Pranga dhe BE

Ankthi për hapjen e negociatave me BE-në dhe lëvizjet politike për t’i “mbushur mendjen” Europës. A do të ndikojnë arrestimet e fundit në vendimin e Brukselit në pranverë dhe pasojat nëse do të kemi sërish shtyrje.

Nga Sebi Alla

Klasa politike shqiptare në ditët e muajt në vazhdim do “përgjojë” pas derës së BE-së për të pritur lajmin nëse vendi ynë do të ketë një datë për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE. Cilido të jetë vendimi nga familja europiane, politizimi, si sukses i njërës palë, apo dështim i tjetrës, është i garantuar që do të ndodhë. Llogaritë kanë nisur që tani të bëhen që tani, pasi janë qartësuar kriteret që ka vendosur Brukseli në lidhje me çdo vend të Ballkanit Perëndimor. Sipas dokumentit strategjik, dalë nga zyrat e BE-së, Ballkani Perëndimor duhet të zbatojë reforma gjithëpërfshirëse në fusha kyçe, si sundimi i ligjit, reformat gjyqësore, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe reforma e administratës publike, të cilat duhet të japin rezultate reale, dhe funksionimi i institucioneve demokratike duhet të avancohet ndjeshëm ashtu si edhe reformat ekonomike. Për qeverinë, Shqipëria i plotëson kriteret dhe shprehet optimiste që nga BE do të vijë e shumëpritura “hapje e negociatave”. Këtë optimizëm e lidhin edhe me ndalimin e disa ish-zyrtarëve të lartë të administratës publike, që janë një pikëz e vogël uji në “oqeanin” e korrupsionit. Nga ana tjetër, opozita mban të gjallë skepticizmin, duke këmbëngulur fort se krimi, korrupsioni, përfshirja e politikës në trafiqe dhe kapja e shtetit janë faktorë të mjaftueshëm që Shqipëria edhe kësaj radhe të mbetet në pritje, pa një vendim pozitiv. Përtej këtyre “kalkulimeve” të politikës minore të vendit tonë, shtetet anëtare të BE-së u kanë dhënë një shans secilit shtet të Ballkanit Perëndimor, por me disa kushte, që nëse analizohen me hollësi, vështirë se plotësohen. Zyrtarë të lartë të BE-së janë artikuluar se “BE i ka dyert e hapura”, por për ata vende të cilat kanë ç’të tregojnë në zbatimin e reformave. Gjithashtu, BE-ja duhet të bëjë llogaritë e saj me influencën e shteteve të fuqishme, si: Rusia, Kina apo edhe Turqia, që në gjeopolitikën e tyre, synojnë të “aneksojnë” këto vende.

 Analisti Armand Shkullaku mendon se Shqipëria nuk i plotëson kriteret për hapjen e negociatave, pasi edhe ato arrestime të nivelit të ulët të ish-ave, nuk mund të “verbojnë” politikat e qarta të vendeve të BE-së, pasi duhen rezultate konkrete.

Në këndvështrimin e analistit tjetër Mustafa Nano, arrestimet e fundit, sado të nivelit të ulët, mund të japin idenë e funksionimit të shtetit ligjor, por në verdiktin përfundimtar, nëse për Shqipërinë ka një datë brenda këtij viti për hapjen e negociatave, ndodh se ashtu e mendon BE-ja, jo se kemi plotësuar rigorozisht kriteret e përcaktuara.

 

Analisti Armand Shkullaku: Nuk e meritojmë hapjen e negociatave, politika na la 20 vjet në pritje

Në BE po diskutohet për zgjerimin, ndërsa Shqipëria është në pritje të vendimeve që do të merren. A i plotëson kriteret vendi ynë për të marrë ftesën për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE? Po arrestimet e fundit ose ato që mund të priten në të ardhmen, a janë kusht që vendi ynë të ketë një datë hapjesh negociatash brenda këtij viti?

