Politika shqiptare mbetet tripolare, pozitë, opozitë dhe ndërkombëtarët

Nga Ervis Iljazaj

Pas protestave të opozitës, të cilat shfaqën edhe një herë pamjen më të shëmtuar të politikës shqiptare, me një Parlament që ngjante si stadium futbolli dhe jo si një vend që konsiderohet tempulli i demokracisë, lideri i saj Lulzim Basha ka takuar Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Siç ka ndodhur shpeshherë në raste të tilla, palët politike shqiptare kërkojnë mbështetje apo justifikime të aksioneve të tyre politike te ndërkombëtarët, dhe veçanërisht SHBA, për të fituar besimin e popullit, të cilin e kanë humbur prej kohësh. Në këtë mënyrë ndërkombëtarët janë kthyer si pikë referimi për qytetarët shqiptare, për të ndarë të drejtën nga e gabuara, të mirën dhe të keqen, në një mënyrë, që me shumë gjasa nuk ndodh në asnjë vend tjetër.

Sigurisht që roli i ndërkombëtarëve ka qenë dhe do të jetë shumë i rëndësishëm në Shqipëri, për shkak të proceseve të integrimit euroatlantik, aq më tepër në një kontekst gjeopolitik rajonal ku luhen beteja të rëndësishme midis fuqive ndërkombëtare.

Natyrshëm, të lind ideja se në politikën shqiptare nuk ekzistojnë më dy aktorë politikë, opozita dhe mazhoranca, por ka dhe një të tretë, ndërkombëtarët, të cilët jo vetëm bëjnë rolin e arbitrin, por padyshim kanë pjesën e tyre të lojës politike.

Këtë kontekst të ri politik, me sa duket Partia Demokratike ende nuk e ka kuptuar. Dhe me naivitetin e një force politike të re, lufta e saj për të ardhur në pushtet nuk e kupton që duhet të duhet të kalojë, jo vetëm nga kundërshtari politik i saj tradicional, por dhe nga një aktor tjetër i fortë dhe i rëndësishëm për fatet e qytetarëve shqiptare, siç janë ndërkombëtarët dhe SHBA.

Deri më tani, Partia Demokratike nuk ka arritur, për faj të saj apo për meritë të kundërshtarit, të bëjë për vetë, apo t’iu krijojë besimin aleatëve të Shqipërisë, pa të cilët rruga politike e Shqipërisë është një qorrsokak.

Edhe kësaj here, për rastin e zgjedhjes së kryeprokurorit të ri, qëndrimet e Partisë Demokratike dhe ndërkombëtarëve ishin totalisht të kundërta, gjë e cila është një minus i madh në objektivin e saj për të ardhur në pushtet.

Kush mendon, që roli i tyre është i parëndësishëm, për të ndikuar lojën politike, është ose naiv, ose nuk ka kuptuar ende që Shqipëria është në një kontest të ndryshëm, politik, rajonal dhe gjeopolitik.

Fatkeqësisht apo fatmirësisht, politika shqiptare do të vazhdojë të ndikohet edhe më shumë në të ardhmen nga ndërkombëtarët.

Të gjitha diskutimet mbi rolin e ndërkombëtarëve në politikën tonë të brendshme, janë thjesht një tension i panevojshëm. Sa më parë ta pranojmë rolin e rëndësishëm që ato do të vazhdojnë të kenë, aq më mirë do të jetë për të gjithë. Mjafton që të zgjedhim krahun e duhur, që deri më tani duket se është plotësisht properëndimor.

Prandaj, debatet për sovranitetin e humbur të Shqipërisë janë debate sovraniste pa sovranitet. Shqipëria që në momentin që ka pranuar të integrohet në BE apo në NATO, ka ceduar një pjesë të rëndësishme të tij, në favor të organizatave ndërkombëtare dhe vendimmarrjes politike përtej kufijve të Shqipërisë.

A është kjo mënyrë e politikëbërjes demokratike apo jo, ky është një diskutim tjetër. Megjithatë, shumë pak janë ata që mendojnë që globalizim, do të thotë demokraci.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Paralajmërimi: Tre rreziqet që i kanosen ekonomisë shqiptare

Misioni i FMN-së pohoi se ka mosmarrëveshje me qeverinë për PPP-të. Kërkohet...
Read More