Prapaskenat e lëvizjes surprizë te Krimet e Rënda

Arta Marku largon nga drejtimi i Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besim Hajdarmatajn dhe komandon në vend të tij prokuroren Donika Prela. Marku: Kam besim se ky ndryshim do të sjellë rezultate më të efektshme. Lulzim Basha: Shkarkimi është bërë me urdhër të Edi Ramës, kryeprokurorja do mbajë përgjegjësi ligjore. Kryemadhi: Kjo është një përpjekje për të mbyllur çështjen “Tahiri”.

Hetimet për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri kanë marrë dje një kthesë të papritur. Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku ka larguar nga detyra e kreut të Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besim Hajdarmatajn dhe në vend të tij është komanduar prokurorja Donika Prela. Ajo që prej muajit janar mbante detyrën e kryeprokurores në Prokurorinë e Durrësit. Transferimi i saj nga kryeprokurore e Durrësit si e komanduar te Krimet e Rënda mbërrin pak kohë pasi Prokuroria e Durrësit shpalli moskompetencën për çështjen e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe e kaloi dosjen e tij te Krimet e Rënda. Ndërkohë, Besim Hajdarmataj do të vazhdojë të qëndrojë te Krimet e Rënda, por si prokuror i thjeshtë i tyre. Hajdarmataj ka mbajtur postin e kreut të prokurorisë për krimet e rënda që nga viti 2016 ndërsa më parë ka punuar si prokuror në Tropojë dhe në Durrës.

Prokurori i “Tahirit”

Besim Hajdarmataj është drejtuesi i grupit të prokurorëve që po hetojnë dosjen “Habilaj-Tahiri”. Largimi i tij si drejtues i Prokurorisë për Krimet e Rënda mbërrin një ditë pasi thërriti për të marrë në pyetje Gentian Cekan, shofer i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Po ashtu, rastësi apo jo, ndryshimet mbërrijnë po një ditë pas grabitjes së korrespondencës sekrete të Prokurorisë së Durrësit nga persona të paidentifikuar. Ngjarja e paprecedentë ka ndodhur rreth orës 10:30 të së martës në Lagjen 11 të qytetit bregdetar. Por edhe pse lëvizja është komentuar si një goditje për hetimet ndaj ish-ministrit Tahiri vetë Prokuroria e Përgjithshme ka argumentuar se largimi i Hajdarmatajt është një “ndryshim që pritet të sjellë rezultate dhe efektivitet në çështje me përparësi në hetim”. Prokuroria e Përgjithshme pasi ka konfirmuar zyrtarisht ndryshimet në Prokurorinë për Krimet e Rënda, përmes një njoftimi të shkurtër për mediat thotë se ndryshimet janë bërë me arsyetimin “për të sjellë ndjekje penale më të shpejta dhe të efektshme të çështjeve me përparësi”. “Kam besim se ky ndryshim do të sjellë si rezultat ndjekje penale më të shpejtë dhe më të efektshme të çështjeve me përparësi të lartë. Ndjekja penale e krimit dhe e korrupsionit mbetet prioritet për kryeprokuroren Marku”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.

Hajdarmataj: Dosja “Tahiri” mbetet në duart e mia

Prokurori Hajdarmataj tha se nuk kishte ndonjë informacion më konkret mbi shkaqet e shkarkimit, por theksoi se çështja më e rëndësishme që kishte deri para shkarkimit në duar ishte ajo e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Sipas Hajdarmatajt, shkarkimi nga posti i kreut të prokurorisë nuk sjell automatikisht heqjen e dosjes së Tahirit nga përgjegjësia e tij. “Motivacioni nuk ishte shumë i qartë por besoj se kishte të bënte me dhënien e një hovi të ri apo impulsi më të madh të punës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ishte një urdhër që më shkarkonte mua nga ana e drejtimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, dhe në zbatim të tij, tani i bie që unë jam një prokuror i thjeshtë në këtë prokurori”, tha Hajdarmataj. Pyetur se me çfarë mund të lidhet shkarkimi i tij në këtë kohë, Hajdarmataj tha: “Unë nuk di të them se me çfarë ka lidhje ky shkarkim por mund t’ju them se unë e vetmja dosje që unë jam përfshirë drejtëpërsëdrejti, nga një sërë hetimesh që tashmë janë të hapura nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, është ajo e dosjes ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Unë tani jam prokurori i thjeshtë dhe normalisht do të vazhdoj punën time me dosjet për të cilat jam i ngarkuar të hetoj, deri në momentin që mund të ketë ndonjë urdhër tjetër për transferimin apo komandimin tim në ndonjë institucion tjetër”, shtoi ai.

