Po vijnë gjermanët!!!

Nga Ervis Iljazaj

Po vijnë gjermanët… ishte shprehja që terrorizonte pjesën më të madhe të Europës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Padyshim që nuk bënte përjashtim as Shqipëria. E njëjta shprehje mund të përdoret pa frikë edhe në momentin që po kalon vendi sot. Gjermania dhe politika e saj është më shumë se kurrë prezente dhe me ndikim në politikën shqiptare.

Por, kësaj here, ndryshe nga shprehja e kaluar që ngjallte terror, sot, shprehja po vijnë gjermanët, ngjall te shqiptarët shpresë, ose më saktë të vetmen shpresë për të instaluar njëherë e përgjithmonë shtetin ligjor dhe për të zhvilluar njëherë e përgjithmonë luftën ndaj korrupsionit politik. Luftë e cila, pa insistimin e Gjermanisë për rastin Tahiri do përfundonte si të gjitha historitë e tjera të tranzicionit shqiptar.

Rasti i Tahirit, është rasti i parë ku një politikan i nivelit të lartë ndërpret karrierën politike për shkak të drejtësisë dhe akuzave që vijnë nga ajo. Sepse deri më tani kemi të bëjmë vetëm me akuza. Deri në një vendim përfundimtar të drejtësisë, Saimir Tahiri është i pafajshëm, dhe, është mirë ta theksojmë këtë, pasi prezumimi i pafajësisë është parim kushtetues në Shqipëri.

Megjithatë, politika shqiptare ndihet e tensionuar, sepse kjo që fillon me rastin e Tahirit, është fillimi i një procesi të pastrimit politik të pakthyeshëm. Prandaj, politika shqiptare me rastin e Tahirit ndihet e kërcënuar, dhe tensionimi i saj është i dukshëm. Në thelb, askush nga politikanët shqiptarë nuk e do arrestimin e Saimir Tahirit, pasi do të përbënte një precedent, i cili do të sillte vënien nën akuzë të politikës së korruptuar 25-vjeçare shqiptare, pa dallim ngjyre politike.

Vendi i Shqipërisë është në Bashkimin Europian, këtë e do Europa, e duan shqiptarët. Mirëpo, që të aderosh në Bashkimin Europian, ka disa kushte. Një nga më kryesorët është pikërisht funksionimi i drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit. Duan apo nuk duan politikanët shqiptarë, lufta ndaj korrupsionit politik do të zhvillohet me insistimin e ndërkombëtarëve, sidomos të SHBA dhe Berlinit.

Çdokujt që kjo i duket fantazi, apo fanta politik, ja ku e ka demonstrimin e ditëve të fundit. Lënia e mandatit të Saimir Tahirit erdhi padyshim si presion i Kancelares Merkel, sepse nuk mund të kuptohet ndryshe që vetëm dy javë më parë Tahiri shkonte në Parlament pikërisht për të mos djegur mandatin e tij, dhe pas dy javësh e lë me vullnet të “lirë”. Pra, Saimir Tahirin deri më tani e mbronte parlamenti shqiptar, por e detyroi të linte mandatin Bungtestagu gjerman. Shenjë e qartë kjo, që politika shqiptare është gjithmonë e më pak e pavarur. Sa më shumë afrohemi drejt Europës aq më shumë politika jonë futet drejt një sistemi të përcaktuar, ose një politike procedurale, që s’ka shumë liri veprimi.

Dhe e gjithë kjo politikë, udhëhiqet padyshim nga Gjermania. Hapja e negociatave apo jo e Shqipërisë varet kryesisht nga Berlini pa asnjë diskutim. Sot vullneti i Bashkimit është pothuajse vullneti i Merkel. Mund të ketë vende skeptike për zgjerimin, por vota e Gjermanisë mbetet përcaktuese. Në këtë kuptim, etapat e zgjerimit po ndiqen në mënyrë të veçantë nga Kancelarja Merkel.

Prandaj, gjithmonë e më shumë do ta kemi prezente në politikën shqiptare, ndikimin gjerman, pa asnjë dyshim. Dhe, ky është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rama, Meta, Basha e Berisha kundër Xhafajt se drejtohet nga amerikanët

Nga Spartak Ngjela 26 maji ishte krejt e krejt një protestë e...
Read More