Porositë për Shqipërinë dhe një homazh për Michel Rocard

MichelRocard1Kujtime nga vizita në Shqipëri e ish-kryeministrit francez Michel Rocard, njeriu që krijoi “të majtën e dytë” dhe që solli në Tiranë idetë për “rrugën e tretë”. Rocard gjatë një takimi në UET pati vlerësuar se Shqipëria një vend i vogël dhe pa teknologji duhej të përqendrohej në bujqësi e të ndërtonte ferma të veçanta në mënyrë që të mund të përmbushte nevojat e vendit

Kur një grup frankofonësh u mblodhën të dëgjonin në një nga sallat e UET ish-kryeministrin e Francës Michel Rocard, të ndarë nga jeta pak ditë më parë, askush nuk lëvizi nga stoli për 2 orë e gjysmë. Kjo ishte vizita e vetme e Rocard në Tiranë. I ftuar, para zgjedhjeve të 2009-s, për të këshilluar Edi Ramën dhe Partinë Socialiste në ndërtimin e programit “të rrugës së tretë” tek i cili vijon të bazohet qeverisja, Rocard pak i njohur përtej qarqeve politike shqiptare, duket se ka lënë kështu gjurmën e tij politike edhe në këtë cep të botës. “Ai këshillonte që Shqipëria të përqendrohej në produkte që do ta ndihmonin të humbte varësinë nga importi”, kujton themeluesi i Universitetit Europian, Henri Çili. Rocard pati vlerësuar se Shqipëria, një vend i vogël dhe pa teknologji duhej të përqendrohej në bujqësi e të ndërtonte ferma të veçanta në mënyrë që të mund të përmbushte nevojat e vendit.

Kryeministri Edi Rama shkruante në një nga blogjet e famshme të kohës kur ishte në opozitë se Rocard ishte frymëzuesi i programit të së majtës për administratën publike edhe pse sot është vështirë të matësh se sa i ka qëndruar ai këshillës së ish-kryeministrit francez.

“Asgjë s’do bëni dot për ta kthyer demokracinë në funksion të jetës publike e të interesave shoqërore apo individuale, nëse nuk hidhni themelet e një administrate publike të çliruar nga kthetrat e pushtetit politik. Do dojë kohë, shumë kohë, po dikur duhet nisur nga diku, pak nga pak dhe përmes shembujve të qeverisjes së mirë”, shkruante Rama. Kryeministri po ashtu ishte nga të paktët në Shqipëri që u kujtua për humbjen e këshilltarit të tij. “Mirënjohje për miqësinë e vyer dhe mësimet e çmuara”, shkroi Rama në homazh të Rocard.

E majta dhe e djathta në Francë i bënë njëlloj nderime njeriut që shihet si baba i të “majtës së dytë” dhe që guximshëm në një kohë kur askush nuk e shqiptonte dot, ndau qartazi socialistët francezë prej ideve marksiste të shtetëzimit dhe formave të tjera sovjetike. Kjo e bëri atë një figurë kontradiktore e megjithatë një prej më të respektuarave.

“Humbi një figurë e madhe e Republikës dhe së Majtës”, tha menjëherë pas vdekjes Presidenti Francois Hollande. Le Monde, ku Rocard shkruante vazhdimisht, beson se vdekja e tij në moshën 85-vjeçare e ka lënë jetime të majtën franceze, ndërsa ai ikën pa lënë asnjë trashëgimtar edhe pse Manuel Valls, kryeministri aktual, e sheh veten si ndjekës të tijin.

Nga ana tjetër, ndërsa e majta franceze e sheh si “baba” dhe “reformator radikal” e njeri të kompromiseve të vështira, Rocard i njohur edhe si rival i përjetshëm i presidentit Fransua Miterran, besonte në fund të jetës se e majta (sidomos ajo franceze) kishte humbur në luftën e ideve. “ E majta franceze është një fëmijë i deformuar që në lindje. Ne martuam dy modele radikalisht të ndryshme të shoqërisë, Jakobinizmin dhe Marksizmin” analizonte ai në një intervistë të fundit cituar nga Le Figaro.

I njohur përndryshe si “baba i të majtës së dytë” asaj të “temperuar” aty nga fillimi i viteve ‘90, Rocard e pa veten të sfiduar në rrugën për presidencë prej Fransua Miterranit. Ky, një socialist i vjetër që nuk pranonte të hiqte dorë nga shtetëzimi, gjykohet si njeriu që iu dha fund shpresave të Rocard për presidencën.

“Ishte një socialist, burrë shteti i vërtet që gjatë gjithë karrierës u luhat midis siç e cilësonte ai realitetit konkret dhe ideve, të një socializmi jo marksist, një socialdemokracie jo konvencionale, një socializmi alternativ”, thotë Prof. Dr. Adrian Civici, ndërsa kujton takimin me ish-kryeministrin e Francës.

Njeriu që pati vënë në listën e sukseseve krijimin e “minimumit jetik” në Francë dhe reformoi sistemin social dhe atë financiar, ishte një figurë që ja doli të bënte bashkë grupe ekstreme të së majtës dhe të djathtës duke i afruar drejt qendrës.

Ai konsiderohej si një mbrojtës i flaktë i Bashkimit Evropian. Një njeri që nuk beson te nacionalizmi dhe luftoi deri në vitet e fundit të jetës si pjesë e Parlamentit të BE për një unifikim politik të bashkimit, një thellim të tij përtej sovranitetit nacional e cicmiceve të vogla lokale. Në këtë pikë Rocard nuk toleronte asgjë dhe askënd. Në 2014 kur David Cameron shqiptoi kërkesën për referendumin e famshëm të “Brexit” Rocard ishte ndër të paktët në BE që shkoi kundër rrymës. “Ikni para se ta shkatërroni”, iu shkroi ai anglezëve nga Le Monde, duke vënë në dukje pengesat që ishulli i kishte sjellë bashkimit të mëtejshëm të Europës.

“Edhe euron, të vetmen politikë të cilën ju nuk mund ta bllokonit, por ku u përfshitë të shkruanit rregullat, të cilat kanë influencën tuaj dhe për ketë mbetet e dobët dhe vuan nga pamundësia për mbikëqyrje, gjë për të cilën u siguruat të ndodhte”, shkruante ai, duke akuzuar Britaninë se po e pengonte BE të bëhej më demokratike duke e dobësuar atë.

Rocard u nda nga jeta pak ditë pasi kjo dëshirë e tij kontradiktore u bë e vërtetë. Ndoshta ai ka qenë i gëzuar që tashmë Parisi dhe Berlini do mund të çojnë përpara projektin pa tekat e Londrës.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Elvis Rroshi: 40 milionë lekë për të marrë një makinë me qira

Abuzimet e pushtetit nuk kanë të sosur. Kreu i Bashkisë së Kavajës,...
Read More