Politikanë të lartë janë në konflikt me shtypin, ky është një lajm i mirë për të

Nga Ervis Iljazaj

Përplasja midis ish-kryeministrit Berisha dhe gazetarit Artan Hoxha në emisionin Studio e Hapur të Eni Vasilit, me akuza dhe kundërakuza të rënda, përveçse bëri xhiron e portaleve dhe mediumeve të ndryshme, solli edhe njëherë në vëmendje të opinionit publik, por edhe të atyre që punojnë në këtë sektor, debatin e përhershëm të marrëdhënieve midis politikës dhe shtypit. Ky konflikt nuk është rasti i vetëm, por rastet kur shtypi është në konflikt me pushtetin janë të shumta edhe në raport me Kryeministrin aktual. Të shumta kanë qenë debatet publike deri edhe në agresivitet midis tij dhe pjesë të njerëzve të medias, nëpërmjet shkrimeve të ndryshme apo bisedave televizive.

Përtej çdo diskutimi tjetër, fakti që politikanë të rëndësishëm janë në “luftë” të hapur me një pjesë të shtypit, me disa gazetarë, apo dhe njerëz të mediave, është një lajm i mirë për këtë të fundit dhe një shenjë e qartë se në një shoqëri të lirë, ku tregu mediatik është i konsoliduar, është pothuajse e pamundur që politika të kontrollojë të gjitha pjesët e tij. Dhe tregu i shtypit në Shqipëri është nga të paktat tregje i cili ka funksionuar. Mjafton të përmendim cilësinë televizioneve private apo tribunat e shumta politike që zhvillohen në to, për të kuptuar se tregu mediatik shqiptar është kaq i larmishëm sa brenda tij gjenden opozitarë dhe antiopozitarë ata që përkrahin qeverinë apo ata që e kritikojnë qeverinë.

Sigurisht që politika nuk do reshtë asnjëherë në tentativë për të kontrolluar shtypin dhe në shumë raste ia del, mirëpo asnjëherë nuk ka ndodhur që një qeveri ta kontrollojë atë në të gjithë pjesët e saj. Është vetë tregu i lirë i tij, që e bën të pamundur një gjë të tillë, aq më tepër në ditët e sotme ku mundësitë për të marrë më tregun e informacionit janë të pafundme.

Marrëdhënia midis politikës dhe shtypit do të jetë gjithmonë marrëdhënie konfliktuale për vetë natyrën e ndryshme që kanë të dyja këto pushtete, i pari ai që kërkon të fshehë çdo informacion të mundshëm të aktivitetit të tij, dhe i dyti ai që kërkon të nxjerrë dhe të mbijetojë me ato informacione. Në këtë kuptim, tentativa e politikës për të intimiduar median është një tentativë që ekziston kudo dhe jo vetëm në Shqipëri. Rëndësia dhe cilësia e shtypit varet pikërisht se sa rezistencë ka ndaj kësaj tentative.

Në rastin konkret të Shqipërisë, një pjesë e mediave nuk reziston ndaj këtij agresiviteti për arsye nga më të ndryshmet, por po në të njëjtën kohë ka media të cilat jo vetëm që rezistojnë, por janë në konflikt të hapur me pushtetin dhe askush nuk mund ta mohojë këtë.

Që një media të funksionojë, e rëndësishme është që të të gjenden të dyja palët pro opozitare dhe pro qeveritare. Edhe në vendet me demokraci të konsoliduar, pjesa më e madhe e mediave është e rreshtuar ideologjikisht dhe politikisht, dhe shumë pak janë rastet kur ajo është e paanshme. Sepse anshmëria e mediave pro apo kundër një politike apo një krahu politik, nuk është problem, problem është varësia e tyre, gjë e cila është e ndryshme nga anshmëria. Anshmëri politike e mediave do të thotë këndvështrimi që ka një grup mediatik për shoqërinë, ekonominë apo politikën në përgjithësi dhe këto këndvështrime i gjen më shumë te një forcë politike apo te një tjetër.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kasem Trebeshina: Lamtumira e paralajmëruar në heshtje

Dje në Shqipëri ka mbërritur lajmi qoftë për ndarjen nga jeta, ashtu...
Read More