Pranvera e lobingut

Revista Mapo, e sapodalë në treg, ia kushton kopertinën, betejës mes partive kryesore shqiptare për të fituar mbështetjen e Uashingtonit, por edhe të qendrave të tjera të rëndësishme. Më poshtë gjeni editorialin e redaktorit përgjegjës për këtë çështje. Shkrimin e plotë dhe të tjera materiale pikante i gjeni në numrin e ri në çdo pikë shitje

Nga Vladimir Karaj

Shqipëria nuk ka një ligj për lobingun. Normalisht as rregulla dhe as kompani lobimi nuk ka në vend. Partitë politike kryesore shqiptare nuk janë shqetësuar për këtë. Çfarë ka për të lobuar këtu fundja?! E megjithatë të tria partitë kryesore parlamentare në vend po shpenzojnë shuma të mëdha për të fituar simpatinë e Shtëpisë së Bardhë.

Socialistët, demokratët dhe ata të LSI ishin prezentë në 2016 ditën kur Hillary Clinton mori nominimin si kandidate e demokratëve. Të tria palët folën me superlativa për kandidaten që deri në atë moment askush nuk e diskutonte. Clinton do ishte presidentja. Edi Rama, kryeministri, shkoi aq larg në këtë bindje të tij saqë sulmoi hapur rivalin e saj në një intervistë në CNN. Diçka që besohej se vuloste miqësinë e tij me presidenten e ardhshme. Megjithëse është e paqartë pse Clinton do të duhej të mbante njërin apo tjetrin krah dhe nëse vërtet atë e ndihmonte ajo deklaratë e Edi Ramës. Shumica dërrmuese e votuesve të Trump me gjasë as nuk e dinë ku bie vendi që ai drejton dhe sigurisht as ata që votonin Clinton.

Donald Trump tani president i SHBA nuk kishte fort mbështetës të zëshëm në Tiranë para 8 nëntorit. Emisionet televizive që u bënë me këtë temë e patën të vështirë të peshkonin një apo dy veta që mund të thoshin një fjalë të mirë për të. Shqipëria donte Clintonin presidente, më shumë se vetë SHBA-të.

E gjithë kjo ndryshoi mëngjesin e menjëhershëm pas zgjedhjeve. Tronditja ishte gjigante. Socialistët u ndjenë të pashpresë, kurse ndër demokratë dhe te LSI entuziazmi ishte i madh. Të dyja partitë vrapuan të siguronin bileta për ditën e inaugurimit. I paguan shtrenjtë, por dërguan prej Uashingtoni foto duke buzëqeshur mbuluar me mushama. Papritur në 10 nëntor në vend kishte “trumpistë”.

Por deri atë ditë askush nuk kishte menduar për Trump. Kjo shpjegon nxitimin e LSI dhe PD për të blerë konsulencë në agjenci pranë presidentit të ri. PS, e cila si për fillim duhej të justifikonte qëndrimin e ashpër të Ramës dhe u përpoq të dilte prej gafës politike me shprehjen: “Fola për kandidatin, jo presidentin”, ishte më e avashtë. Pas ca takimesh të vogla me zyrtarë të administratës së re, të cilat ia mundëson të qenit në qeveri dhe publikimit të një letre shabllon të marrë nga Trump, Rama u çlirua prej kompleksit dhe socialistët si dy të tjerët nënshkruan kontratën me një kompani që drejtohet prej ish-politikanësh konservatorë, që në një mënyrë apo tjetrën janë përfshirë në fushatën e Trump.

Kjo është lufta e pashpallur e partive shqiptare për të fituar simpatinë e njeriut më të fuqishëm në botë dhe për të vënë rrotën në lëvizje në të mirë të qëllimeve të tyre politike. Për aksesor një përballje po ndodh edhe për simpatinë e Brukselit, Parisit apo Berlinit, por këtu duket se kryeministri ndodhet hapa para kundërshtarëve. Kjo e ka bërë garën për Shtëpinë e Bardhë të duket si vendimtare, shoqëruar me konspiracione antisoros apo të tjera lokale me fqinjë që duan destabilizim të Shqipërisë. Një skenë në tërësi groteske me të cilën merret ky numër, përfshi edhe shkrime të tjera mjaft interesante si fillimet e trustit të alkoolit në Shqipëri, një rikthim te debati mbi filmat e komunizmit dhe një dosje të kohës së komunizmit mbi filmat imperialistë e revizionistë. Vladimir Putin po ashtu ka një hapësirë në këtë numër, rreth zhurmës së krijuar mbi të, sepse thjesht Moska nuk mund të mungojë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Vetingu nis nesër në Kuvend: Ja pikat e debatit mes PS-PD

Të martën komisioni i posaçëm i reformës do të diskutojë projektligjin për...
Read More