Nëse shtrohet pyetja se demokracia shqiptare është e parametrave të tillë që meriton hapjen e negociatave, si një hap drejt anëtarësimit, përgjigjja do të ishte e dhimbshme dhe pak zhgënjyese. Shqipëria nuk është në nivelin për të hapur negociatat. Mendoj se një futje ose afrim në BE për sa kohë nuk plotësohen kriteret bazë mund të ketë pasoja negative. Kjo mund ta vërë në gjumë qeverinë, për të thënë që edhe me këtë demokraci bizarre që kemi, ia arritëm. Kjo mund të rëndojë situatën brenda vendit kjo mund të shfrytëzohet për keq dhe qeveria thellojë gabimet e saj. Nuk jemi gati pasi ndryshe nga vendet e tjera, në Shqipëri nuk ka asnjë proces zgjedhor që nuk kontestohet. Ne e dimë që problem i luftës kundër krimit dhe korrupsionit nuk fillon e mbaron me dy ish-zyrtarë rrugësh apo të administratës publike. Ne e dimë që gjithçka në Shqipëri është e centralizuar. Nuk mund të besojmë se fajin për drogën në Shqipëri dhe kapjen e policisë nga krimi e kanë disa drejtues policie apo policë të thjeshtë. Ne e dimë që roli i ministrit të Brendshëm, si krahu i djathtë i Kryeministrit ka qenë vendimtar për degradimin e sigurisë dhe rendit në Shqipëri. Mos harrojmë që kjo ka patur një pasojë direkt me reputacionin tonë dhe përpjekjen për t’u bashkuar me BE-në. Raportet shumë të rënda që kanë ardhur nga Holanda, Franca, Britania e Madhe kanë ngritur alarmin se vendet e tyre po kthehen në parajsa për trafikantët e drogës nga Shqipëria. Sasi të mëdha droge mbërrijnë nga Shqipëria, duke patur vendin tonë jo vetëm si furnizues me kanabis, por edhe droga të rënda si kokaina. Ministritë e Brendshme të atyre vendeve kanë kërkuar që të shihet edhe marrëveshja e lëvizjes së lirë me Shqipërinë, jo më në një fazë tjetër të avancuar. Në Francë mbajmë numrin e parë për azilkërkues, po kështu në Gjermani kemi shënuar shifra rekord. Në Angli nuk ka ditë që nuk kapen shqiptarë në kamionë, anije që tentojnë të ikin. Të gjithë këto problem nuk zgjidhen me propagandë. Nuk zgjidhen duke bërë show në Pallatin e Kongreseve, me vendosjen e dy ekraneve të mëdhenj duke thënë që në Shqipëri nuk ka drogë, që në këtë vend janë të gjithë të lumtur, që këtu funksionon demokracia etj. Të mendojmë që në një periudhë të caktuar kohe kemi qenë në një kohë me Bullgarinë e Rumaninë. Jo më kot ne jemi pas, po të shohësh strategjinë e zgjerimit, Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina veçohen, shohim që paragrafit që flet për krimin e organizuar, për korrupsionet në të gjithë nivelet, për interesat private që ndërthuren me ato publike, (koncesionet publike të viteve të fundit), problemet me drejtësinë apo mediat, kjo nuk i drejtohet Bosnjës sesa i drejtohet Shqipërisë. Bosnja ka një problem tjetër ai është etnik. I njëjti problem ka qenë edhe për Serbinë, që njohja e Kosovës do e afronte më shumë brenda BE-së. Për Shqipërinë është problem i brendshëm, në radhë të parë është lufta politike e cila buron nga deformimi i sistemit demokratik, që më pas pjell këto probleme, që për një vend europian janë të papranueshme.

Pas çdo vendimi pozitiv ose negative, si do të ndikojë kjo për vendin tonë? Në rast shtyrje të hapjes së negociatave, a mund të kthehet një politikë edhe më agresive apo do nxitë palët, veçanërisht qeverinë, për të plotësuar kriteret strikte që mund të vendosen?

