Postmortem: Lëvizjet tona mendore sipas Arbën Xhaferri

Arben-XhaferiNjë prej mendimtarëve të rrallë të trevave shqiptare para se të ndërronte jetë ka lënë përgjigje të hapura për historinë dhe dilemat shqiptare, për lëvizjen e mendimit, çfarë shoqëroi ndryshimet e mëdha në Evropë nga lëvizjet kulturore në epoka…në nderim të Arben Xhaferrit, sjellim disa prej mendimeve që lidhen me historinë e lëvizjeve kulturore në Shqipëri, në vështrimin se nuk arritën të përkthehen në lëvizje mendore

Në hapësirat shqiptare vlojnë nismat, ato individuale, grupore ose institucionale. Brenda një hapësire të vogël shfaqen ide diametralisht të kundërta, si në përmbajtje, ashtu edhe në formë. Bashkëjetojnë stile të ndryshme, klasikja me post-modernen, folklorizmi me modernen, naivizmi me surealizmin, manierizmi oriental me inovacionizmin oksidental, kiçi me estetizmin etj. Kjo dëshmon se kultura jonë ende nuk është e konsoliduar. Kulturologu, politikani dhe mendimtari Arbën Xhaferi jo pak herë ka marrë në shqyrtim dilemat e lëvizjeve tona mendore dhe kulturore përballë epokave. Risjellim disa momente që ndërtuan strukturën e mendimit të Xhaferrit mbi shqiptarët.Çfarë kanë shoqëruar ata në lëvizjet e tyre politike?Ndërsa është shprehur për një lidhje organike me lëvizjet politike se ne “sot e kësaj dite nuk kuptojmë rëndësinë e gjithanshme të idesë së shtetit ligjor, standardit për mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut, domosdoshmërinë për verifikim shkencor të gjitha ideve që janë në funksion të organizimit shoqëror, nxitjen e hulumtimit të fenomeneve dhe përfundimisht rëndësinë e ndarjes së shtetit prej religjionit”. E vetmja lëvizje sipas Xhaferit, par exelence ka qenë neoshqiptarizmi i viteve ‘30, që e konsideron lëvizje politike që synonte ta ndryshonte, ta korrigjonte kodin qytetërues të shqiptarëve, ta evropianizonte atë: “kjo ide, ndryshimi i strukturës mendore të njeriut, në shekullin XIX dhe XX ishte shumë e përhapur. Rrënjët e një kërkese të tillë duhet kërkuar në periudhën e Rilindjes (Renesansës), pastaj te Rusoi, Gëteja, Marksi dhe Niçeja, i cili, pasi e shpalli Zotin të vdekur, e përuroi mbinjeriun, krijesën që mund të ekzistojë edhe pa Zotin. Në Rusinë komuniste, po ashtu u eksperimentua me idenë e krijimit të njeriut të ri sovjetik, por kjo ide nuk ishte aq naive sa idetë e mendimtarëve të mirëfilltë që përpiqeshin t’i zgjidhin problemet e thella shoqërore me teoritë e ashtuquajtura të dezalienimit. Njeriu i ri sovjetik nuk u identifikua me nocionin rus, për shkak të strategjisë së asimilimit të efektshëm dhe të pahetueshëm. Njeriu i ri nuk ishte as rus, as lituanez, as gjeorgjian, as kazak, turkmen, kirgiz, por sovjet që, në fakt, i kishte të gjitha tiparet e rusit, gjuhën, kulturën në përgjithësi. Kjo ide bëri ndryshimin e strukturës mendore të njeriut… Dhe sa për çështjen e globalizmit sot, ideologu thotë se “instaloi rregullat në tregun e përgjithshëm që përfundimisht i rrënoi, jo vetëm ëndrrat romantike, por edhe konceptet për artin”.

Sipas Xhaferrit neoshqiptarizmi u shqua më shumë se lëvizjet e tjera, “për shkak se si nocion arriti të ngërthente në vete pikësynimet kryesore kulturore, por edhe politike, ekonomike të shqiptarëve. Nga të gjitha këto përsiatje, Xhaferri mendonte se vetëm neoshqiptarizmi ishte ide reale, e dëlirë, pa atë pretenciozitet, megalomani dhe djallëzi të teorive të tjera të asaj kohe. Ndërsa të tjerët synonin ta sovjetizonin, ta serbizonin, ta hispanizonin Evropën, shqiptarët kërkonin ta evropianizonin veten. Ky është një dallim strategjik.

Duke kujtuar se ka pasur edhe lëvizje të tjera kulturore, Arbën thoshte se shumica prej tyre kishin karakter individual dhe ishin në funksion të bartjes së vlerave dhe tendencave që ekzistonin në katedra të ndryshme të universiteteve të huaja ku studionin shqiptarët. “Mirëpo ato nuk u shndërruan në lëvizje, por nëse nga ky kategorizim e përjashtojmë periudhën e komunizmit, kur krijimtaria varej kryekëput nga dogmat që i pati imponuar ideologjia komuniste”. Për mënyrën se si elitat ndahen në një vend, Xhaferri është shprehur “

shpeshherë e keqja, vuajtja, rreziku, nënçmimi janë motive më të fuqishme për krijimtari sesa mirëqenia, ahengu, siguria, vardisja… Për këto shkaqe besoj se krijimtaria artistike është shans për popujt e vegjël, pra edhe për shqiptarët që t’i afirmojnë vlerat kombëtare”.

