Poliçani kundërshton projektin e Ministrisë për t’i dhënë kombinatin bullgarëve



kombinatiNdërsa projektet e bashkisë së Poliçanit për përdorimin e kombinatit të armëve janë refuzuar, kryebashkiaku Zotkaj paralajmëron se ai dhe komuniteti nuk do të lejojnë dhënien me qira tek kompania bullgare. 

Nga Lindita Çela, BIRN

Kryetari i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj ka kundërshtuar dhënien me qira  të kombinatit Mekanik të Poliçanit për llogari të një kompanie bullgare, që sipas të dhënave të siguruara nga BIRN është e lidhur me krimin e organizuar.

Reagimi i Zotkajt erdhi pas publikimit të një investigimi nga BIRN se kompania bullgare All Guns Ltd po kërkon të marrë me qira, me çmimin simbolik 1 euro, ndërmarrjen shtetërore e themeluar në vitin 1962 me qëllim përmbushjen e kërkesave të Forcave të Armatosura Shqiptare për armatim.

Që prej vitit 2014, Zotkaj ka parë tek kombinati i rrënuar i Poliçanit një mundësi për rritjen e punësimit në zonën e varfër që drejton. Përmes disa shkresave radhazi, ai i ka kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes që t’ia kalojë bashkisë pronën e nxjerrë jashtë përdorimit, por është refuzuar.

Korrespondenca mes Bashkisë së Poliçanit dhe Ministrisë së Mbrojtjes, e vënë në dispozicion nga Zotkaj tregon se bashkia po shqyrtonte projekte të reja, të cilat mund të rivitalizonin kombinatin e armëve. Propozimet lidhen me përdorimin e ambienteve të kombinatit për prodhimin e bimëve medicinale apo si vendparkim i administruar nga Bashkia.

Zotkaj i tha BIRN se është refuzuar në mënyrë të vazhdueshme, duke i prerë rrugën projekteve që do të rrisnin punësimin në qytet.

Përmes shkresave të cilat BIRN i disponon, Ministria e Mbrojtjes thotë se Kombinati Mekanik do të mbetet pronë e Forcave të Armatosura.

“Ministria e Mbrojtjes ka studiuar të gjitha mundësitë për të ofruar industritë ushtarake të vendeve aleate, për thithjen e investimeve për ringritjen e Kombinatit Mekanik, me synim përmisimin e procesit të teknologjisë….,” thuhet në një shkresë të korrikut 2015.

Ndërkohë që Bashkia e Poliçanit është refuzuar në mënyrë të vazhdueshme, Ministria e Mbrojtjes i ka hapur rrugën kërkesës së kompanisë bullgare All Guns Ltd për të marrë me qira simbolike kombinatin e Poliçanit.

Në shtator 2015, kjo kompani ka bërë kërkesë zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ka marrë përgjigje pozitive nga drejtuesit e kombinatit dhe nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

Aktualisht, kërkesa e All Guns Ltd i ka kaluar Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për shtyrtim të mëtejshëm, ndërsa ende nuk ka marrë një përgjigje përfundimtare.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë që All Guns Ltd [emri i së cilës përkthehet nga alfabeti cirilik dhe si Alguns Ltd) është krijuar në vitin 2004 në Sofje nga një ish-tregtar skrapi i quajtur Alexander Dimitrov. Aktiviteti kryesore i kësaj kompanie ka qenë tregtia e armëve.

Dimitrov ka qenë në të njëjtën kohë partner në biznes në kompaninë SIB Metal, me një prej figurave më famëkeqe të krimit të organizuar në Bullgari, Bojan Petrakiev Borisov, shpesh i thërritur me nofkën e tij “Barona.”

BIRN ka mësuar gjithashtu se përveç kompanisë Bullgare, dy kompani amerikane që operojnë në fushën ushtarake ishin  të interesuara për marrjen në shfrytëzim kombinatit së Poliçanit, por kërkesat e tyre janë hedhur poshtë.

Endri Fuga, këshilltar për median i kryeministrit i tha BIRN se përpara se të merret një vendim përfundimtar, do të kryhen të gjitha verifikimet e nevojshme për kompaninë All Guns Ltd.

“Akuzat kundër kompanisë bullgare do të verifikohen,” tha ai.

Pasi është njohur me projektin e kompanisë bullgare dhe miratimin që ai ka marrë nga Ministria e Mbrojtjes, kryebashkiaku i Poliçanit akuzon ministrinë për mungesë bashkëpunimi dhe lënie të qëllimshme të kombinatit në mëshirë të fatit. Zotkaj e cilëson kombinatin, një pasuri të komunitetit dhe paralajmëron hapa të mëtejshëm për të penguar projektin e dhënies së tij me qira.

“Bashkia e Poliçanit dhe gjithë komuniteti  nuk do të lejojnë shitjen dhe keqpërdorimin e kombinatit, me të gjitha mekanizmat  ligjorë e demokratikë kundrejt çdo institucioni publik apo privat që kërkon të cënojë pasurinë e këtij komuniteti,” përfundon Zotkaj për BIRN.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Vendi zyrtarisht në krizë, Meta kushtëzon Ramën

Ka marrë një zhvillim krejt të papritur situata politike gjatë ditës së...
Read More