Pranimi në Universitet, pakënaqësi e lartë

Një proces gjyqësor tregon se sa i çuditshëm është përkufizimi që ka Universiteti i Harvardit për meritën

Abot Lorenc Louell, presidenti i Universitetit të Harvardit nga 1909 deri më 1933, mendonte se në Universitet kishte shumë hebrenj. Në vitin e parë të presidencës së Louell, ata përbënin 10% të trupës studentore. Që prej vitit 1922, numri i tyre u rrit më shumë se dyfish. Për të adresuar atë që ai e quante “Problemi Hebre”, propozoi caktimin e një kuote fikse prej 15%. Kur kjo filloi të dukej si diçka e diskutueshme, ai vendosi të nxirrte “një rregull që do të ishte më pak i qartë në aparencë”, për t`u mohuar atyre që dyshoheshin si hebrenj, të pranoheshin. Më parë, pranimi në Universitetin e Harvardit, që arrihej nëpërmjet përmbushjes së kritereve akademike, filloi të ishte më i mjegullt – duke u bazuar më së shumti në “karakterin dhe përputhshmërinë” e aplikantit. Politika e re holistike për pranimet funksionoi ashtu siç pritej, duke ulur me sukses pranimin e studentëve hebre.

Universiteti i Harvard, si disa nga universitetet më të mira të Amerikës, ruan një proces pranimi holistik. Ndryshe nga universitetet elitare në pjesën më të madhe të shteteve të tjera, kolegjet amerikane nuk zgjedhin thjesht studentët më të zgjuar – ata gjithashtu, marrin parasysh edhe aktivitet ekstrakurrikulare, pasurinë familjare dhe rracën. Për kritikët, ky sistem ende funksionon si motorr i së padrejtës, vetëm se tani viktimat janë aziatiko-amerikanët, të cilët i kalojnë moshatarët e tyre me ngjyrë të bardhë në parametra akademikë, por përsëri përballen me vështirësi të mëdha kur aplikojnë në kolegjet më të mira, të njohur si Ivy League. `Studentët për Pranim të Drejtë` (SFFA), një organizatë e themeluar nga Eduard Blum, një aktivist konservator që kundërshton masat me karakter pozitiv përsa i përket rracës së aplikantit, ngriti një proces gjyqsor kundër Universitetit të Harvard, duke pretenduar diskriminim ndaj studentëve aziatiko-amerikanë më 2014. Pavarësisht, një përpjekjeje të tërbuar për të anuluar akuzën, Universiteti i Harvardit u detyrua t`i rikthehej 90.000 faqeve që flasin për procesin e tyre të rreptë të pranimit. Më 15 Qershor, në seancën gjyqësore, të dyja palët dhanë statistika që analizonin në mënyrë të ndryshme të dhënat mbi vendimet e pranimeve. Reputacioni i Universitetit të Harvardit mbi të drejtën dhe paanshmërinë u dëmtua.

Nga vlerësimet e zyrës së pranimeve, aziatiko-amerikanët renditeshin më lart se aplikantët e bardhë në të dyja, si në aftësitë akademike ashtu edhe në cilësinë e aktiviteteve të tyre ekstrakurrikulare. Pavarësisht këtyre, normat e pranimit janë shumë më të ulëta. Për aziatiko-amerikanë të renditur në dhjetshen më të mirë për nga aftësitë akademike, vetëm 13.4% e tyre janë pranuar, krahasuar me 18.5% të të bardhëve (shikoni grafikët). Aziatikët renditen edhe më keq në një tjetër njësi matëse të cilësisë së aplikantëve – atë të “vlerësimit personal” – nga ana e zyrtarëve të pranimeve. Ndryshe nga dy komponentët e tjerë matës, personaliteti gjykohet subjektivisht dhe vendoset nga zyrtarët e pranimeve, të cilët për më tepër nuk i kanë takuar aplikantët. Alumnit, të cilët kryejnë intervista ballë për ballë me aplikanët, vlerësojnë aziatiko-amerikanët po njësoj sa të bardhët. Për SFFA-në, kjo përbën një provë të qartë përsa i përket diskriminimit.

Peter Arkidiakono, një ekonomist në Universitetin e Dukut, i punësuar nga paditësit, ndërtoi një model statistikor për efektet që sjell pranimi në varësi të rracës. Ai përllogarit se një aplikant mashkull, jo i varfër aziatiko-amerikan, që është i kualifikuar, ka 25% shanse për t`u pranuar në Harvard, nga 36% që do të kishte po të kishte qenë i bardhë. Nëse do të ishte hispanik, mundësia për t`u pranuar do të ishte 77%; e nëse do të ishte me ngjyrë kjo mundësi do të shkonte në 95%. Për fatin e keq të palës së paditur, një raport i brendshëm i trupës së kërkimit të Harvardit, që e gjetën gjatë kërkimit të tyre arritën në të njëjtat përfundime. Zyrtarët e Harvardit pretenduan se raporti ishte i paplotë dhe se analiza ishte thjeshtuar së tepërmi.