Arbën Xhaferri është ndarë nga jeta pasditen e 15 gushtit 2012 në moshën 64-vjeçare. Ai ra në gjendje kome për gati 7 ditë dhe shkak u bë një hemorragji cerebrale në tru, që pati mbrëmjen e 8 Gushtit rreth orës 21:00 në banesën e tij në Tetovë. Ish- kryetari i PDSH-së, Arbën Xhaferi, vuante nga sëmundja e Parkinsonit, që ishte edhe shkak për tërheqjen e tij nga aktivitetet partiake. Arbër Xhaferi lindi në qytetin e Tetovës më 24 janar të vitit 1948. Ai ka punuar në redaksinë e Kulturës të Televizionit të Prishtinës dhe, në fillim të viteve ‘90, u rikthye për të jetuar në Tetovë. Në vitin 1994 themeloi Partinë për Prosperitet Demokratik Shqiptar, e cila më pas ndryshoi emër në Partia Demokratike Shqiptare. Ai e drejtoi këtë parti deri në vitin 2007.

Xhaferi ka qenë deputet i Parlamentit të Maqedonisë që nga viti 1994. Ai synonte krijimin e një sistemi dydhomësh në institucionin ligjvënës. Në kohën e konfliktit të armatosur në vitin 2001, partia e tij ishte në pushtet. Ai është një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, por me zvarritjen e zbatimit të saj, ai synonte një marrëveshje të re midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Xhaferi njihej për opinionet filozofike gjatë paraqitjeve në media dhe është autor i shumë eseve dhe artikujve analitikë, pas tërheqjes nga politika aktive.

V.Murati

Pse shqiptarët s’janë ende në Evropë?

Arbën Xhaferri:…Shqiptarët, ndonëse nuk kanë distancë nga Evropa, megjithatë, edhe ato vlera që i njohin, nuk i trajtojnë seriozisht, si diçka fondamentale për një shoqëri moderne. Jemi të prirë ta pranojmë formën, pa obligime ndaj përmbajtjes. E duam hedonizmin evropian, por jo stoicizmin, përkushtimin ndaj punës, seriozitetin e tyre, respektimin e ligjit. Gjenetika, origjina apo gjeografia nuk janë përcaktues të mjaftueshëm të identitetit evropian, por sistemi i vlerave. Zhvillimi politik, ekonomik dhe qytetërues i Evropës ka një parahistori të gjatë dhe nuk është aspak rastësi. Dokumenti i parë që ngushton hapësirën e sovranit (mbretit) dhe që paralajmëron konceptin e shtetit ligjor, parakushtit për zhvillim të shoqërisë, Magna Carta Libertatum, u hartua më 15.6.1215. Ky ishte dokumenti i parë që e kufizoi pushtetin absolut të mbretit (John Laclandit, Gjonit Patokë) dhe krijoi kushte për përhapjen e idesë, të standardit kushtetues që garanton mbrojtjen e drejtave dhe lirive e njeriut. Ky dokument ka rëndësi historike, ngaqë e hapi shtegun për humanizim të shoqërisë. Kjo ndodhi shekuj më parë.

…Evropa me guxim ec përpara duke rrënuar barrierat ataviste, tabu temat që e bllokojnë trurin, ajo me vendosmëri i zëvendëson idetë e vjetra pengestare me ide të reja që në fakt është fshehtësia se si krijohet historia e vërtetë. Pra, ne sot e kësaj dite nuk kuptojmë rëndësinë e gjithanshme të idesë së shtetit ligjor, standardit për mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut, domosdoshmërinë për verifikim shkencor të gjitha ideve që janë në funksion të organizimit shoqëror, nxitjen e hulumtimit të fenomeneve dhe përfundimisht rëndësinë e ndarjes së shtetit prej religjionit. Sot në të gjitha shtetet e Ballkanit, politikanët kërkojnë ndihmën e faktorit religjioz për legjitimimin e tyre politik, moral dhe partiak. Kjo gjithsesi nuk ndodh në shtetet evropiane. Në kuadër të kulturës evropiane, këto vlera, pa të cilat nuk mund të funksionojë një shtet modern, janë të njohura me shekuj dhe ne, nëse dëshirojmë të jemi evropianë, duhet para së gjithash t’i pranojmë, t’i interiorizojmë këto standarde në sistemin tonë të vlerave”.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Hyni brenda vilës që ka blerë Jolie dhe Pitt në Spanjë

Ata kanë disa prona fantastike në vende të ndryshme të globit. Por...
Read More