“Poeteka”: Dy novela botërore në shqip

Botimet Poeteka sjellin në shqip dy botime, Novela botërore 1 dhe 2,  përkthyer nga Arjan dhe Silvana Leka, si pjesë e një strategjie leximi për të rinjtë, duke u njohur me autorë të rëndësishëm botërore, tre prej të cilëve janë fitues të çmimit Nobel për letërsinë. Autorët që vijnë janë nga Miguel de Cervantes, Charles Dickens, Anton Chekhov, Rudyard Kipling, Selma Lagerlof dhe Frederik Mistral etj.

Për një lexues shqiptar që përhumbet në një treg që nuk ekziston asnjë anketim sociologjik mbi natyrën e librave që lexojnë, sidomos për të rinjtë, letërsia klasike është një mur i lartë që e ka mundimin pikërisht në të kuptuarit, mbi një ndjeshmëri relative. Panairet e librave shpesh më shumë se promovojnë apo orientojnë idetë kalojnë nga bumerangu i shitjeve duke ngritur një barrierë kaotike kur fjala vjen për “shopping” të librave. Një lehtësi mbi kioskat e leximit janë botimet “Poeteka”, që këtë verë sjellin dy botime me Novela botërore  nga autorët më të rëndësishëm botërorë, të përkthyer nga Arjan dhe Silvana Leka.

Autorët janë nga: Miguel de Cervantes, Charles Dickens, Anton Chekhov, Rudyard Kipling, Selma Lagerlof dhe Frederik Mistral, Mark Twain, Leo Tolstoi, Jack London, Alphonse Daudet, Gustaf Flaubert. Mes kësaj përzgjedhjeje autoriale të prozës së shkurtër, tre prej autorëve janë fitues të çmimit Nobel. Nga Anton Chekhov vjen historia e Volodjas dhe Çeçeviçit, duke na futur në botën e peripecive të dy adoleshentëve, që duan të arratisen nga jeta e mërzitshme që ata bëjnë në qytezën e tyre të vogël dhe të mbyllur apo nga familjarët e tyre që u japin vetëm këshilla? Fantazi e Chekhov krijon atmosferën e personazheve që duan t’i ngjajmë, për të njëjtin fat. Miguel de Cervantes, me gjuhën e fabulës, sjell dialogun mes dy qenve: Berganxas dhe Shipionit. Përmes rrëfimit të jetës së tyre, jeta e njerëzve satirizohet aq shumë sa kuptojmë se sa e pandryshueshme është natyra njerëzore dhe sa të pandreqshme bëhen marrëdhëniet mes nesh kur futen më mes egoizmi dhe pasionet e verbra. Charles Dickens, ky mjeshtër i ndërtimit të karaktereve dhe situatave, në prozën e tij të fortë dhe të drejtpërdrejtë, me fjali që nuk të shlyhen lehtë nga kujtesa dhe që ke dëshirë t’i përdorësh edhe gjatë bisedave në shoqëri, rrëfen historinë e një djali të cilit i ati, një njeri i njohur, i tha se nuk po i linte pasuri tjetër, veç emrit të mirë. Ndër dilemat që na lë Dikens për të menduar: A është gjithmonë i mjaftueshëm vetëm emri i mirë? A është e mjaftueshme trashëgimia që na lënë të tjerët, në një jetë me sfida gjithmonë e më të forta? Rudyard Kipling përzien fantazinë e harlisur dhe humorin shpërthyes, kur rrëfen versionin e tij lidhur me teorinë e evolucionit të Darvinit dhe Zanafillën e Botës. E dimë se si u krijua bota, qielli dhe toka, por a e dimë si janë krijuar edhe kafshët që duam aq shumë, që i mbajmë në shtëpi dhe që kënaqemi kur nga dokumentarët në ekran mësojmë kureshti nga jeta e tyre? Kipling rrëfen shumë këndshëm historinë sesi hunda e padobishme e një elefanti të vogël plot kërshëri, arrin të bëhet një feçkë e gjatë, aq e gjatë sa me të mund të freskohet në lumë dhe të lëshojë tinguj si trombat luftarake. Mark Twain na rrëmben në botën imagjinare dhe plot humor, përmes historisë së jashtëzakonshme të Kapiten Shtrëngatës (Captain Stormfield), i cili gjatë udhëtimit të tij ndërplanetar kozmik dhe komik njëherazi, dëshiron të zbulojë nëse të famshmit në Tokë janë po aq të famshëm edhe në qiell, nëse ekziston drejtësia edhe në qiell apo ky është një koncept qesharak. Njerëz të panjohur dhe me shumë talentet, si një këpucar i cili “ka shpirtin e një poeti, por që do t’i duhet të bëjë më këpucë, siç bëri në Tokë, zë vendin e nderit në qiell dhe përfillet më shumë se William Shakespeare, Homeri, Buda, Danieli, Adami apo Jeremia. Tolstoi me dhimbje dhe emocion, sjell pamje të Rusisë dhe njerëzve të saj, përmes historisë së Poliushkas, atij që premton se do ta mbajë fjalën, se nuk do të dehet më, nuk do të bëhet qesharak dhe se do të përmbushë detyrimet e tij.

Jack London, njohësi i detit dhe i fshehtave të lundrimeve në ishuj të largët, na çon në një botë tjetër, larg qytetërimit, aty ku shpesh na çojnë ëndrrat dhe aventurat…

Historia plot fantazi e një proverbi nga Provansa franceze është stilizuar në një histori gazmore të shkruar nga Alphonse Daudet. Dhe mjeshtëria e Gustave Flaubert që ka magjepsur breza të tërë lexuesish, duke na paraqitur edhe këtë herë pëshpërimat dhe zërat e një bote misterioze përmes alegorisë së jetës së Julianit, njeriut të cilit fati i kishte parashikuar që në lindje se do të bënte gjëra të mëdha, por edhe të tmerrshme njëkohësisht, si: vrasja, incesti, dashuria e zjarrtë. Dy Novelat botërore kanë një sintezë njohjeje së paku për të kujtuar disa klasikë të harruar mbi tavolina leximi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Anri Sala: “The Last Resort”, një model i artit publik

Natyra e dyfishtë e iluminizmit është eksploruar në projektin artistik në “33rd...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.