“Politikisht korrekt” nuk thotë më asgjë dhe pse elitat e reja mund ta përkeqësojnë botën

niko-peleshi-analiza-qeveri-600x346Zëvendëskryeministri i qeverisë Rama shprehet në një analizë se Donald Trump është personifikim i politikanit jo politikisht korrekt dhe se ai fitoi pikërisht sepse nuk foli si gjithë “raca” e politikanëve. Sipas tij, lidershipi politik tani është në provë të vështirë dhe ose do të vetëkorrektohet, ose do t’i nënshtrohet këtij revolucioni, ose do të dalë nga izolimi i interesave ekonomikë-mediatikë të grupeve të mëdha, ose do t’i duhet t’iu lërë vendin elitave politike të reja

Nga Niko Peleshi

Polikisht korrekt është bërë sot gjuha e komunikimit të establishmentit politik, partive politike, institucioneve ndërkombëtare, madje edhe organizatave civile.
Ndërkohë Donald Trump është personifikim i politikanit jo politikisht korrekt.
Ai fitoi pikërisht sepse nuk foli si gjithë “raca” e politikanëve.
Trump fitoi sepse kuptoi që amerikanët ishin lodhur nga elita politike-mediatike-ekonomike. Kjo elitë, ndonëse e ndarë në kampe të ndryshme, ka të njëjtin stof politik. Në politikën e partive kryesore në botë diferencat ideologjikse po bëhen gjithnjë e më të vogla, doktrinat ekonomike gjithashtu. E majta dhe e djathta po ecin me shpejtësi drejt qendrës së artë me filozofinë “catch all”, pra “të peshkojmë në të gjithë krahët, në të gjitha grupet e interesit”.
Edhe në çështjet globale, politika botërore dhe elita jo vetëm politike, është afërsisht në unison: globalizmi është qasja e gjithëpranuar, hapja ekonomike dhe tregtia e lirë në vend të proteksionizmit, është pranuar nga 194 vende, anëtarë të OBT. Madje edhe nga Kina e Rusia.
Axhenda e përbashkët për mbrojtjen e planetit nga ndryshimi i klimës, integrimi shoqëror, të drejtat e njeriut, veçanërisht të drejtat e minoriteteve, të drejtat e LBGT etj., janë çështje që kanë fituar konsensus të gjerë.
Por përveç këtyre parimeve, elita ka unifikuar edhe gjuhën.
Kjo gjuhë, ky kod komunikimi quhet “politikisht korrekt” (politically correct), që do të thotë të flasësh pa cenuar apo shqetësuar askënd.
Duke folur të gjithë të njëjtën gjuhë, masat popullore e kanë të vështirë të bëjnë dallimin, teksa përpiqen të gjejnë një shkak, një armik për problemet e tyre.
Sot në gjithë botën, në Europë dhe Amerikë, ka shumë zemërim dhe lodhje. Sfidat e kohës, kriza ekonomike, terrorizmi dhe kriza e refugjatëve nga njëra anë dhe thellimi i polarizimit shoqëror nga ana tjetër, kanë shkaktuar zemërimin e masave. Ëarren Buffet, miliarderi i dytë më i pasur në botë, të enjten e kaluar pohoi në CNN se “400 më të pasurit sipas Forbes zotëronin 93 miliardë dollarë në vitin 1982, ndërsa tani zotërojnë 2.4 trilionë dollarë. Pra 25 herë më tepër”.
Njerëzit duan përgjigjje për dështimet e kapitalizmit, duan shpresën se sistemi përmes politikës mund të korrektohet, duan të zbulojnë prestigjin e djersës nga puna e lodhshme, por sinjalet e koduara të politikës vijnë anemike në veshët e publikut.

