që e ktheu vendin në trup që kullon gjak kudo etj. etj., këto vite ka pasur kritika edhe nga opinioni publik apo edhe nga vetë brenda saj për opozitë të dobët, për mosreflektim mbi humbjen, për moslargim të të vjetërve, për dorëzim para shumicës etj.

Në kritikat e opinionit publik dhe kritikat e brendshme, nuk mund të thuhet se nuk ka të vërteta. Çështja është për çfarë opozite flasin disa nga këto të vërteta. Më së shumti, kanë dalluar dy lloje kritikash: Ato që kërkojnë një opozitë të fortë, protesta të pandalshme për të rrëzuar qeverinë, protesta për paligjshmërinë, varfërinë, vjedhjen. Ka pasur kërkesa për protesta për largimet nga puna, për mungesën e dritave në verë në zonën e plazheve etj. etj. Ky grup mendon se opozita e Lulzim Bashës është e dobët dhe e dorëzuar. Ka pasur gjithashtu edhe kritika se Basha nuk po largon të vjetrit, ish-ministrat etj. dhe nuk po ndërton një ekip me emra të rinj.

E djathta ka në thelb të sajin vetë përmbajtjen, kujdesin, maturinë, përmirësimin e gjërave gradualisht, betejën e vazhdueshme etike për të rregulluar apo kundërshtuar diçka. Nuk ka asnjë parti të djathtë në asnjë vend demokratik të botës, që të dalë në protesta, që të thërrasë njerëzit në protesta, për çështje të tilla si: vjedhja, abuzimi, varfëria, mungesa e dritave etj. tej. Një parti politike proteston vetëm kur shkelen rregullat e demokracisë: Manipulohen zgjedhjet, burgoset opozita, thyhet rregullorja e parlamentit etj.

Një parti politike nuk mund t’ua marrë protestën punëtorëve, mësuesve, mjekëve studentëve, minatorëve etj., pasi ata nuk kanë mjet tjetër për të mbrojtur të drejtën e tyre. Një parti politike lufton në parlament ose mbështet kërkesat apo protestat e drejta të atyre që i bëjnë ato. Partitë e majta bëjnë protesta, bashkohen me sindikatat, kthehen në sindikata dhe në disa raste kthehen edhe në barrikada apo lëvizje revolucionare.

Në këtë kuptim, kritikët që duan opozitë të fortë nuk e kanë kuptuar ndoshta që PD është një parti e djathtë. Në lidhje me debatin të rinj dhe të vjetër, duhet thënë se edhe ai buron nga një kulturë tipike e majtë. Nuk ka ekzistuar kurrë në fjalorin e të djathtës një dikotomi e tillë. Për të djathtën, mosha, kronologjia, kalendari, nuk janë kategori politike.

E majta e konsideron të renë të mirë në vetvete. Për të majtën, gjithçka e re është e mirë dhe gjithçka e vjetër është e keqe. E majta nuk ka respekt për përvojën. Për të majtën përvoja nuk ka asnjë rol në njohje. Njohja e vetme është ajo që vjen nga arsyeja. Përvoja madje sipas të majtës korrupton njohjen, njeriu është tëhuajësuar si pasojë e përvojës.

Nga këtu buron edhe fakti që e majta gjithmonë iu drejtohet të rinjve, i organizon, i thërret në revolucion, në njësite guerile etj. Për të majtën, njeriu hyn në betejë të rregullojë shoqërinë, të zhdukë të keqen brenda saj dhe më pas kjo shoqëri e mirë që ka zhdukur të keqen, do të përmirësojë edhe njeriun. Për këtë arsye, e majta ka prodhuar përgjatë historisë krime monstruoze.

E djathta kërkon që gjithkush të rregullojë veten, të përmirësojë veten dhe kjo do të çojë te rregullimi i shoqërisë. Roger Scruton thotë se tek e majta, njerëzit hyjnë në politikë përmes aktivizmit, ndërsa tek e djathta përmes konsulencës, ekspertizës, aftësisë. Në PS për shembull gjithë grupi i MJAFT-it që drejton sot vendin, ka hyrë përmes aktivizmit. Edhe më herët kanë hyrë po kështu. Tek e djathta rasti i KOP-it tregon për një futje tjetër, por edhe më herët, që në themelim madje, e djathta u formua në këtë mënyrë.

Kjo vjen sepse për të djathtën, njeriu duhet të luftojë të përmirësojë veten më parë. Ndërsa e majta, kërkon aktivistë që nuk merren me veten.

Në këtë kuptim, Lulzim Basha duket se po përpiqet të gjejë një modus të tillë duke i respektuar të vjetrit dhe duke mos e parë futjen e të rinjve nga një kënd i majtë. Është shumë herët dhe është shumë pak ndoshta, por opozita po përvijon një diskurs të djathtë dhe po ndërton një narrativë.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Zbardhet vrasja e Elton Çiços: I dyshuar edhe djali i Hysni Milloshit

Tre jave pas vrasjes se Elton Çiços ne zonen e bllokut, policia...
Read More