Prapaskenat: A po shkohet drejt shtyrjes së zgjedhjeve?

Basha: “Ne kemi vendosur të qëndrojmë deri në vendosjen e një kabineti teknik me mbështetje të gjerë politike. Jo me një kryeministër teknik që cakton ai, se ka filluar të thërrasë njerëz e të emërojë qeveri kukull. Harroje se do pranojmë…”

Nga Nevila Perndoj

Në intervistën e tij të fillim javës në emisionin “Top Story”, kryeministri Edi Rama tha se ai nuk do të jepte dorëheqjen nga detyra e kryeministrit pasi qytetarët e kishin votuar atë për një mandat të plotë.

Por kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i cili prej ditësh ka ndërmarrë një tur takimesh me ambasadorë të vendeve të BE-së, lajmëroi se këto kohë kreu i ekzekutivit në prapaskenë po lobon për një pasardhës në krye të qeverisë.

“…Sot jemi këtu sepse Rama ka vendosur të kapë zgjedhjet e ardhshme, por dhe ne kemi vendosur të qëndrojmë deri në vendosjen e një kabineti teknik me mbështetje të gjerë politike. Jo me një kryeministër teknik që cakton ai, se ka filluar të thërrasë njerëz e të emërojë qeveri kukull. Harroje se do pranojmë. Qeveria teknike do të funksionojë vetëm kur të ketë vulën e opozitës së bashkuar dhe qytetarëve të kësaj lëvizje popullore”, -tha Basha.

Por edhe nëse do të bihej dakord për qeveri teknike, a do të ishte e mjaftueshme koha për të përgatitur zgjedhjet deri më 18 qershor?

Basha tha mbrëmë në emisionin “Opinion” se, “me asgjësimin e reformës zgjedhore dhe me situatën kritike që po merr përsëri kultivimi i drogës në Shqipëri, pamundësia për ta luftuar atë me standarde” e gjitha kjo sipas tij rrezikon mbajtjen e zgjedhjeve me 18 qershor, edhe sikur sot të kishte një pakt për qeveri teknike.

“…Prandaj nuk është e pamendueshme që për hir të standardeve zgjedhore, të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të shikohet edhe shtyrja e zgjedhjeve. Por, për ne, nuk ka rëndësi se kur mbahen zgjedhjet, rëndësi ka si mbahen zgjedhjet. Zgjedhjet duhet të jenë në përputhje me standardet europiane, të lira dhe të ndershme”, -tha Basha.

Më herët, në takimin e pasdites në çadrën e ngritur para kryeministrisë, kryetari i demokratëve u shfaq optimist se zgjidhja do të jetë e afërme.

“Dua t’u them se lajmet e mira të mbështetjes së kauzës tonë, të kauzës popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sapo ka nisur. Lajme të tjera të mira po vijnë dhe do të shpalosen këtu para jush në ditët që vijojnë dhe e ndjej nga thellësia e shpirtit se agimi i fitores për të cilën po luftojmë është shumë afër”, – njoftoi ai.

Por ndryshe nga Basha, ish-kryeministri Sali Berisha shfaqet më pesimist në diskursin e tij politik.

“…Faqja e zezë e Edi Ramës është krimi, dhe nuk ka asnjë sekondë legjitimitet. Ai duhet të kërrehet prej leckash një minutë e më parë…”, -tha Berisha, pasi ka përcjellë një panoramë të qeverisjes “Rama”.

Berisha u ndal gjatë edhe te Reforma në Drejtësi, duke shpotitur edhe dy ambasadorët, Lu dhe Vlahutin për rolin e ndërmarrë që në fillim të procesit.

“…Reformën e mori Edi Rama në dorë dhe akti i parë, përjashtoi opozitën! Çuditërisht, në krah të Edi Ramës, për pa nevojë për opozitën u rreshtuan edhe Guvernatorja, edhe në njëfarë mënyrë, për hir të së vërtetës më pak, ambasadori Lu, por Vlahutin me deklarata të njëpasnjëshme, aq sa u detyrova t’i përgjigjem se ti me këto deklarata çon drejt stabilizimit, Shqipërinë!…”, -tha ai.

Berisha mbron qëndrimin se marrëveshja e 21 korrikut për Reformën në Drejtësi nuk u shkel nga PD-ja, por dikush tjetër.

“…Ne jemi njerëz të marrëveshjes. Marrëveshjen e shkelmojnë vetëm ata që janë zuzarë, njeriu i qytetëruar nuk e shkelmon kurrë marrëveshjen pavarësisht nga çmimi që mund të ketë. Pas dy ditësh, me urdhër të George Sorosit, Edi Rama shkeli marrëveshjen, me urdhër të George Sorosit u votuan të gjitha ligjet pa opozitën, me urdhër të George Sorosit ligjet u rikthyen ashtu siç i donte Edi Rama, duke shkelmuar plotësisht Kushtetutën…”, -tha ai.

Përjashtimi i opozitës në këtë proces, sipas Berishës, po e çon vendin në një tjetër etapë jo stable.

“…Na thoni ju, a mundet ne të votojmë, a mundet ne të pranojmë një proces që i jep drejtësinë në dorë Edi Ramës pse do kryekorruptori i globit, Goerge Soros? S’do e bëjmë kurrë këtë. Dhe iu them atyre që përpiqen të shtyjnë se po shtyni Shqipërinë drejt destabilizimit, por jo, s’ka për të ndodhur kurrë. Cilido që kërkon proces transparent, të rikthejë konsensusin, të vendosë qeveri teknike…”, – kërkoi ai.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Vettingu/Asnjë ligj nuk mund të bllokojë vetveten

Nga Arjan Çuri Sigurisht për të qenë konform normës së parimit të...
Read More