Populizmi: Hija e demokracisë

Nga Metju Guduin – Populizmi lind kur njerëzit duan më shumë nga politika. Njerëzit po dështojnë në thelb të kuptojnë se çfarë është populizmi. Qoftë në debatet rreth Donald Trump, Brexit apo populizmit kombëtar në Europë, një problem i zakonshëm është prirja për t’u përqendruar gati ekskluzivisht mbi një periudhë të shkurtër; për të parë botën tonë politike nëpërmjet një lenteje tepër të ngushtë. Rritja e “papritur”, e populizmit gjurmohet zakonisht te ngjarjet e fundit.

Populizmi u shkaktua nga kriza financiare e pas vitit 2008, dhe nga Recesioni i Madh. Ajo u shkaktua nga masat shtrënguese të ashpra që e pasuan. Nga kriza e refugjatëve e pas vitit 2014. Ajo u shkaktua edhe nga bumi i mediave sociale, si krijimi i Facebook në vitin 2004, apo Twitterit në vitin 2006.

Ose, më së shpeshti, ishte nxitur nga një ngjarje specifike mbi një palë zgjedhje specifike, pavarësisht nëse këto ishin zbulime në lidhje me email-et e Hilari Klintonit, votuesit e të cilës Cambridge Analytica u shiti të dhënat, apo pjesëtarët e fushatës Brexit, që shpenzuan më shumë se sa duhet gjatë referendumit të 2016-s.

Ndërkohë, ne të gjithë në Perëndim, e kemi humbur shikimin e një burimi më të thellë dhe përfundimisht më të rëndësishëm të forcës që qëndron pas populizmit: një tension thelbësor dhe i papajtueshëm mes modeleve të ndryshme të politikës, që ka karakterizuar shumë nga shoqëria perëndimore, që nga lindja e demokracisë së masave.

Për aq kohë sa kemi demokraci, do të kemi edhe populizëm. Dhe kjo për shkak se lëvizjet si Brexit, Trump, Pesë Yjet në Itali apo Demokratët Suedezë, nuk marrin forcë vetëm nga gjërat që ndodhin sot, por nga një konflikt më i thellë ndërmjet dy llojeve të ndryshme ideale, tendencave ose stileve të politikës që kanë kaluar nëpër Perëndim (dhe veçanërisht Europë) ndër shekuj.

Këto janë në fund të fundit, dy mënyra shumë të ndryshme për të parë botën rreth nesh. Nga njëra anë është “politika si besim”, nga ana tjetër “politika si skepticizëm”.

Populizmi është tek e fundit i rrënjosur në politikën e besimit, bazuar në konceptin se qeniet njerëzore – përmes politikës – mund të arrijnë përsosmërinë, shpëtimin ose utopinë këtu në Tokë.

Arena politike nuk është një forum, në të cilin ne thjesht debatojmë politika apo manifeste; ajo është gjithashtu një mjet përmes të cilit njerëzit mund të arrijnë shpëtimin e tyre – shpëtimin e bashkësisë së tyre, kombit dhe grupit të tyre.

Në fakt, populistët e sotëm, si Alternativa për Gjermaninë, Brexit dhe Trump, kanë bërë pikërisht këtë, duke marrë vota nga njerëz që më parë kishin hequr dorë nga politika, por që tani shohin një mundësi për të rihyrë në arenën politike, me qëllim arritjen e shpëtimit të grupit dhe kombit të tyre.

Politika si besim, lind zakonisht kur politika si skepticizëm nuk reagon ndaj shqetësimeve specifike ose grupeve specifike. Nuk është për t’u habitur që në Britani rritja e partisë populiste të Pavarësia e Mbretërisë së Bashkuar, liderit radikal të krahut të majtë, Xheremi Korbin dhe pastaj Brexit, u shfaqën nën hijen e 13 viteve të sundimit nga Laburistëve të Rinj, një shembull i menaxhimit që shpesh nuk reagonte ndaj çështjeve të identitetit dhe shpërfillte opinionin publik.

Mbështetësit britanikë të qëndrimit në BE, demokratët dhe socialdemokratët në Europë janë zotëruesit e politikës si skepticizëm. Por ata janë tepër të këqij në ndërtimin e urave me ata votues që janë më të prirur drejt shpëtimit, shpërblimit dhe besimit.

Ata i fshehin emocionet nga fushatat e tyre, si dhe u fshihen debateve që përqendrohen te komuniteti, përkatësia dhe identiteti, gjë që është pikërisht ajo që këta të fundit dëshirojnë të shohin. Teknokratët e distancuar dhe moderatorët e vetëshpallur, rrinë në njërën anë, dhe kërkuesit e pasionuar të shpëtimit nga ana tjetër. Populizmi, në mendjen e tij, ishte hija e demokracisë dhe do të mbetet kështu edhe për të ardhmen e parashikueshme.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Sadik Bejko: Shekspiri im

Temës mbi Shekspirin dua t’i qasem nga vetja ime. Nga Shekspiri im....
Read More