Pranimi i fajit

Në përballjen e statistikave, avokatët e Harvardit punësuan David Kard, një ekonomist i shquar në fushën e punësimit, në Universitetin e Kalifornisë, Berklei. Modeli i tij përfshin faktorë si cilësia e aplikantit gjatë gjimnazit, ku punojnë prindërit dhe vlerësimi personal – që ka hasur mjaft kundërshti. Në bazë të këtyre parametrave kontrolli, z. Kard pretendon se aplikantët aziatiko-amerikanë nuk janë të disavantazhuar në krahasim me të bardhët. Por duke qenë se faktorët janë vetvetiu të lidhur me racën, argumenti statistikor i z. Kard është sikur të thuash që edhe pse ai duket si paragjykim racor, pranimi në Harvard nuk bëhet mbi baza rracore.

Përplasja e ekonomistëve ndodh, sepse ata nuk mund të bien dakord për atë çfarë quhet e drejtë. Susan Dynarski, ekonomiste pranë Universitetit të Miçiganit, argumenton se modeli i zotit Arkidiakono teston paragjykimet racore në një sistem ideal. Ndërsa modeli i z. Kard kërkon paragjykimet racore në mënyrën se si Harvardi vepron aktualisht.

Për ata që nuk i besojnë matematikës së sofistikuar, mund t`u themi se edhe statistika bazë, gjithashtu, duket shqetësuese. Harvardi insiston se nuk ka asnjë ndasi koutash sipas racave apo tavane racore në përzgjedhje, gjë që do të binte ndesh me vendimet e Gjykatës Supreme dhe që do të rrezikonte marrjen e fondeve federale nga ana e Universitetit. E megjithatë, pranon se numri i aziatiko-amerikanëve ka mbetur afër nivelit 20%, gjatë dekadës së fundit. Kjo është e vërtetë edhe pse numri i aziatiko-amerikanëve është rritur në gjimnaze. Kaltek, një ndër Universitetet më të mira, që nuk praktikon masa pranimi të bazura mbi racën, ka parë rritjen në mënyrë dramatike të studentëve aziatiko-amerikanë gjatë së njëjtës periudhë.

Gjithashtu, seancat gjyqësore treguan se si preferencat mbi trashëgiminë familjare, që nënkupton një avantazh domethënës për fëmijët që i kanë prindërit ish-studentë, e vë në pikpyetje edhe njëherë, sistemin e pranimit të Harvard. Një raport i brendshëm, i fshehtë, tregon se preferencat janë të të njëjtës sasi me ato të dhëna aplikantëve me ngjyrë. Afërsisht 34% e aplikantëve me prindër ish-studentë pranohen – numër 5 herë më i madh se i aplikantëve pa trashëgimi prindërore. Kjo nënkupton masa me diskriminim pozitiv për studentët e pasur. Sipas një studimi nga një student i vitit të parë, i kryer në Harvard Cimson, gazetën e kolegjit, 88% e studentëve me prindër ish-studentë vijnë nga familje, që fitojnë më shumë se 125.000$ në vit. Atletët e rekrutuar, për të cilët Harvard thotë se pranon për të mbushur ekipet e lacrosse-it (hokei në bar) dhe vozitjes (gara me kanoe tetëshe), janë gjithashtu, në mënyrë disproporcionale të bardhë. Nga vlerësimet e zotit Arkidiakono 22% e studentëve të bardhë vijnë prej prindërve ish-studentë dhe 16% përzgjidhen prej sporteve.

Edhe nëse pranojmë se Universiteti i Harvard nuk i diskriminon aziatiko-amerikanët, këmbëngulja e tij për të ruajtur preferencat trashëgimore prindërore minon këtë çështje. Rakesh Khurana, dekani i Universitetit të Harvardit, justifikon këto politika në kuadër të studentëve që “kanë më shumë lidhje me Harvardin” me ata që “nuk janë edhe aq familjarë me të”. Të tjerë thonë se kjo politikë është e nevojshme për të mbledhur fonde. Përtej pyetjeve morale që kjo situatë ngre, ia vlen të vëmë në dukje se një universitet fqinj si MTI, që nuk favorizon aplikantët me trashëgimi prindërore, arrin t`ia dalë shumë mirë me menaxhimin.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Fizioterapi për trajtimin e hernies diskale, si lehtësohen dhimbjet

Duhet të besoni një Fizioterapist për të trajtuar hernien diskale sepse kjo...
Read More