Nëse Bashkimi Europian do merrte vendim për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë, ky vendim do kishte dy pasoja. Pasoja direkte lidhet me një zhgënjim të përsëritur të qytetarëve shqiptarë që shpresojnë e besojnë se gjithnjë janë në prag, por çuditërisht mbesin të fundit. Nga ana tjetër, do të ketë edhe një efekt ndërgjegjësues te njerëzit, që ne nuk mund të hyjnë në BE vetëm pse reklamojnë identitetin tonë europian, se reklamojmë dëshirën tonë për të qenë pjesë e BE, apo vetëm sepse ciç kemi dëgjuar shpesh Europa na e ka një borxh të vjetër, dhe tani është momenti që ky borxh të lahet. Nëse do të vazhdojmë ta shikojmë këtë raport si një detyrim që Europa ka ndaj nesh, dhe jo si një vullnet tonin për të arritur disa standarde që vërtet na bëjmë shoqëri europiane, mendoj se një vendim i tillë mund t’i ndërgjegjësojë njerëzit dhe të kërkojë më shumë nga ata që i ka zgjedhur për të përmbushur këtë aspiratë kryesore. Çdo qeveri që ka ardhur në Shqipëri integrimin e ka patur kryefjalë, pra ka qenë pika numër dy. Interesi kombëtar i pari dhe integrimi europian i dyti, por gjithmonë kjo pikë ka mbetur në fund. Nuk besoj se këtu ka ndikuar siç thoshte dikur kryeministri Rama që ndikojnë qarqe radikale, njerëz që na shohin si vend mysliman, vende që janë kundër zgjerimit etj. Mendoj se ka ardhur për faktin e thjeshtë që Shqipëria nuk i ka bërë detyrat e shpisë. Nuk di si do jetë ky vendim, por sigurisht përveçse ndikim te qytetarëve do të ndikojë edhe në klasën politike. Nuk do jetë çudi që nëse këto negociata nuk do hapen, ne të dëgjojmë refrenin nga mazhoranca që problem ishte opozita, lufta politike, opozita sabotoi dhe nuk bashkëpunoi, foli kundër Shqipërisë etj., e këto janë arsyet që Shqipëria ngeli në klasë etj. Përdorimi i një gjuhe të tillë nuk na shpëton dhe nga nxjerr nga situata ku jemi, gjithçka do të fillojë nga përgjegjësia që ka secila palë. Nëse do kemi këtë përgjigje negative reflektimi i qeverisë duhet të jetë i thellë dhe serioz dhe jo ta kalojë përgjegjësinë palës tjetër. Nëse do kemi përgjigje negative, edhe opozita besoj do të përpiqet të fitojë pikë brenda vendit, ta përdorë politikisht, me ose pa të drejtë. Është brenda logjikës së saj që nëse mund të kemi dështim të tillë gishti drejtohet nga përgjegjësi kryesor që është qeveria. Pse jo kjo mund të çojë në radikalizim të situatës politikë. Kemi dëgjuar shpesh të thuhet dhe lihet të kuptohet se nëse Shqipëria do të dështojë në hapjen e negociatave me BE, opozita do shikojë qëndrimin e saj në parlament, tek ideja e radikalizimit të protestave apo djegien e mandatave në parlament. Këta janë skenarë nëse Shqipëria nuk do marrë hapjen e negociatave. Nëse do të hapen negociatat, nuk duhet përdorur politikisht nga asnjëra palë, por duhet parë si përgjegjësi edhe më e madhe pasi monitorimi do jetë më këmbëngulës dhe më vëmendshëm për të mos dështuar rrugës, mund të hapen negociatat, por kjo nuk do të thotë asgjë. Nëse vazhdojmë me të njëjtën logjikë sikurse thoshte raporti i strategjisë së monitorimit, që vendi është i kapur nga krimi e korrupsioni në të gjitha nivelet, interesat privatë janë të ndërlidhura me ato politike, korrupsioni, krimi, droga, mungesa e ligjit, zgjedhjet e lira etj., janë probleme që mbeten, hapja e negociatave nuk do të thotë që këto problem do të zerohen. Nuk është çudi që të hapen negociatat dhe të mos merret kurrë një datë, siç mori Serbia dhe Mali i Zi, për anëtarësim. Në këtë këndvështrim në të dyja rastet politika duhet të jetë e vëmendshme për të plotësuar detyrat e veta dhe jo për të fituar pikë këtu për të fituar zgjedhjet e ardhshme. 