Ambasada Amerikane: Shpejtoni hetimet me profil të lartë politik

Pas shkarkimit të kreut të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ka ardhur një reagim nga Ambasada Amerikane.  Në një reagim për mediat, Donald Lu, shprehet: Jemi gati të mbështesim një Prokurori që punon pa vonesa. “Ky është një moment me rëndësi që Shqipëria të demonstrojë se hetimet me profil të lartë publik mund të ecin përpara pa ndërhyrje politike. Prokurorja e Përgjithshme thotë se ka emëruar Znj. Prela në mënyrë që çështjet me përparësi të përfundohen në mënyrë më të shpejtë dhe më të efektshme. Jemi gati të mbështesim një prokurori që ka vullnetin dhe aftësinë të punojë për këto çështje të rëndësishme të krimit dhe korrupsionit në mënyrë të efektshme dhe pa vonesa”- shprehet ambasada e SHBA në Tiranë.

Basha: Shkarkimi me urdhër të Ramës

Për kreun e PD, Lulzim Basha, shkarkimi nga detyra i kreut të Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj është bërë me urdhër direkt të Edi Ramës për të shpëtuar Tahirin. “Ai është zëvendësuar nga një tjetër kamikaze e Edi Ramës. Shkarkimi i kryer me urdhër direkt të Edi Ramës vjen vetëm pak ditë pas materialeve të ardhura nga Greqia dhe Italia dhe pak ditë pas marrjes në pyetje të shoferit të Tahirit. Ky shkarkim vjen sot kur PD denoncoi mbështetjen që Xhafaj i ka dhënë vëllait të tij, duke mos e arrestuar edhe pse është dënuar në Itali si kreu i një bande të trafikut të kokainës. Po mblidheshin të tjera prova të Tahirit dhe lidhjes së tij me Edi Ramës”, tha Basha. Kreu i PD u shpreh se Rama po bën gjithçka të shpëtojë Saimir Tahirin dhe lëvizja e fundit, sipas tij, është bërë në shkelje me ligjin, veprim për të cilin Basha thotë se do të mbajë përgjegjësi Arta Marku. “Emërimi i kamikazes së re të Ramës është bërë në shkelje flagrante të ligjit. Prokurori i Përkohshëm nuk mund të marrë vendimin që ka marrë sot. Është një vendim i paligjshëm. Prokuroria e Edi Ramës do të mbajë përgjegjësi ligjore për këtë. Ky vendim është i Edi Ramës që kontrollon plotësisht Markun. E gjithë struktura e prokurorisë tashmë është nën kontrollin e Ramës dhe synimi është mbrojtja e Tahirit, vëllait të Xhafajt dhe Olsi Ramës”, tha Basha.

Kryemadhi: Përpjekje për të mbyllur çështjen “Tahiri”

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi deklaroi se shkarkimi nga detyra i kreut të Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj është një përpjekje për të mbyllur përfundimisht çështjen Tahiri, e cila sipas saj, mban peng jo vetëm Edi Ramën, por të gjithë qeverinë. “Edi Rama duhet ta ketë të qartë që asnjë presion apo largim i paligjshëm nuk e shpëton atë dhe bashkëpunëtorë e tij nga dosjet e krimit dhe korrupsionit. Për ato dosje ai dhe bashkëpunëtorët e tij do të përgjigjen para drejtësisë një më një!”, shkruan Kryemadhi në “Facebook”. Ashtu si edhe kreu i PD, edhe Kryemadhi i ka kujtuar kryeprokurores se vendimi i saj është i paligjshëm dhe se për të do të mbajë përgjegjësi. “Ky akt i paprecedent rëndon mbi Prokuroren e Përgjithshme, e cila vetë nuk ka kaluar në procesin e Vettingut, rëndon mbi të gjithë ata që paturpësisht vijojnë të shkërmoqin dosjet e krimit dhe korrupsionit. LSI paralajmëron qartas Prokuroren e Përgjithshme dhe të gjithë strukturat përgjegjëse; Të mos guxojnë të hedhin hapa për të fshehur gjurmët e krimit! Çdo akt i tillë i paligjshëm, që nga ekstradimi i Naser Seitajt dhe deri te ky i sotmi, është përgjegjësi e pastër penale e atyre që kanë firmosur urdhrat e kryeministrit”, thuhet në deklaratën e zonjës Kryemadhi.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

E megjithatë, marrëdhëniet me Greqinë janë në një fazë të re dhe pozitive

Nga Ervis Iljazaj Takimi midis ministrit të Jashtëm grek dhe atij shqiptar...
Read More