Policia post Çako, në radhë të parë duhet të jetë partnere e aleatëve ndërkombëtarë

Nga Ervis Iljazaj

Dje, mbas një përfoljeje të gjatë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Kryeministri ka firmosur shkarkimin e tij nga detyra, duke i dhënë fund një dyshimi të gjatë që ishte krijuar për efikasitetin e ushtrimit të pozicionit të këtij të fundit në krye të Policisë së Shtetit.

Haki Çako, kohët e fundit, ishte në shënjestër të opozitës shqiptare duke e akuzuar atë për përdorimin e Policisë së Shtetit në trafikimin e lëndëve narkotike. Pa hyrë në këtë debat, i cili është një debat thjesht politik dhe aspak ligjor, siç duhet të jetë kur bëhet fjalë për akuza të tjera, ka një të vërtetë në të gjithë këtë histori. Nëse juridikisht ende nuk ka asnjë provë kundër tij, më së paku, ka një lloj përgjegjësie në ushtrimin e detyrës për moskontrollin e territorit ashtu sikurse e kërkon detyra.

Pasi, tashmë askush nuk mund ta mohojë që vendi ka patur në vitet e fundit një problem me kanabisin dhe në këtë kuptim, ligjërisht policia dhe drejtuesi i saj ka përgjegjësi për këtë gjendje.

Kështu që, largimi i Çakos, duhet të shërbejë si një fillim i ri për policinë shqiptare. Ndër të tjerat, duhet të jetë një polici aleate konstante e partnerëve ndërkombëtarë, dhe sidomos Shteteve të Bashkuara, me qëllim largimin e çdo hije dyshimi për politizimin e saj.

Është traditë e politikës shqiptare, që Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë ta ketë në qendër të akuzave nga të gjitha palët politike. Në fakt, nëse shohim gjatë gjithë tranzicionit shqiptar, nuk ka post të rëndësishëm që të jetë kaq shumë i diskutuar dhe që është ndryshuar kaq shpesh, sa posti i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Kjo është një provë e padiskutueshme e përdorimit politik ku shpeshherë ka rënë pre policia shqiptare duke humbur çdo mision të saj. Në këtë kuptim, deri më tani, ende nuk kemi arritur të krijojmë një politikë profesionale, larg çdo ndikimi politik.

Për këtë arsye, nuk na mbetet asnjë rrugë tjetër për të ndërtuar një polici të denjë për sfidat që ka vendi sot, përveçse aleancës së saj me partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, duke u ngritur në nivelin e besueshmërisë së tyre për interesin e shoqërisë.

Ndoshta, do të ishte e dëshirueshme, ashtu siç ndodhi me Reformën në Drejtësi, me ndikim dhe insistim të qartë ndërkombëtar dhe amerikan, një reformë në polici, që do të mbante larg çdo ministër, çdo Kryeministër apo çfarëdolloj ndikimi politik.

Megjithatë është e qartë tashmë, që pak nga pak, çdo organ ligjzbatues, duke përfshirë dhe Policinë e Shtetit, është duke u larguar nga aksesi që, tradicionalisht, politika ka patur në to. Edhe largimi i Haki Çakos është një akt, që me të gjitha gjasat, erdhi kundër vullnetit të Kryeministrit dhe si pasojë e një denoncimi të krimit, pothuajse konstant të ambasadorit amerikan Donald Lu. Nuk është çudi, që zëvendësimi i tij, të ketë ardhur me kërkesë të këtij të fundit.

Për këto arsye, politika shqiptare është krejtësisht e tensionuar, sepse po tregohet e pafuqishme për të mbrojtur aksesin e saj në organet e ligjit dhe pushtetet e tjera, që kanë qenë gjithmonë nën ndikimin e saj. Në të kundërt nuk shpjegohet fakti se politika nuk po mundet të bëjë asgjë, për të ndaluar heqjen e imunitetit të deputetëve të tyre, aprovimin e një Reforme në Drejtësi që krijon organe totalisht të pavarura dhe së fundmi, zëvendësimin e drejtorit të Policisë së Shtetit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Televizioni shtetëror nuk ka asnjë vlerë, po parave publike për televizionet private

Nga Ervis Iljazaj Pronarët e televizioneve private kanë propozuar një projektligj, që...
Read More