Pragmatizmi Europian dhe një mundësi që nuk duhet humbur

Nga Viktor Mërkuri

Europa duket se ka një vendim për të marrë. Ajo mund të qëndrojë indiferente ndërsa nacionalizmi dhe autoritarizmi lulëzojnë te Shtetet e Bashkuara (me qasjen “Amerika e Para” nga Donald Trump) dhe në Kinë (që lëviz nga një sistem i vetëm në një regjim të vetëm), ose mund të drejtojë një rivitalizim të vlerave demokratike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, në një kohë kur ndryshimet e nxitura nga teknologjia kërkojnë reforma të mëdha politike, ekonomike dhe sociale.

Viti 2018 e gjeti Bashkimin Europian pa ndonjë krizë serioze dhe vetëm me një zgjedhje elektorale të madhe, atë në Itali. Ky vit është në udhën e duhur për të qenë një qetësi relative për Europën, duke ofruar një mundësi të rrallë për të përparuar në sfidat afatgjata, nga lidershipi i marrëveshjeve klimaterike deri tek emigracioni.

Është kthyer në një klishe tashmë që çdo vit Brukseli do të duhet të përballet me një ose me shumë problematika serioze.

Pas gati një dekade drame të pandërprerë e cila përfshinte- një krizë financiare, e ndjekur nga agresionet ushtarake në Ukrainë dhe aneksimin e gadishullit të Krimesë, kriza e refugjatëve sirianë, votimi i Brexit dhe zgjedhja e një presidenti amerikan i cili e ka vënë në pikëpyetje marrëdhënien transatlantike, Europa hyri në 2018 në një pozicion relativisht të qëndrueshëm.

Franca tashmë ka një president pro europian, një koalicion i madh pro europian po zhvillohet në Gjermani, dhe lidershipi britanik, ndonëse thellë i polarizuar, ka arritur të bjerë dakord me partnerët e saj në BE për një projektligj “divorci” që do të shërbejë si një platformë për negociatat e vazhdueshme.

Ndodhur ende nën presion nga elemente si Brexit, Trump dhe Putin, dallohet qartë një rrymë e re bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes brenda BE-së, siç dëshmohet nga vendimi i nëntorit të 2017-ës për të nisur iniciativën e PESCO (Bashkëpunimi i Përhershëm Strukturor). PESCO është pjesë e politikës së sigurisë dhe mbrojtjes së Bashkimit Europian, në të cilin 25 nga 28 forcat e armatosura kombëtare të vendeve komunitare ndjekin integrimin strukturor bazuar në Traktatet, për të thelluar bashkëpunimin e mbrojtjes midis Shteteve Anëtare të BE-së të cilat janë të afta dhe të gatshme për t’u bërë pjesë. Qëllimi është që së bashku të zhvillojnë aftësitë e mbrojtjes dhe t’i bëjnë ato të disponueshme për operacionet ushtarake të BE-së, gjë e cila do të rrisë kapacitetin e saj si një partner i sigurisë ndërkombëtare, do të kontribuojë në mbrojtjen e qytetarëve të saj, dhe do të maksimizojë efektivitetin e shpenzimeve të mbrojtjes.

Udhëheqësit e kësaj përpjekjeje do të jenë Franca dhe Gjermania. Macron është padyshim një nga presidentët francezë më pro europianë në histori, por ai duhet të bindë përsëri popullin e vet për virtytet e BE-së, dhe t’i bindë ata se iniciativa e ndërhyrjes së tij europiane plotëson më tepër sesa konkurron me momentin aktual të BE-së. Udhëheqja e re e Gjermanisë, pa marrë parasysh nëse është një qeveri e pakicës, një koalicion i madh apo ndonjë alternativë tjetër e besueshme, do të duhet të angazhohet për një rivendosje deri në përfundim të 2018-ës dhe të ndjekë shembullin në fusha të tjera, përfshirë buxhetin e mbrojtjes.

Europa tani ka një mundësi të artë për të theksuar politikëbërjen dhe ndjekjen e reformave që i nevojiten për të hedhur themelet për një të ardhme më të qëndrueshme, të sigurt dhe dinamike.

Një BE më e integruar dhe e sigurt do të ishte e pozicionuar mirë për të vendosur veten në mënyrë më efektive në skenën ndërkombëtare. Tregu i përbashkët europian, me të cilin BE-ja ende mburret për GDP-në më të madhe se Kina dhe SHBA-ja, mund ta përdorë atë si “pol” të tretë në një rend të ri botëror. Modeli i tij i hapjes ekonomike, kohezionit social dhe institucioneve të forta mund të sigurojë një alternativë ndaj tendencave izoluese dhe nacionaliste që po kërcënojnë bashkëpunimin global.

Viti 2019 duket që tani se parashikohet mjaftë i komplikuar, pasi do të përfshijë zgjedhjet europiane, emërimin e një Komisioni të ri Europian dhe afatin përfundimtar për një marrëveshje të Brexit.

Kjo lë me pak se 12 muaj që Europa të bëjë përparim në fusha të ndryshme, duke përfshirë mbrojtjen e përbashkët, tregtinë, bashkimin e energjisë, reformën e Shengenit dhe bashkimin bankar. Por përpjekjet e përbashkëta janë veçanërisht të rëndësishme në tre fusha – një e brendshme, një rajonale dhe një globale – gjatë vitit të ardhshëm.

Rendi i liberal botëror që u ngrit nga rrënojat e Luftës së Dytë Botërore për parandalimin e katastrofave vazhdon të përballet me vështirësi. Bashkimi Europian duhet të riafirmojmë rëndësinë e internacionalizmit dhe demokracisë në këtë epokë të re digjitale, duke adaptuar politikat dhe rregullat e saj në realitete të reja. Europa, me përvojën e saj unike për krijimin e një modeli demokratik të qeverisjes mbikombëtare, duhet të udhëheqë rrugën.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Nga çizmja te toleranca, çfarë po ndodh me Monën?

Nga Ervis Iljazaj Monika Kryemadhi ka komentuar ditën e djeshme largimin e...
Read More