Po përse nuk është dakord opozita me programin e qeverisë “Rama 2”?

Nga Ervis Iljazaj

Besimi  që jep Parlamenti ndaj  qeverisë në fillim të çdo sesioni të ri parlamentar, nuk është  thjesht një besim për emrat të veçantë të ministrave, por ndaj  programit  që paraqet ajo si një kusht i domosdoshëm për të marrë të gjitha funksionit që i takojnë sipas Kushtetutës.

Kjo marrëdhënie besueshmërie midis pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv ngrihet pikërisht mbi programin që çdo qeveri paraqet para se të hyjnë në fuqi të gjitha kompetencat e saj. Ky është një kusht i domosdoshëm kushtetues, i cili duhet të ekzistojë gjatë gjithë mandatit qeveritar, në të kundërt parlamenti mund t’ia heqë besimin qeverisë me një mocion dhe mund të zgjedhi një qeveri tjetër.

Në këtë kuptim, në çdo fillim sesioni diskutimet e para parlamentare fokusohen të gjitha mbi programin e qeverisë së re, si nga ana e mazhorancës, po ashtu dhe nga ajo e opozitës.

Jo vetëm politikisht, por edhe mediatikisht, në çdo vend normal vëmendja përqendrohet te programi i qeverisë për katër vitet e ardhshme për të cilin kërkon besimin e parlamentit.

Ndoshta, ky është votimi dhe momenti më i rëndësishëm politik për çdo legjislaturë. Ndërkohë, që një javë pas marrjes së betimit të qeverisë “Rama 2”, askush nuk di të thotë se cilat ishin pikat më të rëndësishme të këtij programi, pasi në të gjitha hapësirat mediatike u diskutua për çdo gjë tjetër përveçse dokumentit më të rëndësishëm, programit të qeverisë.

Padyshim, që  rolin kryesor për të  debatuar, sjell në vëmendjen e opinionit publik  dhe kritikuar çështjet e programit të qeverisë re, e ka opozita.  Programi i qeverisë “Rama 2” u anatemua, u përbuz apriori, po në asnjë fjalë nuk u shpjegua se përse ajo nuk është dakord.

Jo në kuptimin e ndonjë detaji, apo kundërshtinë sepse ishte thjesht një ‘’fletëpalosje’’, por si frymë, si mesazh politik apo si kundërshti për të dhënë perceptimin te opinioni publik si një alternativë e besueshme politike.

Mirëpo, kjo lloj politike kërkon një strategji, të cilën opozita në këto ditë të para të parlamentit të ri duket sikur nuk po arrin dot ta krijojë. Të gjitha fjalimet e deputetëve të Partisë Demokratike, por edhe vet të Kryetarit të saj nuk reflektuan një gjë të tillë.

Me ndonjë përjashtim të vogël, fjalimet e deputetëve, ishin sporadike, pa ndonjë koncept politik, ekonomik dhe  shoqëror të rëndësishëm. Opozita nuk arriti dot të krijojë një narrativë të rëndësishme se përse nuk ishte dakord me programin e Rama 2. Ky aksion politik duhet të ishte më i rëndësishmi për të në këto ditë të para. Ndërkohë që, përtej emocioneve të deputetëve të rinj, mesazhi politik që doli nga fjalimet e para parlamentare të opozitës ishin lokaliste, detajiste dhe aspak një frymë e përgjithshme opozitare.

Energjia opozitare u harxhua me çdo çështje tjetër përveçse programit dhe problemeve që shqetësojnë shqiptarët, me probleme të brendshme, akuza, denoncime personale, që nuk krijojnë një alternativë qeverisëse, por një parti politike denoncuese. Të kuptohemi, denoncimet janë të rëndësishme për një opozitë, por nuk mjaftojnë për të ndërtuar imazhin e një partie që kërkon të qeverisë vendin.

Ndoshta, programi që paraqiti qeveria  ishte i pamjaftueshëm, por detyra e  opozitës në këto raste është ti shpjegojë shqiptarëve dhe t’iu afrojë atyre një alternativë të bazuar në vizione të caktuara. Vizioni politik i opozitës  mungoi dhe, kjo është në dëm të saj dhe të  Shqipërisë. Kështu që, Partia Demokratike duhet të dali nga kjo amulli dhe të futet në rrjedhjen e një politike normale, duke shpjeguar në çdo aksion politik të saj se përse është kundra qeverisë dhe të ofrojë çdo zgjidhje për të gjitha çështjet dhe problematikat e shoqërisë,  në të kundërt,  do të  ngelet në nivelin e një organizate civile.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A nuk është e vërtetë që universitetet shtetërore janë harxhim kohe

Nga Edi Vlusha* Në jetë na ndodhin plot ngjarje që nuk varen...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *