Politika e jashtme e Presidentit Trump

Shtatë muaj pasi erdhi në Shtëpinë e Bardhë, po shfaqet në konture të përgjithshme politika e jashtme e presidentit Trump. Gjatë fushatës, Donald Trumpi pat thënë se do të kishte ndryshime të thella në mënyrën si do të trajtohet politika e jashtme nën administratën e tij. Por shumë ekspertë thonë se në çështje të rëndësishme si Afganistani, Siria dhe Koreja e Veriut, zoti Trump ka vazhduar të njëjtat politika si paraardhësi i tij, Barak Obama.

Presidenti Trump është shprehur se ka ndryshuar mendje lidhur me tërheqjen e trupave nga Afganistani, duke u zotuar për një shtim trupash për të ndihmuar qeverinë afgane. Por ai këmbëngul se plani i tij ndryshon nga politikat e 16 vjetëve të fundit:

“Ne jemi vend partner dhe mik, por nuk do u diktojmë afganëve si të jetojnë, apo si të qeverisin shoqërinë e tyre komplekse. Nuk do të ndërtojmë, ne, shtetin për ta. Ne vetëm po vrasim terroristët”.

Zoti Trump bëri fushatë nën parullën “Amerika në plan të parë”, por disa ekspertë theksojnë se kjo nuk nënkupton që Amerika po braktis rolin udhëheqës në arenën botërore.

“Ka tre rajone kritike në botë ku interesat amerikane e kërkojnë të ketë stabilitet: Evropa, Lindja e Mesme dhe Azia. Kemi vërejtur një vëmendje të madhe në të tria këto rajone. Nuk bëhet fjalë për tërheqje të prezencës amerikane. Ka rëndësi që fuqia amerikane të jetë e pranishme, jo vetëm në formë ushtarake, por edhe ekonomike e diplomatike,” – thotë analisti James Carafano i Fondacionit “Heritage”.

Ideja e përdorimit të formave të ndryshme të fuqisë amerikane është përqafuar më parë edhe nga presidentë të tjerë amerikanë, por ekspertët thonë se Presidenti Trump ndryshon, pasi nuk po mbështetet shumë tek tregtia, aleancat apo institucionet ndërkombëtare.

“Do ta përkufizoja si një strategji nacionaliste, që vë Amerikën në plan të parë, por që shmang skenare të rrezikshme,” thotë Aaron David Miller i Qendrës “Wilson”.

Presidenti Trump jo vetëm që ka folur për një fokus më të ngushtë në politikën e jashtme, por edhe ka ndjekur një vijë më të paqartë. Analistët i ndjekin me vëmendje komentet e tij në Twitter, por shpesh mbesin të konfuzuar. Sinjalet kryesore vijnë nga njerëzit që ka zgjedhur në kabinetin e tij:

“Më duket i paparashikueshëm, prandaj politika e jashtme amerikane ka hyrë në një etapë të panjohur. Por ekipi që ka rrotull: Sekretari i Mbrojtjes, Sekretari i Shtetit, Këshilltari për Siguri Kombëtare, mendoj se ata po përpiqen ta mbajnë politikën e jashtme brenda disa kufijve konvencionalë,” thotë Brian Katulis i Qendrës për Përparim Amerikan. Analisti Katulis në komentet për Zërin e Amerikës shpreh shqetësim se gjatë 15 viteve të fundit ka pasur një prirje për militarizimin e politikës së jashtme amerikane me rritje të madhe të buxhetit të Pentagonit dhe me shtimin e rolit të ekipeve speciale dhe dronëve gjatë administratave Bush dhe Obama. Kjo prirje duket se vazhdon edhe nën Presidentin Trump.

Shkruar Nga
More from Revista User

Përplasje e rëndë me makinë në rrugën Tiranë-Elbasan, plagosen disa persona

Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në zonën e...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.