Pompeo: Çdo ndërhyrje e Rusisë do të ketë pasoja

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se personalisht u ka deklaruar zyrtarëve më të lartë rusë se çdo ndërhyrje në zgjedhjet e SHBA apo në procesin demokratik amerikan do të shoqërohet me “pasoja të rënda”, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë njoftoi se takimi i dytë Trump Putin është shtyrë për në vitin 2019.

Zoti Pompeo u tha të mërkurën anëtarëve skeptikë të Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë se ai e kishte bërë paralajmërimin të qartë ndaj Rusisë në takime dhe biseda të shumta.

Ai e bëri komentin në përgjigje të pyetjeve konkrete në lidhje me hollësitë e takimit kokë më kokë të Presidentit Donald Trump me udhëheqësin rus Vladimir Putin javën e kaluar në Finlandë.

Si anëtarët republikanë edhe ata demokratë të komisionit kërkuan nga zoti Pompeo hollësi rreth takimit të nivelit të lartë, për të cilin Shtëpia e Bardhë ka ofruar vetëm deklarata të paqarta.

Kryetari republikan i komisionit, Bob Corker e hapi seancën duke thënë se Pompeo do të fliste përpara senatorëve që kanë “dyshime serioze” ndaj Presidentit Trump dhe politikës së tij të jashtme.

Sekretari Pompeo tha po të mërkurën se SHBA nuk ka ndërmend të njohë aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe nuk do të heqë sanksionet ekonomike kundër Moskës derisa Krimeja të jetë kthyer nën kontrollin e Ukrainës.

Ai tha se me pushtimin e Krimesë rusishtfolëse, Moska “u përpoq të minojë një parim ndërkombëtar bazë të mbështetur nga shtetet demokratike, sipas të cilit asnjë vend nuk mund të ndryshojë kufijtë e një tjetri me forcë”.

Diplomati më i lartë i Shteteve të Bashkuara shtoi: “Ndërsa shtetet demokratike përpiqen të ndërtojnë një botë të lirë, të drejtë dhe të begatë, ne duhet ta mbështesim angazhimin tonë ndaj parimit ndërkombëtar të barazisë sovrane dhe të respektojmë integritetin territorial të shteteve të tjera. Rusia, me veprimet e saj, veproi në një mënyrë të padenjë për një vend të madh dhe zgjodhi të izolojë veten nga bashkësia ndërkombëtare”.

Ndërkohë Shtëpia e Bardhë njoftoi se takimi i dytë Trump Putin është shtyrë dhe nuk do të mbahet përpara vitit 2019.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton njoftoi se Presidenti Trump dëshiron të presë derisa të përfundojë hetimi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara./voa

Shkruar Nga
More from Redaksia

Kaosi nga reforma në drejtësi, pezullohet çështja ‘Doshi’

Gjykata e Lartë pezullon shqyrtimin e cështjes ndaj deputetit Tom Doshi. Sipas...
Read More