Pra establishmenti politik në botën e zhvilluar ndan të njëjtat parime, të njëjtin sistem ekonomik, dhe të njëjtën gjuhë.
Ndryshimet minore në programet politike të partive nuk mjaftojnë më për të bërë diferencën në publikun e gjerë. Në këto kushte, opinioni publik po ndërton me shpejtësi ideologjine e vet kundër gjithçkaje. Shpejtësia me të cilën komunikon tani zemërimi horizontalisht përmes rrjeteve sociale, siç e kam trajtuar në një shkrim për BREXIT, është më e madhe se mesazhet që establishmenti politik mundohet të transmetojë përmes piramidës hierarkike vertikale, për t’i mbajtur shpresëplotë elektoratet përkatëse.
Duhet të ndyshojnë parimet, sistemi ekonomik, gjuha apo të tria bashkë?
Duhet të ndryshojë së pari gjuha.
Politikisht korrekt- është bërë gjuha e drunjtë që shumicës nuk i thotë asgjë.
Fjalë të rrumbullakosura deri në pakuptim, mesazhe që nuk cenojnë asnjë grup interesi sado të vogël, klishe që mësohen nga çdo politikan.
Kjo është gjuha politikisht korrekt.
Por ja që kombet kanë një shqisë që kap edhe shpirtin, jo vetëm fjalën. Dhe kur fjala nuk ka shpirt, njerëzit ndihen të fyer në dinjitet. Dinjiteti është një fe qytetare që kur e prek të ndëshkon, të voton kundër. Një opinionist e këshillonte Hillarin t’i fliste dinjitetit të lënduar të amerikanëve, jo nevojave të tyre materiale. Koha i dha të drejtë.
Në këto kushte, fitoi Trump.
Ai përdori gjuhën që kupton shumica e thjeshtë. Kjo gjuhë është krijuar nga mediumi i ri i rrjeteve sociale. Zemërimi i masave kërkon një armik dhe ai shpalli armik parimet ku elita botërore bashkohet.
Padrejtësisht? Mbase padrejtësisht, por një gjë është e sigurt: Ky lloj revolucioni i publikut të zemëruar që më parë bëhej me armë dhe tani me rrjete sociale, do ta shkundë establishmentin. Do të krijojë elita të reja që do të flasin një gjuhë tjetër.
Lidershipi politik tani është në provë të vështirë. Ose do të vetëkorrektohet duke ndërtuar raporte të reja, më të sinqerta dhe më të vërteta me popullin, ose do t’i nënshtrohet këtij revolucioni. Ose do të dalë me guxim nga izolimi i interesave ekonomikë-mediatikë të grupeve të mëdha, për të kuptuar së pari, sentimentin e publikut të gjerë, ose do t’i duhet t’iu lërë vendin elitave politike të reja. Por një establishment i ri do të kalojë nëpër tranzicionin e gjatë dhe të lodhshëm, që mund ta keqësojë, në vend që ta përmirësojë botën. Sepse këto elita të reja do të vijnë në pushtet jo për shkak të cilësive të tyre, por për shkak të votës kundër establishmentit aktual dhe populizmit. Dhe në rast se revolucioni do të përhapet, dëmi që do t’ju vijë parimeve që deri më sot kanë drejtuar vendimmarrjen politike, është i paparashikueshëm.
Pas fitores së Trump, gjuha e personaliteteve të larta të politikës europiane, ka filluar të bëhet më e qartë, larg të qenit politikisht korrekt. Mesazhet po bëhen më të forta dhe me të kuptueshme.
Zëvendëskancelari gjerman, njëkohësisht kreu i socialdemokratëve gjermanë, tha: “Trump është një paralajmërim edhe për ne. Ai është shenja se një lëvizje e re botërore, autoritariste dhe shoviniste po fillon”.
Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker e cilësoi zgjedhjen e Trump si një kërcënim për marrëdhëniet globale.
A do të mund të bëhet kjo, gjuha me të cilën politika flet edhe për betejat e përditshme të çdo qytetari në kërkim të perspektivës së sigurt?

Titulli origjinal i shkrimit: Të jesh politikisht korrekt

Shkruar Nga
More from revista mapo

Harta e re mesjetare e Europës

Nga Robert D. Kaplan*, The Wall Street Journal Studiuesi i politikave gjeostrategjike Robert...
Read More