Po flitet për zgjerimin e BE-së, por edhe brenda saj ka dy rryma që diskutojnë që Ballkani Perëndimor është më mirë pranë BE-së, sesa jashtë saj, qoftë edhe pa plotësuar “kriteret riguroze”. Cili është qëndrimi juaj, ndërsa vende të tjera të fuqishme jashtë BE-së po shtrijnë ndikimin në Ballkan, jo vetëm në fushën ekonomike, por edhe politike.

Nuk duhet të harrojmë që edhe Brukseli është organizëm politik. Edhe qeveritë e vendeve Europiane, që përfaqësojnë Bashkimin Europian, kanë secila prej tyre interesat e brendshme. Secila nga këto shtete ka politika të brendshme, që mund të jenë partizanë të krahut të integrimit të zgjidhjes së problemeve dhe vendosjes së kufirit gjeopolitik të qarta. Këtu bëhet fjalë për Serbinë si kusht për njohjen e Kosovës, i është venë edhe pozicionimi i qartë politik me BE ose me Rusinë, jo më me një politikë ekoivoke. Ekzistenca e këtyre rrymave brenda BE-së është e kuptueshme. Ndërkohë është edhe pjesa tjetër që është me e hapur për zgjerimin. Janë ekstreme, duhet të ketë patjetër një vijë të mesme. Edhe zgjerimi për hir të stabilitetit, apo koniunkturave gjeopolitike, nuk na shërben ne si shqiptarë apo ballkanas. Kemi parë shpesh që shumë liderë te ne në momente të krizave të brendshme kanë zhvilluar këto lojëra, dikush afrohet me shumë Turqinë, dikush me Rusinë, të tjerë tentojnë të fusin investime kineze dhe këto përdoren si presion ndaj BE-së, sesa si zgjedhje reale. Ne duket të përqendrohemi jo te përdorimi apo shfrytëzimi i pikave të dobëta të vendeve të BE-së. Duhet të përqendrohemi te lufta kundër krimit dhe korrupsionit, përmirësimit të demokracisë, parlamentarizmi etj. Në këtë aspekt ne e kemi vuajtur këtë lojë kur kemi dashur të bëhemi pjesë e lojës së madhe politike. Ne jemi vend i vogël që na takon të rregullojmë së pari shtëpinë tonë dhe më pas të mendojmë të joshim të fortët e kësaj bote. Kemi parë edhe zotin Berisha kur ishte në qeveri që të fliste për albanofobinë, për faktorin shqiptar në Ballkan etj., duke lënë të nënkuptohej se nëse refuzohemi mund të kemi destabilitet dhe Europa duhet të na pranojë pavarësisht si jemi, pasi ndryshe do kemi problem destabiliteti në rajon. Kemi parë edhe Ramë edhe me deklarata të papërgjegjshme që nëse nuk futemi në Europë Shqipërisë dhe Kosovës i lind e drejta të bashkohet. Këto janë presione fëminore që Europës nuk i sjellin asnjë dëm por ne na mbajnë peng, pasi kemi 20 vjet që kemi nisur proceset por sërish jemi të fundit.

 

Analisti Mustafa Nano: “BE do të bëjë sikur nuk di gjë për problemet tona”

Në BE po diskutohet për zgjerimin, ndërsa Shqipëria është në pritje të vendimeve që do të merren. A i plotëson kriteret vendi ynë për të marrë ftesën për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE? Po arrestimet e fundit ose ata që mund të priten në të ardhmen, a janë kusht që vendi ynë të ketë një datë hapjesh negociatash brenda këtij viti?

