Politika Amorfe e Ramës

Nga Florian Çullhaj

Fjalori i Shqipes së Sotme, fjalën Amorf e përkufizon në dy pika, përkatësisht; 1. Që nuk ka trajtë të përcaktuar e të qartë; që nuk ka organizim ose ndërtim të rregullt; i patrajtë. Masë amorfe. Organizatë amorfe. 2. spec. Që nuk ka ndërtim kristalor; që e ka lëndën me ndërtim jo të përcaktuar. Lëndë amorfe. Trup (mineral) amorf.

Të jesh amorf ka të bëjë shumë me përshtatshmërinë – përshtatjen ndaj ndryshimit të kohës, madje dhe situatave. Kjo ide në politikë shpesh do të thotë, të thuash një gjë dhe të bësh një tjetër dhe t’i lësh parimet të fluturojnë nga dritarja. Parimi është një formë dhe të bën të vuash për t’u përshtatur me të. Nëse nuk gaboj, politikani i fundit që dha dorëheqjen për parim ishte Ilir Rusmajli. Ai iu nënshtrua parimit sepse nuk mund ta menaxhonte politikën amorfe.

Në Shqipëri, pjesa dërrmuese e politikanëve kanë hyrë në lojën politike pa kurrfarë tisi politik; duke vënë interesat e tyre personalë mbi tryezë dhe pas dështimesh të turpshme janë harruar për një hop. Përkundrazi, një (jo)politikan i cili e kuptoi saktësisht mekanizmin e politikës shqiptare është Edi Rama. Sjellja e tij butaforike dhe paparashikueshmëria e përgjithshme e bënë atë (jo)politikanin më ‘trendy’ të këtyre viteve të tranzicionit. Politik(ja) e tij është aty, por jo tamam aty, natyra e saj metafizike bash ngjall shumë kureshtje… Ai e urren formën e politikanit klasik… politik(ja) e tij e ka lëndën në ndërtim jo të përcaktuar. Kjo është fuqia më e madhe e paraqitur ndonjëherë nga një (jo)politikan shqiptar përgjatë mandateve të tij. Ai nuk flet me zë të ulët, por me deklarata të ashpra ose me shaka djegëse dhe kërcënime që kohët e fundit e kanë vënë dhe vetë atë në telashe. Ky pra, është kapitali amorf që Rama sjell në blatimin e politikës shqiptare.

Sot, ata që nuk e shohin ‘Mbretin lakuriq’ thonë se Ramën e kanë keqkuptuar, duke e akuzuar për gjithçka, se bash kjo politikë amorfe është ajo që i duhet vendit të prosperojë. Nën një kor të dirigjuar mjeshtërisht, ditirambat e tyre i përmbahen idesë se parimet në real-politikë kalojnë në plan të dytë. Parimet për ta kanë trajtë të ngurtë dhe nuk lënë shteg për interpretimin e tyre sipas “nevojës” dhe ku më shumë se në Shqipëri nuk ka nevojë për politikë të pacaktuar e të paqartë. Megjithatë, latinët thonë se: Omnes enim, qui acceperint gladium, gladio peribunt, (Për të gjithë ata që marrin shpatën, do të vdesin nga shpata). Parimet janë të domosdoshme, ato duhet të gjallojnë diku, nëse jo, herët ose vonë, retorika amorfe që kinse të fal liri, të kthehet në një mjet vetëvrasës. Gjegjësisht, ata syresh që nuk e shohin “Mbretin lakuriq”, me qëllimin që prosperiteti i Shqipërisë të jetësohet, e mbështesin Ramën, që nga një kalërues vullnetplotë i politikës amorfe te kërkojë dëshpërimisht formë/parim, por ama ky ‘parim’ vlen vetëm për të tjerët, jo për vetë atë.

Kur Rama akuzohet si një mbrojtës fanatik i bashkëpunëtorëve të tij të përfshirë në skandale, ai çuditërisht transformohet në formalist/parimor dhe ata që e akuzojnë së fundmi do të përfundojnë të paditur në gjykatë. Format e pushtetit që ai përdor, në një lojë pasqyrash ndryshojnë vazhdimisht, duke përfaqësuar temperaturat politike të çastit. Ai, këto ditë po përpunon strategjinë e tij për përballjen ndaj akuzave kriminale qe kanë lindur njëra pas tjetrës, ndaj grigjës së tij duke iu drejtuar formës/parimit/ligjit. Ne ende duhet të shohim se si deri në zgjedhjet e ardhshme – natyra e pushtetit amorf e sendërtuar nga Demiurgu – do ta mbrojë grigjën nën akuzë, nëpërmjet këtij turravrapi drejt krijimit të një formaleje sui generis, për t’i detyruar të gjithë ta shohin ‘Mbretin të veshur’. Në këtë mënyrë, Rama e thellon edhe më tej natyrën amorfe të pushtetit të tij, duke e bërë atë të paarritshëm edhe prej të vetmit mjet për një demokraci minimale; fjalën. Si përfundim, a do guxoni ndonjëherë të artikuloni ide, mendim, përshtypje, paragjykim për një politikan shqiptar pasi paketa ligjore të kalojë? Me sa kuptohet, Rama dhe politikanët e tjerë që kanë një kohë të gjatë në pushtet, kanë kultivuar ndjenjën e përsosur të mungesës së formës/parimit, e cila në politikën e lartë shqiptare është vërtet një pasuri. Apo jo?

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Në mbrojtje të Roger Scruton

Nga Toby Young, The Spectator Sapo të identifikohesh si i krahut të...
Read More