Shikoni, vendi ynë nuk i plotëson kriteret. Këtë e dimë të gjithë. Mjafton të shohësh se si kacafyten partitë e politikanët shqiptarë në Tiranë, në Kuvend e jashtë Kuvendit, për të kuptuar se Shqipëria nuk është ende gati për të hapur negociatat. Por nuk është kjo çështja. Çështja është nëse BE-ja “do të bëjë sikur nuk di gjë”. Thënë me fjalë të tjera, duhet shpresuar që BE-ja të ketë një interes të vetin t’i hapë këto negociata me Shqipërinë (e me Maqedoninë, Bosnjën, Kosovën). Sado e çuditshme apo e padrejtë të duket, arrestimet e fundit, apo edhe të tjera në javët që do të vijnë (nëse do ketë), mund të luajnë një rol të rëndësishëm. Këtu brenda këto arrestime mund të futen në lupën e ligjshmërisë, e mund të lexohen si veprime arbitrare, por në Bruksel do ketë një lexim tjetër. Zyrtarët e Brukselit mund t’i shohin arrestimet e dënimet e zyrtarëve të lartë si një provë se në Shqipëri ka filluar realisht lufta ndaj korrupsionit, gjë që ka përbërë një shqetësim për BE-në.

Pas çdo vendimi pozitiv ose negativ, si do të ndikojë kjo për vendin tonë? Në rast shtyrjeje të hapjes së negociatave, a mund të kthehet një politikë edhe më agresive apo do nxisë palët, veçanërisht qeverinë, për të plotësuar kriteret strikte që mund të vendosen?

Kryeministri, e të tjerë nga mazhoranca, kanë krijuar pritmëri të mëdha lidhur me hapjen e negociatave, por mua nuk më duket se punët janë kaq mirë. Asgjë nuk është e sigurt. Komisioni Europian duket se e ka ndarë mendjen ta japë rekomandimin e vet (në prill), por vendimin do ta marrin vendet anëtare në qershor. Dhe në këtë pikë gjërat komplikohen. Ka vende që nuk janë të bindura se Shqipëria ka bërë aq sa duhet. Mjafton edhe një vend i vetëm të dalë kundër, dhe rekomandimi del të jetë një letër pa asnjë vlerë. Këto vende mund të ndryshojnë mendim veç nga ndonjë frikë se zvarritja e procesit për vendet e Ballkanit perëndimor mund t’i dekurajojë forcat “reformatore” në këto vende, mund të dekurajojë edhe opinionin publik, i cili vijon të mbetet shumë pro europian.

Po flitet për zgjerimin e BE-së, por edhe brenda saj ka dy rryma që diskutojnë që Ballkani Perëndimor është më mirë pranë BE-së, sesa jashtë saj, qoftë edhe pa plotësuar “kriteret rigoroze”. Cili është qëndrimi juaj, ndërsa vende të tjera të fuqishme jashtë BE-së po shtrijnë ndikimin në Ballkan, jo vetëm në fushën ekonomike, por edhe politike.

Po, këtu kemi të bëjmë me një arsye tjetër që mund ta bëjë BE-në ta përshpejtojë me pahir procesin e integrimit të këtyre vendeve në BE, edhe në rastin që këto vende nuk janë gati. BE-ja duket qartazi që është e shqetësuar prej rolit të Kinës e të Rusisë, ndoshta edhe Turqisë, në Ballkan. Dhe në Bruksel nuk janë të interesuar që t’u lënë fushë për të luajtur këtyre fuqive jo europiane. Kjo është një koniunkturë që mund të favorizojë Shqipërinë. Ne kemi përfituar shpesh herë në histori prej koniunkturave. Nuk është çudi të përfitojmë edhe këtë herë.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Dokufest 2017: Marubi ‘sticker art’ në muret e Prizrenit

Prizreni si rrallë ndonjëherë është mbushur me fotografi të Marubëve. Një pjesë...
Read More